• |
ide | kryesore

Profil pas vdekjes/ Kush ishte Çarls Manson, krimineli me kryq në ballë që vrau për t’a futur SHBA në luftë raciste

F1, Planet



Çarls Manson, lideri i një kulti vrasës të viteve ’60-të, ndjekësit e të cilit kryen vrasje të tmerrshme që terroziruan Los Anxhelosin dhe tronditën mbarë kombin, vdiq të dielën në burg, në moshën 83-vjeçare.
Mansoni, një njeri i vogël por karizmatik, orkestroi një valë dhune në gusht të vitit 1969 që mori jetën e shtatë personave, zuri lajmet e para në mbarë botën dhe i siguroi atij dhe ‘familjes Manson’, siç quhej kulti, dënime me burg për pjesën më të madhe të jetës së tyre.
Çarls Manson u dënua me 9 burgime të përjetshme në Kaliforni dhe lirimi me kusht iu mohua 12 herë. Ai u bë shumë i famshëm, gjë që erdhi si pasojë edhe e librave dhe filmave të njohur që u bënë për të. Manson u bë një kult për ata që hipnotizoheshin nga vizionet e të errta apokaliptike që predikonte.
“Ai ishte sundimtar, diktator, mbret i familjes “Manson”, dhe anëtarët e kësaj familjeje ishin mëse të bindur ndaj tij” – u shpreh ish-prokurori që ndoqi çështjen e Manson, Vincent Bugliosi për CNN në vitin 2015.
Ndjekësit e tij shkuan deri në atë pikë sa do të vrisnin për të.
Vrasjet brutale filluan më 9 gusht të vitit 1969, në shtëpinë e aktores Sharon Tate dhe burrit të saj, regjisorit të famshëm, Roman Polanski. Ai ishte jashtë vendit ato ditë.

Grupi i parë i viktimave ishte Tate, e cila ishte 8-muajshe shtatzënë, një parukier i famshëm i quajtur Jay Sebring, trashëgimtarja e një kompanie kafeje, Abigail Folger, shkrimtari Wojciech Frykowski, dhe Steven Parent, një mik i mazhordomit të familjes.
Mbrëmjen tjetër ndodhën vrasje të tjera. Drejtori i një supermarketi, Leno LaBianca dhe gruaja e tij, Rosemary, u vranë në shtëpinë e tyre.
Edhe pse Manson urdhëroi vrasjet, ai nuk mori pjesë në to.
Në dy net, vrasësit goditën 169 herë me thikë dhe 7 herë me armë zjarri. Skenat e krimit ishin të tmerrshme. Pak detaje në skenat e krimit mjaftuan që dy ngjarjet të lidhen me njëra-tjetrën.
Fjala “derr” ishte shkruar me gjakun e viktimave në muret e një shtëpie dhe në hyrjen e një tjetre. Edhe një frazë tjetër e shkruar me gjak u gjet në shtëpiat e viktimave: Healter Skelter. Sipas një prokurori që ndoqi çështjen, arsyeja pse këto fjalë ishin shkruar ishte pasi Çarls Manson dëshironte që të fillonte një luftë racore. Ai shpresonte se faji për vrasjet do t’i mbetej partisë-lëvizje të Panterave të Zeza. (parti socialiste revolucionare e ‘nacionalistëve të zinj’ – sqarim nga Lapsi.al)
Më 16 qershor të vitit 1970, Manson dhe tre nga ndjekësit e tij, Susan Atkins, Patricia Krenëinkel dhe Leslie Van Houten, dolën në gjyq në Los Anxhelos.
Detajet e mësipërme u nxorrën si prova në gjyq. Këto prova tronditën, por edhe habitën njëkohësisht Shtetet e Bashkuara. Gjatë seancës gjyqësore, Manson dhe ndjekësit e tij po silleshin sikur ishin në cirk. Ata këndonin, kërcenin, reagonin të zemëruar, madje edhe gdhendën X-in në ballin e tyre.


Susan Atkins, e cila tashmë ndodhet në burg për një tjetër akuzë, i mburrej një të burgosure për vrasjen e aktores Sharon Tate, gruan shtatzënë të regjisorit të njohur Roman Polanski.
Atkins u përgjua teksa tregonte pse u bë kjo vrasje.
“Donim të bënim një krim që do të trondiste botën … ”
Çarles Manson fillimisht u dënua me vdekje, por ezkekutimi u hoq si ligj dhe dënimi ndaj tij u transferua në burgim të përjetshëm.
Ai u dënua edhe si i lidhur me vrasjet e muzikantit Gary Hinman, dhe dublantit Donald “Shorty” Shea, në 1969.

Jeta e hershme
Çarls Manson lindi në vitin 1934 në Charles Maddoz, në Cinciannati. Mamaja e tij ishte një 16-vjeçare e pamartuar. Më vonë, ai mori mbiemrin e njerkut të tij, William Manson. Kur ishte 12-vjeç, Manson u dërgua në një shkollë riedukimi djemsh në Indiana pasi ishte kapur duke vjedhur. 20 vitet e ardhshme ai i kaloi në shkolla të tilla ose në burg për krime nga më të ndryshme.
Në vitin 1987, në një intervistë për CNN Çarles Manson tha:
“Kam kaluar pjesën më të bukur të jetës time në shkolla riedukimi dhe burgje, pasi nuk kisha askënd në jetën time.”
Pasi u martua dy herë dhe kaloi gjysmën e viteve të tij në burg, në vitin 1967, 32-vjeçari Manson u kthye në Kaliforni. Ai e ‘ktheu’ veten në një mësues për dashurinë dhe shumë shpejt filloi të qëndronte në shtëpi me 18 gra.
Deri në vitin 1968, kur pa ‘luftën’ racore, lëvizjen Pantera e Zezë dhe dhunën nëpër botë, Çarls Manson u bind se po vinte apokalipsi.

Orgjitë dhe predikimet

“Unë u mahnita nga mendja e tij dhe gjërat që Çarlsi predikonte” – shprehej një prej anëtarëve të familjes Manson, Leslie van Houten.
Në fermën e të ashtëquajturës “Familja Manson”, Çarlsi, që nuk ishte as 1 metër e 60 centimetra i gjatë, organizonte orgji duke pirë drogë të tipit “LSD” dhe jepte predikime. Dishepujt kishte arritur t’i mbërthente për vete. Çarls Manson i thoshte atyre se ishte bashkimi i Jezus Krishtit me djallin.
“Ata e adhuronin Çarlsin sikur të ishte zot” – u shpreh ish-anëtarja e familjes Manson, Barbara Hoyt për CNN.

Muzika e Mansonit
Në moshë të re, kur ishte në burg, Manson dëgjonte vazhdimisht radio. I frymëzuar nga grupi Beatles, ai filloi të shkruante këngë dhe të performonte në shfaqjet e burgut.
Manson besonte se Beatles po komunikonin me të nëpërmjet albumit të tyre, të quajtur ndryshe ‘ albumi i bardhë’, i cili u publikua në fund të vitit 1968.
Mesazhin apokaliptik, Çarls Manson e interpretonte kështu:
“Zezakët do të ngrihen dhe do të përmbysin krijimet e të bardhëve në një luftë racore. Familja Manson do të shpëtojë duke u fshehur në një ‘gropë të pafund’ pranë Luginës së Vdekjes, derisa ai të dilte për të udhëhequr rendin postrevolucionar.”
Pasi u zhvendos në Kaliforni, Manson u takua me Hinmanin, një mësues muzike. Hinman e prezantoi Çarlsin me Dennis Wilsonin e grupit të njohur Beach Boys.
Dennis Wilsoni mori një prej këngëve të Mansonit, të quajtur “Cease to Exist” dhe e ktheu në këngën e njohur të Beach Boys, “Never Learn Not To Love”.
Çarls Manson u zemërua jashtë mase, pasi atij nuk iu njoh asnjë meritë si krijues i këngës. Dennis Wilson e kishte prezantuar Mansonin tek producenti Terry Melcher, djalin e aktores Doris Day.
Terry Melcher tregoi fillimisht interes për muzikën e Manson, por më pas nuk pranoi të punojë me të, shkruan Lapsi.al.
Terry Melcher lëvizi pas pak kohësh nga shtëpia ku jetonte. Ai ia dha këtë shtëpi me qera regjizorit Romoan Polanski dhe gruas së tij Sharon Tate.
Kujtojmë se kulti i Mansonit masakroi në 1969-tën Sharon Tate në këtë shtëpi, kur ajo ishte 8 muaj shtatzënë.

Një trashëgimi e errët
Çarls Manson ia arriti që njerëzit t’i kushtonin kudo vëmendje atij. Me dhunën e pashoqe, muzikën dhe frymën anti-establishment, vrasjet e vitit 1969 dhe gjyqet që pasuan e kthyen Çarls Mansonin në një ikonë kulturore çoroditëse. Trashëgimia e tij e shtrembëruar, e shoqëroi Mansonin deri në vdekje.
Laurie Levenson, pedagoge në Shkollën Juridike ‘Loyola’, që ndjek raste të tilla të profilit të lartë, e përshkroi Çarls Mansonin në vitin 2009 si “më të keqin e më të këqinjve, një mishërim i të keqes”.
“Nëse doni të jeni të këqinj, duhet të jeni diabolikë pa kufinj, dhe i tillë ishte Çarls Manson” – u shpreh pedagogia Levenson për CNN.
Imazhi i Mansonit mund të gjendet ende në postera dhe bluza. Në vitin 1998, seriali i animuar televiziv, “South Park”, paraqiti Çarls Mansonin në një seri speciale për Krishtlindjet. Janë shkruar libra, është bërë një shfaqje, një opera dhe filma televizivë rreth Çarls Mansonit dhe ndjekësve të tij.
BBC, përshtati LAPSI.AL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *