• |
ide | kryesore

Tahiri kthehet nga Gjermania,“Ish-ministri nuk kreu asnjë shkelje”

Lajme, Të fundit



Saimir Tahiri është kthyer në Tiranë, pas një vizite të shkurtër në Gjermani, vizitë e cila u komentua si thyerje e vendimit të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores që i ndalonte atij largimin nga Shqipëria.

Mësohet se Tahiri shkoi në Gjermani për të parë nga afër babain e tij të shtruar në spital.

Në vendimin e datës 25 tetor thuhet shprehimisht se Kuvendi pranon kërkesën e prokurorisë për Krime të Rënda për dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore të ish-ministrit te Brendshëm.

Avokati i Tahirit, Artan Hajdari thotë për tvklan se ish-ministrit nuk mund t’i ndalohej dalja jashtë vendit për aq kohë sa prokuroria nuk kishte kërkuar një masë të tillë në gjykatë, ndonëse Kuvendi kishte dhënë autorizimin.

“Prokuroria nuk ka kërkuar këtë masë ndalimi edhe pse Kuvendi ia dha miratimin. Nëse do ta kishte kërkuar prokuroria apo ta kishte vendosur gjykata masa e ndalimit do te kishte qene ne te gjitha pikat e kalimit kufitar. Do t’i ishte bllokuar pasaporta. Kur një person është nën hetim, por nuk ka këtë masë ndalimi nuk  është detyrim i personit që të njoftojë prokurorinë për lëvizjet e tij. Kur prokuroria merr ose kërkon një masë ndalimi, është ajo që e njofton personin nën hetim dhe jo personi të njoftojë prokurorinë për lëvizjet.”

Zyra për shtyp e prokurorisë sqaroi për tvklan se për sa kohë Kuvendi rrëzoi kërkesën për ndalimin e Tahirit, çdo masë tjetër ndaj tij u vlerësua e papërshtatshme për t’u kërkuar.

Stepja e prokurorisë për t’i drejtuar Gjykatës duket se i ka dhënë hapësirë të lëvizë lirisht ish-ministrit Tahiri.

Një ditë më parë në një status të tij në rrjetet sociale ish-kryeministri Berisha kërkoi heqjen e mandatit të Saimir Tahirit si deputet. Sipas tij me shkeljen e vendimit te Kuvendit, ish-ministri ka humbur të drejtën e mbajtjes së mandatit të anëtarit të parlamentit.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *