• |
ide | kryesore

Skema/ Si po ia del Rama të kontrollojë hetimet për Saimir Tahirin dhe Vangjush Dakon

Lajme, Të fundit

Mazhoranca socialiste duket e vendosur të zgjedhë Prokurorin e përkohshëm të Përgjithshëm vetëm me votat e saj në Parlament.
Dyshimet janë se, qeveria po synon të marrë nën kontroll hetimet që janë në zhvillim për ish-ministrin Saimir Tahiri, një grup të gjerë drejtuesish të lartë të Policisë, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge dhe bashkëpunim me grupe kriminale.
Po ashtu, synimi është që të merret nën kontroll edhe hetimi për Vangjush Dakon dhe të tjerë zyrtarë të lartë, të cilët janë përgjuar duke angazhuar grupe kriminale për blerje votash në Durrës.
Lëvizja e mazhorancës për të larguar Adriatik Llallën në fillim të Dhjetorit nga zyra e Kryeprokurorit është qartësisht e lexueshme. Pavarësisht se maxhoranca po mundohet ta mbulojë me pirueta ligjore.
Ulsi Manja, kryetari socialist i Komisionit të Ligjeve është i pari që ka artikuluar qëndrimin e mazhorancës së Llalla duhet të largohet në 3 Dhjetor.
Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” të Yllit Rakipit, në Neës 24, Manja u shpreh se mazhoranca ka vullnetin që të zgjedh një Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm. Për Manjën, ky prokuror i përkohshëm do të jetë në detyrë deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), i cili ka tagrin për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm.
Në kushtet kur KLP ende nuk është krijuar, socialistët thonë se prokurorin e përkohshëm, deri në krijimin e asaj strukture, e zgjedh Parlamenti.
Po ashtu, Manja është i qëndrimit se Parlamenti duhet të zgjedhë kryeprokurorin e përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Praktikisht, kryeprokurori i përkohshëm do të jetë një emër që merr mbështetjen partiake të socialistëve, duke qenë se ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë të mazhorancës së Edi Ramës.
Por Manja u gjend në vështirësi, kur paneli i gazetarëve në studion e Ylli Rakipit, e vunë para faktit se, Prokurori i përkohshëm dhe vetëm i mazhorancës, do të ketë mundësinë që të ndërhyjë tek prokurorët, sidomos tek ata që kanë dosjet e nxehta të Tahirit dhe Dakos.
Po si mund të ndodhë kjo ndërhyrje?
Në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në nenin 160, pika 2, thuhet se:
(…)
2. “Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj”
Pra, kjo dispozitë kalimtare i jep Prokurorit të Përgjithshëm kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, deri në krijimin e këtij të fundit.
Në pikë 4 të po të njëjtit nen, thuhet se:
(…)
4. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm mund të vendosin caktimin në pozicione të përkohshme të magjistratëve për të mundësuar ushtrimin e detyrave dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë”.
Në terma më të thjeshtë, deri në krijimin e KLP, Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtën e lëvizjeve të prokurorëve “për arsye dhe nevoja pune”.
Në këtë mënyrë, një Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm ka mundësinë ligjore dhe reale që të lëvizë çdo prokuror nga pozicioni aktual. Pra, një Prokuror i Përkohshëm mund të vlerësojë që, ndër të tjera, të lëvizë ose të kërcënojë me lëvizje edhe prokurorët që po hetojnë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon e të tjerë pesha të rënda të Partisë Socialiste.
Duke ndjekur këtë logjikë, është e qartë që mazhoranca po synon dhe do të synojë që të zgjedhë Prokurorin e përkohshëm të Përgjithshëm vetëm me votat socialiste për të zgjidhur hallet e saj me drejtësinë.
Pasi të mbyllen këto dosje, ajo mund të vendosë të rikthehet në frymën e Reformës në Drejtësi, për të gjetur konsensus me opozitën në përcaktimin e Prokurorit të Përgjithshëm definitiv.
Por deri atëherë, mazhoranca duket se synon të heqë ferrat nga këmbët e saj. Dhe këtë po tenton ta realizojë edhe me mbështetjen e ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS. Këta të fundit, pavarësisht se rreken të flasin në emër të SHBA dhe BE, po duken qartë që kanë qenë ekspertë të rëndomtë, të cilët, më shumë se sa ndihmuan Reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, përgatitën terrenin që pushteti gjyqësor të kalojë në duart e Edi Ramës.©Lapsi.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu