• |
ide | kryesore

Del dokumenti/ Kush e zhduku aktin origjinal të shpalljes së Pavarësisë

Dossier



Ai që ka pasur i fundit dokumentin origjinal të shpalljes së Pavarësisë ka qenë Lef Nosi. Pas arrestimit të tij nga komunistët ky dokument u zhduk dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Sipas historianit dhe njëherësh ish-kreut të arkivave në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi dokumenti ka humbur në vitin 1948 në kohën kur arkivi i tij u mor për tu kontrolluar nga njerëzit e Enver Hoxhës.

“Gjatë kohës së luftës, mendjendrituri Lef Nosi dy arka me dokumente të çmuara të historisë së Shqipërisë, përfshi edhe dokumentin e pavarësisë i vendosi në kasafortën e Bankës së Shqipërisë. Lefi i frikësoj dëmtimeve të mundshme që mund të sillte koha që po vinte. Megjithatë, për të zezën e Shqipërisë, komunistët erdhën në pushtet. Krejt pa përvojë në punët e shtetit, amatorë të rrezikshëm, shkatërruan një pjesë të madhe të madhe të arkivave, duke shkaktuar ndër të tjera edhe një katastrofë e një dëm të pariparueshëm në trashëgiminë historinë të vendit.

Dy arkat e rëndësishme të Lefit, deri në vitin 1948 qëndruan në Bankë. Më pas u morën dhe u kontrolluan nga njerëzit më të papërshtatshëm për dokumente, oficerët e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të cilët mendjen e kishin te “koha e gjermanit”, se Shqipëria tjetër as që ekzistonte për ta. Njëra nga arkat është gjetur e thyer sepse ishte kontrolluar për koleksione pullash. Në raportin përkatës, ndër të tjera thuhej:

“Mbasi u sollën në Drejtori, u fillua nga kontrolli i imët për të mundur gjetjen e dokumenteve të ndryshme si korrespondenca të regjencës me okupatorin nazist dhe organizatat antipopullore Balli e Legaliteti, të regjimeve fashiste, që të faktonim qëndrimin dhe punën e aparateve kuislinge, organizatave antipopullore e okupatorëve të ndryshëm kundër interesave të vendit e popullit tonë. Të tilla dokumente gjatë kontrollit nuk u gjetën”. 

Dokumentet më të rëndësishme kishin të bënin me studimet e Lef Nosit, çështjen e kufijve të Shqipërisë, konferencën e ambasadorëve, Luftën e Parë Botërore, harta topografike të Shqipërisë, etj, etj. Po ashtu, sipas procesverbalit, në arkat gjendeshin edhe “dokumente mbi shpalljen e independencës dhe zgjedhjen e qeverisë së përkohshme më 1912”. 

Është provuar ekzistenca e dokumentit brenda institucioneve shtetërore në vitin e festimeve të 50-vjetorit të pavarësisë. Më pas, kalon në një procedurë “dhurimi” aspak normale, por gjithsesi brenda Shqipërisë (rezervohem momentalisht për më shumë se kaq). Shtetit shqiptar si pasojë e mosvlerësimit fare të arkivave, i kanë humbur dokumente shumë të rëndësishme të jetës së tij. Sjellja e shtetit komunist ndaj Lef Nosit, dokumenteve dhe arkivistëve, nuk ndryshon fare edhe në ditët tona. Shteti jonë i propagandës i përngjan një altoparlanti të ndryshkur brenda, por të lyer me bojë të kuqe përsipër, i cili as që do ta njohë e ta shohë në çfarë katastrofe ndodhet rrjeti arkivor i vendit.

Mjafton që të ngrejë komitete e autoritete kot më kot, por kurrë arkivat që i duhen një shteti. Mosadministrimi i dokumentit të pavarësisë është simbolika më e hidhur e gjendjes administrativo-arkivore të shtetit shqiptar. Sigurisht tashmë nuk çuditem fare, sepse kur marr vesh sesi humbin dokumente sot nga injoranca e mendjemadhësia, çfarë të them për atë kohë. Defektet vazhdojnë.



1 Comment

  1. fillim dhe mbarim kete 100vjecare ,komunizmin ,pasojat dhe pegjegjsit zhberjen e tije pa diskutim qe koha do ti paketojne me fakte dhe cmimin qe meritojne, padrejtesise dhe barteseve te tije krijuesi saje nuk i ka caktuar fitore edhe nese u duk si e tijlle ajo ishte e perkoheshme por jo pa fund ,padrejtesise barteseve te saje zoti i mallerishem i caktoj ndeshkim ne dy botet sikurse drejtesise ,bartesve te saje ju ka caktuar shperblim ,ne dy botet per keto zoti botnave ka llene garanci ,ai e din se si do zhbehet dhe prej kujte dhe si do ta kene fundin ,rujna zot nga padrejtesia dhe ndeshkimi tije zot na meshiro zot na ullezo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *