• |
ide | kryesore

Analiza e Patozit: Pse Rama dhe Basha duken si “boksierë të lodhur”

Lajme, Të fundit



Në një intervistë për abc news, Astrit Patozi, drejtues i Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike thotë se Edi Rama dhe Lulzim Basha ngjajnë si dy “boksierë të lodhur”. Sipas tij, fatkeqësia është se PD nuk po forcohet nga dobësia e qeverisë.

“Shqipëria ndodhet në një depresion të madh politik, për shkak se qeveria, e cila u shfaq e relaksuar pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, ka humbur shumë nga legjitimiteti i vet, për shkak të ngjarjeve të fundit. Në këtë situatë ka një përpjekje të sforcuar të kryeministrit për ta kapërcyer, duke shpikur ngjarje tjera, çështje tjera, që të sfumojë më të rëndësishmen, që është shpërthimi i dosjes “Habilaj” dhe ngjarjet që pasuan atë. Është ndoshta një shpresë e tij që si të gjitha çuditë në këtë botë, që zgjasin vetëm tre ditë, kjo të mund të harrohet. Më duket një përpjekje e pamjaftueshme, pavarësisht zotësisë së kryeministrit për të hapur tema tjera. Madje më duket njësoj sikur të mbyllësh një digë hidrocentrali me lopata dheu” – thotë drejtuesi i Lëvizjes për Ringritjen e PD-së.
Si po e menaxhon PD këtë situatë në të cilën ditë pas dite konfirmohen akuzat e saj 4-vjeçare, sipas të cilave kultivimi i drogës u bë me mbështetje qeveritare dhe Policisë së Shtetit? Për Patozin Basha përsëri nuk po mbledh besueshmëri rreth PD-së.

“Për fat të keq më duhet të them se Partia Demokratike nuk po e kapitalizon siç duhet këtë dhuratë sepse nuk është meritë e saj që kjo shpërtheu; është meritë e partnerëve që e hapën çështjen “Tahiri”, dosjen “Habilaj”. Opozita sot është i vetmi “aleat” i kryeministrit për të dalë nga gjendja, sepse ajo po tregon pafuqinë dhe paaftësinë e saj.
Paaftësia e opozitës ka të bëjë me traumat dhe gabimet e rënda që kanë shoqëruar gjithë lidershipin e Bashës për të shkuar tek humbja katastrofike e zgjedhjeve të 25 qershorit. Pra janë pasoja të së shkuarës që e ka shumë të vështirë t’i kapërcejë, plus krizën e brendshme të PD-së. Kurse paaftësia është mënyra sesi i qaset zoti Basha kësaj çështjeje dhe se si herë pas herë shkon pas çështjeve që i hap zoti Rama në mënyrë artificiale. Mjafton të shikojmë seancën e shkuar në Parlament ku pati një duel të gjatë mes dy udhëheqësve. Dukej sikur Saimir Tahiri, policët dhe Vangjush Dako ishin të Partisë Demokratike dhe jo të Partisë Socialiste, sepse i tillë ishte disniveli i debatit”, – është konstatimi i Patozit.

“Unë prisja që PD të bënte diferencën. Dhe këtu është i gjithë problemi, që ne sot përballë publikut ngjajmë si dy “boksierë të lodhur” që asnjëri nuk ka fuqi të godasë tjetrin, për shkak se publiku ende nuk është i bindur që Lulzim Basha dhe lidershipi i tij do të bëjnë një gjë ndryshe, nëse do të vijnë nesër në pushtet. Dhe ky është problemi që kemi në sot, prandaj dobësia e qeverisë nuk reflektohet në forcim të opozitës”, – thotë ai.
E ndërsa prek krizën e brendshme në Partinë Demokratike, e cilëson farsë analizën në degë, një analizë që grupi i tij e pat kërkuar direkt pas humbjes së 25 qershorit.

“Ky është një proces fals, siç ishte fals dhe zgjedhja e kryetarit të partisë. E ashtuquajtura analizë ka dhe një nonsens logjik sepse nuk mund të ketë analizë pas zgjedhjeve për kreun, pra pas faktit. Analiza që të kishte kuptim duhej bërë para se të zgjidhej kryetari. Por duke qenë një proces fallco, Lulzim Basha ka marrë vendimin që të bëjë sikur po bën analizë dhe në fakt kjo po reflektohet… dhe unë e them me përgjegjësi të plotë, se e ashtuquajtura analizë në degët e Partisë Demokratike është një farsë. Shumica e njerëzve që janë ngarkuar për të bërë këtë analizë nuk po paraqiten fare dhe në shumicën e takimeve nuk shkon as gjysma e atyre që do të duhej të ishin. Kjo është një lloj braktisjeje e farsës së analizës që po zhvillohet në Partinë Demokratike, ndërkohë që reformimi është nevojë jetike e saj”, – deklaron Patozi.
Duke qenë se nuk ka asnjë reagim zyrtar për platformën e Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike, Patozi thotë se do të dalin në bazë, por nuk e ka me ngut.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të jemi dhe në të ardhmen me të gjithë strukturat e Partisë Demokratike, me të gjithë demokratët që e mendojnë si ne, që PD duhet të bashkohet dhe duhet të ringrihet. Platforma është në fuqi, është në tryezën e Partisë Demokratike dhe Lulzim Basha sot ngjason me atë të sëmurin, i cili ka gjetur si zgjidhje që të mos shkojë tek doktori, se po shkoi, doktori do t’i thotë që, ti je keq. Por sëmundja ndërkohë vazhdon, shkon apo nuk shkon tek doktori. Pra, ai duhet të zgjidhë problemin me sëmundjen, duhet të shërojë sëmundjen. Është përgjegjësi kryesor. Ne nuk e kemi presionin e kohës. Pse? Ne kemi bërë tonën. Detyrimi jonë për t’u dalë përballë demokratëve ishte që ne të paraqisnim një zgjidhje, një alternativë që do të çonte në bashkimin, në ringritjen e Partisë Demokratike. Kemi bërë detyrën tonë”, – deklaroi ai.
Kur pyetet se pse është distancuar Jozefina Topalli ndërsa Edi Harxhi ka paraqitur projekt-ndryshime për statutin, të cilat ai nuk është se i ka mbështetur, Patozi thotë:

“Unë kam respekt dhe vlerësim për çdo kontribut të çdo anëtari dhe çdo grupimi brenda Partisë Demokratike që synon ta shërojë këtë parti nga kjo sëmundje e gjatë. Por unë jam i detyruar të them që nuk i shikoj ndryshimet në statut si mënyrën për zgjidhjen e problemit. Pse? Ne me Lulzim Bashën nuk ndahemi për nene statutore, nuk jemi ndarë për nene statutore. Jemi ndarë për një koncept, mënyrën e drejtimit të Partisë Demokratike.
Ai ka konceptin që Partia Demokratike është një ndërmarrje private, e cila drejtohet dhe në mënyrë tribale po të doni. Ne kemi konceptin tjetër, që një parti politike moderne drejtohet ndryshe. Kjo është ajo që na ndan dhe e vetmja mënyrë që mund të na bashkojë është vota. Ne nuk duam që të merremi vesh me Lulzim Bashën përmes një pazari. Së të biem dakord për ndryshime statutore është që t’i japim një amnisti atij dhe t’i japim një mundësi që pas 4 viteve, në rast se ai do t’i përmbahet statutit të rrimë në mëshirën e Lulzim Bashës.

Ne nuk ia lejojmë vetes këtë sepse dhe nëse ne do kishim luksin ta prisnim 4 vjet të tjera, Lulzim Bashën, demokratët nuk i kanë asnjë borxh që ta presin. Se ne e kishim statutin dhe ai e shkeli. Atëherë si mund ta rregullojmë ne këtë marrëdhënie përmes ndryshimeve statutore, duke pasur parasysh se ai mund ta shkelë prapë. Ti mund të bësh statutin më të mire në botë të një partie politike të djathtë, moderne dhe ai ta shkelë prapë. Pra e vetmja mënyrë që të mund të riparohet ajo që ka ndodhur në PD është vota dhe vetëm ajo mund t’i bashkojë demokratët, sepse ajo është garancia që PD do të ikë larg drejtimit personal dhe larg keqmenaxhimit të saj”, – tha ish-nënkryetari demokrat.

Pyetjes nëse ai po ndërton një strategji me disa hapa të caktuar deri në fund të vitit, kur të paktën zyrtarisht janë zgjedhjet, apo do të shkëputet dhe do të krijojë një lëvizje tjetër?

“Jo. Jo. Për sa kohë nuk ka një përgjigje të prerë, megjithëse ka një përpjekje për ta injoruar dhe për ta lënë të ftohet platformën tonë, ne sigurisht që rezervohemi të ndërmarrim hapa radikalë apo hapa të mëtejshëm. Por, e ritheksoj që është Lulzim Basha në presionin e kohës dhe jo ne” – deklaroi ai.

Astrit Patozi dhe Ridvan Bode me disa firmëtarë të tjerë shpallën që në fillim të tetorit platformën e tyre. Një ndër pikat kryesore ishte përfshirja e partisë në zgjedhje nga baza deri tek kryetari për një periudhë 9 mujore. Demokratët duhet të ishin në përfundim të analizës aktualisht, e cila nuk ka marrë vëmendje mediatike, për shkak të shpërthimit të çështjes Tahiri.



3 Comments

  1. Ajo që të tërheq vëmendjen ështe fakti se Lapsi ka rekomanduar për lexuesit e tij 12 “lajme” qe lidhen me emrin e Patozit. Ndërkaq ky zotërija, ndonëse ka qenë “nekryetar i PD” sic përmendet në këto lajme, e bile edhe gazetar me profesion, ështe politikani më anemik i PD që shumë pak i është ndjerë zeri sa ishte në krye të kësaj partie.
    Protagonist i mediave përgjithësisht të majta shqiptare, Patozi na u bë vetëm kur ra nga dega sëbashku me grupin e “të pakënaqurve” të tjerë.
    Paradoksalisht Patozi akuzon Bashën se bën një opozitë anemike ndaj kundërshtarit politik dhe si nisje të “kritikave” për Bashën, hedh në treg një sajesë të pa vërtetuar se ai u zgjodh në krye të partisë, jo me vota demokratike. Ishte skandaloze pretendimi i Patozit kur në zgjedhjet e fundit për liderin e PD, vuri kushtin që ai do të vinte kandidaturën vetëm nëse Basha si “armik” i tij personal, duhej të hiqej nga “lista”
    Kjo kërkesë e tij ishte jashtë jo vetëm çdo kriteri demokratik, por edhe atij llogjik
    Në fakt kërkesa e tij e marrzishme, ishte një dëshmi e komplekseve të tij të inferioritetit ndaj Bashës.
    Askush nuk ja pat ndaluar Patozit apo cilitdo nga “të pakënaqurit” në PD, pas humbjeve në zgjedhjet e 2013-tës, që të vinin kandidaturën për lider të ri të PD. Përse villnin vrer kundër tij pa pasur kurajon që të konkuronin me te ? Thjeshtë për një xhelozi primitive karrieriste personale e jo për parime demokratike apo “statuse të shkelura”
    Cfardo që të thonë sot “të pakënaqurit” si Patozi, në antarësinë e gjërë e tek simpatizantët e PD, në shumicë absolute ishte krijuar bindja pas dorheqjes së Berishës, se në krye të PD më i përshtatëshmi për të marë stafetën e liderit ishte ministri më i suksesshëm i qeverisë Berisha, Lulzim Basha Ai i plotësonte të gjitha kriteret e liderit.
    Një politikan i ri me formim perendimor, jurist në profesion, një kusht që e bënte të dallonte nga kolegët e tjerë, e një ministër energjik që në të tre dikasteret që drejtoi, padyshim falë meritave të tij, qeveria Berisha realizoi arritje të ndjeshme si në politiken e jashtëme, edhe asaj të mbrendëshme.
    Per cfarë ishte “shquar” Patozi si “nënkryetar i PD” që mund ti bënte karshillëk Bashës ?
    Ka edhe dicka tjetër që dëshmon kontrastin e performancës se Bashës me ate të Patozit.
    Dihet që në luftën politike, majtistët e përqendrojnë luftën e tyre të paprinciptë, pikërisht ndaj kundërshtarëve më të aftë politikë. Pas Berishës, politikani më i sulmuar në Shqipëri nga socialistët ka qenë pa dyshimin më të vogël Lulzim Basha.
    As i binte në mend lehësve të PS që të mereshin me hiçin “nënkryetar” të PD, Astrit Patozi, një deputet anemik as mish e as peshk. Historia e Patozit, është një histori e përsëritur e një “nënkryetari” tjetër të PD, Bamir Topit.
    Bamiri edhe pse ishte po aq anemik në PD si Patozi, fati ja solli që të piketohej si president. Se çfarë ndodhi më tej me Bamirin, nuk ka nevojë që të zgjatem.
    Nuk erdhi puna qe Patozit si Bamirit, ti zbulohej publikisht vota e fshehtë për Edi Ramën.
    Por ama Patozi me grupin e “të pakënaqurve”, i bënë Ramës një shërbim më të madh se vota e fshehtë e Bamirit.
    Tashmë është vërtetuar plotësisht se Rama pjesën më të madhe të votave, e siguroi me paratë e kanabisit, ama atij i erdhi një ndihmë nga ku nuk e priste.
    Ishin Patozët e rënë nga dega, që çoroditën një pjesë të madhe të elektoratit demokrat, duke i bërë PD një dëm shumë të madh me mospjesmarjen e tyre në votime.
    Duhet pranuar për fat të keq, se shoqeria shqiptare është dyshuese e lehtësisht besuese ndaj propogandave mediatike. Pothuajse të gjitha mediat shqiptare të kapura nga Rama, shfrytëzuan deklaratat e grupit të Patozit, për të sulmuar PD e liderin e saj Basha. Ne mediat shqiptare gjatë fushatës elektorale, bile më shumë se prapogandat e socialistëve, zunë vend intervistat bajate me Patozin, Bregun apo të tjerë të “pakënaqur”. Kjo histori po vazhdon edhe pas “fitores publiçitare” alla Tërmet Peçi të kanabistëve “rilindas”.
    Shoh që në studiot e televizioneve shqiptare, thirren vec sharllatanëve si Spartak Ngjela, Muç Nano, Baton Haxhiu etj, edhe “de facto” kolegët e tyre si Patozi e paradoksalisht deri edhe Jozefina Topalli që nuk mund të përfytyrohej para disa vitesh, që t’ju mbante iso këtyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *