• |
ide | kryesore

Kush janë hajnat që arrestuan Albin Kurtin

Blog



Dhe këtë nëntor Albin Kurti ka përfunduar sërish në pranga. Arrestimi I themeluesit të Vetëvendosjes ndodh në një moment politik shumë interesant. Partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ka prekur fundin. Në zgjedhjet lokale që sapo u mbyllën PDK ka marrë minimumin e votave në krejt historinë e saj. Por arrestimi i Kurtit nuk është vetëm hakmarrja e verbër. Po numërohen votat e dërguara me postë dhe bashkëkryeministrat e qeverisë kërkojnë të përmbysin fitoren e pritshme të Vetëvendosjes në dy qytetet më të mëdha, Prishtinë dhe Prizren. Përmes provokimit të një konflikti parapolitik synojnë të shmangin vëmendjen nga ajo që po gatuajnë, tjetërsimin e rezultatit.

Tre partitë e drejtuara nga ish komandantët e luftës, PDK, AAK dhe Nisma, të treja bashkë në Prishtinë, morën më pak se 10 për qind të votave. Ky nuk është shpartallim. Është më shumë se kaq. Është përbuzje. Është e frikshme kjo që ka ndodhur. Si është e mundur që çlirimtarët të shikohen nga shumica e qytetarëve të vendit të tyre me neveri. Gjithçka ka nisur që në qershorin e vitit 1999, që në çastet e para kur çlirimtarët hynë në Prishtinë me një paradë të mbuluar nga dallgët e luleve të mirënjohjes.

Çfarë gjëme ka ndodhur më pas, efektet e kujt tërmeti janë ? Po si ka mundësi të ndodhte e gjitha kjo? Shpjegimin e kësaj që ka ndodhur e jep në mënyrën më sintetike një skeç i famshëm i Stupcave, i cili u bë viral në internet që në momentin e parë kur u postua. Në këtë skeç tregohen dy komandantë të UCK me një hartë të Prishtinës mes këmbëve, në ditët e fundit të luftës. Në kohën kur ushtarët e tyre luftonin nën predha , ata të dy grindeshin mbi hartë, jo për ndonjë strategji sulmi, por për pronat që donin të ndanin mes vedi. Dhe në fakt kështu ndodhi më pas. Banorët e Prishtinës mbajnë mend si komandantët zaptuan gjithçka që kishte vlerë.

Kjo që ka ndodhur në Kosovë është një déjà vu në historinë tonë. E njëjta gjë ka ndodhur nga të dyja anët e Drinit në çdo moment përmbysjeje. Metamorfoza e frikshme e çlirimtarëve ka qenë një proces I njëjtë. Le të mos tregohemi naivë. Në krejt historinë e njerëzimit lufta për pushtet nuk është e pastër. Nuk është si debatet e filozofëve në aeropagun e Athinës së lashtë. Një shembull i shpejtë. Në luftën për pushtet Sharl dë Gol eliminoi me ndihmën e Çërçillit një ushtarak më të zotë se ai, gjeneralin Zhiro. Por ajo që është thelbësore , në vendet e zhvilluara, politikanët nuk gjykohen dhe aq si kanë ardhur në pushtet, por si e kanë përdorur atë. Jo më kot, në të gjitha gjuhët latine fjala pushtet përkthehet dhe mundësi. Dhe mundësinë për të qeverisur çlirimtarët tanë e kanë përdorur për të bërë plaçkë, jo për të sjellë zhvillim.

Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të jenë të irrituar me komandantët. Në thuajse 20 vjet qeverisje janë po aq fajtorë sa “titistët e LDK” (kështu I quajnë me përbuzje kundërshtarët e tyre tradicionalë). Kanë qeverisur aq keq sa Kosova është jo vetëm në mjerim ekonomik por është kristalizuar si një koloni serbe. As pushtuesit nuk janë sjellë aq keq me ekonominë e Kosovës sa qeveritarët e saj të dy dekadave të fundit.

Kjo ka ndodhur sepse komandantët janë peng të dy oligarkëve më të mëdhenj të Kosovës. Njëri prej tyre, Ramiz Sadiku quhet në mos gabohem, u bë në qeverinë e kaluar zëvendëskryeministër për ekonominë. Shkurt , ujkut ju varën mëlçitë në qafë. Ndërsa pala tjetër janë dy vëllezër që emëronin gjithë drejtorët e enteve dhe ndërmarrjeve publike më fitimprurëse. Në Kosovë askush nuk është kundër të pasurve. Por kush e mendonte 20 vjet më parë se disa nga ata që kishin udhëhequr luftën kundër serbëve me armë në dorë, do përdornin më pas çdo armë që të jep pushteti , çdo fantazi kontrabandisti për të vënë në tepsinë e korrupsionit gjithcka në funksionin të dy lobeve ekonomike, që biznesin e tyre e kanë bazuar tek importet serbe. Tek importet serbe që janë shkaku i papunësisë, përmasat e të së cilës në Kosovë afrohen tek shifra e frikshme 50 për qind.

Pika e fundit që derdhi gotën e zemërimit ishte publikimi i “dosjes së shefave”. Qindra përgjime, të bëra sigurisht nga shërbimi I ndonjë vendi të madh, zbuluan injorancën, makutërinë, tribalizmin nga i cili qeveriseshin. Dhe për më tolerantët ishte një dush I ftohtë. E gjithë kjo dosje e klanit “Pronto” dukej si era e çorapeve të palara në këmbët e atyre që kanë venë përfund çdo institucion që nga gjykatat deri tek qeveria.

Në këtë kontekst Vetëvendosje mbetej mundësia për ndryshim. Partia e Albin Kurtit dyfishoi rezultatin në zgjedhjet e përgjithshme krahasuar me ato të mëparshmet. Vetëvendosje doli partia e parë pavarësisht shumë gafave që kishte bërë : që nga incidenti me ambasadoren e SHBA në hyrje të Kuvendit apo deklaratave në favor të përdorimit të shamisë në kokë nga gratë.

Dhe në zgjedhjet lokale të pak ditëve më parë nuk mungoi dhe ndonjë gafë periferike si ajo e deklaratës antisemite nga e cila drejtuesit e Vetëvendosjes nuk u distancuan prerë. Gjithsesi Albin Kurti nuk është më ai Çe Gevara i Kosovës. Me vënien e kravatës nuk ndryshoi vetëm look por dhe verb. Në shqipen e tij po aq të mrekullueshme sa të Arbër Xhaferrit po bën ndryshimet që ndërkombëtarët duan të dëgjojnë. Më shumë se më parë është një alternativë e qeverisë aktuale të Kosovës.

Ky është momenti kur ka ndodhur arrestimi i radhës së Albin Kurtit. Përballë tij është qeveria më e panatyrshme që ka patur ndonjëherë Kosova. Duket si paradoks por e tillë është. Pavarësisht se ish komandantët janë bashkëkryeministra të qeverisë Haradinaj, për çështjet më të të rëndësishme që përballet aktualisht kjo qeveri kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Arrestimi i Albin Kurtit sot u bë se akuzohet për gazin lotsjellës të hedhur dy vjet më parë në Parlamentin e Prishtinës. Për hir të së vërtetës duhet thënë se Kurti atëherë udhëhiqte protestën kundër shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe Zajednicën bashkë me kryeministrin aktual Rramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj. Kjo është po qa e vërtetë sa dhe fakti që deputetja që u arrestua sot me Albinin është Donika Kadaj Bujupi, e cila në kohën e protestave ishte deputete e AAK të Haradinajt.

Shumë pyetje qarkullojnë sot në Kosovë. Atë më kryesoren nuk po e përmendim sepse litari nuk përmendet në shtëpinë e të varurit. Por për komandantët mbeten pyetje të tjera për tu bërë ? Sa do zgjasë kjo qeveri dhe si do zgjidhë ajo dosjen e kufirit me Malin e zi ? Ashtu si dhe pyetja që shkakton humor në Prishtinë : A do ta zëvendësojë Rramush Haradinaj Adem Grabovcin në klanin “Pronto”?



4 Comments

  1. Baba Ramo je i sakte kur flet per Shqiperine here-here, po nuk di gje fare, po gje fare kur merresh me punet e Kosoves.

  2. albini esht nje komunist i rryer ,me i keq se rama.keta te djegin shtepin per karrige.por ne ket rast albinit i ka hasur sharra ne gozhd sepse thaqi,limaj e ramushi jan edhe me kriminel.pos ramushit i cili nuk ka shum simpati per ramen e ruqin te theret pra kurti,hashimi e limaj jan kopila komunist si rama.nuk e shifni hashimit e rames i iken gati gjysem miljon popull azil.

  3. Ne Shqiperi dhe Kosove si ne asnje vend tjeter jemi vershuar me “gazetare” ,”analista” dhe “opinionista ” te sojit te Babaramos fale edhe vershimit te Tv kanaleve,gazetave e portaleve .Kur degjon e lexon vleresimet,opinonet e analizat e Bushatit,Zheit,a.Hoxhes,Babaramos,e shume te tjereve njeriu fiton pershtypjen se ky byqym gazetaresh jane ekspert dhe njohes univerzal.Ne kete shkrim Babaramo deshmon se fare nuk e njeh realitetin dhe skenen politike te Kosoves.Ai i jep veti te drejte ti etiketoje si hajna ata te cilet ne momentet vendimtare u ngriten pothuajse duarthate duke ofruar edhe jeten per lirine dhe ekzistencen e popullit dhe vendit te tyre.Albin Kurti edhepse ishte ne ate kohe 21 vjeqe ,u struk dhe u kap si lepuri ne skutat e Prishtines sepse nuk pati guximin te rroke pushken e luftoje.Ai tere kohen po lufton per pushtet ,madje eshte evidente qendrimi antiamerikan dhe anti BE i tij.Vetem injorantet dhe ekstremistet mund te mos kuptojne se Kosova pa perkrahjen dhe ndihmen e SHBA-ve dhe vendeve kryesore te BE-se do te ishte sot e lire dhe do te mund ti kundervehet politikisht dhe ushtarakisht aleances ruso-serbe.Si mund te bejne shtet ata qe edhe sot e kesaj dite nuk pranojne institucionet,simbolet dhe vete pavbaresine e atij shteti.Si mund te bejne shtet ata qe gjuajne me mortaja dhe mollotov KUvendin dhe qeverine e Kosoves dhe shkatrrojne e ndezin kryeqytetin.Me vagabonda e huligane nuk ndertohet shteti ore Babaramo.Hudhja e gazit lotesjelles ne parlament me muaj eshte sulm direkt ne themelet e shtetesise .Ti e din mire se LVV importoi huligane e vagabonda edhe nga Shqiperia per te organizuar e kryer akte terroriste se ndryshe nuk mund te cilesohet godija me arme antitank e parlamentit.Eshte fat i madh qe ne Kosove kemi ushtrine e NATO-se dhe veprojne sherbimet e sigurise se SHBA-ve,Anglise,Gjermanise se ndryshe avanturistet si Albini do te kthenin Kosoven dhe shqiptaret aty ku ishin ne fillimin e viteve te 90-ta ,qofte nga injoranca qofte nga ambicjet e semuara per pushtet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *