Policia ka dhënë detaje mbi ngjarjen e regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në qytetin e Laçit ku një person ka qëlluar me armë. Sipas uniformave blu ishte një 39-vjeçar me iniciale P.K. që ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë së Kurbinit se ka pasur një konflikt me 33-vjeçarin me iniciale Z.Ll. para makinave të tyre.
39-vjeçari është larguar për në shtëpi, por te hyrja e pallatit ka dëgjuar të shtëna armësh duke pretenduar se Z.Ll. ka gjuajtur në ajër. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë. Policia thotë se vazhdon punën për kapjen e 33-vjeçarit për hetime të mëtejshme. ©LAPSI.al