• |
ide | kryesore

Akuza e PD e shpjeguar/ Dy vendimet antiligjore të Gramoz Ruçit për kapjen e drejtësisë

Lajme, Të fundit

Partia Demokratike akuzoi Kryetarin e Kuvendit se po shkel Kushteutën për hedhjen e shortit të zgjedhjes së 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të gjithë nga gjykatat dhe prokuroria.
Dy argumentat kryesorë të Partisë Demokratike janë heqja nga Gramoz Ruçi e kritereve ligjore për të qenë kandidat dhe mungesa e dy organeve më të rëndësishme të qeverisjes së drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në letrën që Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i dërgoi Kreut të Kuvendit dhe për dijeni ambasadorëve, thuhet se Ruçi i ka shmangur 8 kriteret e ligjit për të qenë kandidat, sepse shumë pak prej tyre përmbushin njërin prej kushteve, kryerjen e Shkollës së Magjistraturës.
Ky ishte kriteri për të cilin një vit më parë, nisi lufta e hapur mes ambasadori amerikan, Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai u akuzua prej ambasadorit se po pengonte reformën në drejtësi, duke sjellë po aq kandidatë sa vende vakante i takonin prokurorisë. Në 2 shkurt 2017, Adriatik Llalla sqaroi se vetëm kaq kandidatë plotësonin 8 kriteret ligjore, përfshirë edhe Shkollën e Magjistraturës. Kryeprokurori e akuzoi ambasadorin amerikan se po kërkonte të zbatonte projektin sorosian për reformën në drejtësi, që do të thoshte se po punonte që qeveria të merrte nën kontroll drejtësinë.
Gati 1 vit më pas, Kryetari i Kuvendit i ka shmangur të gjitha kriteret ligjore për kandidatët, përveç njërit, atë që të mos kenë masë disiplonore. Zbatimi i vetëm këtij kriteri e zgjeron rrethin e kandidatëve. Kjo sipas arsyetimit të Partisë Demokratike krijon mundësinë që Partia Socialistë të përfshijë në short në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese gjyqtarë dhe prokurorë nën kontrollin politik apo që mund t’i intimidojë me procesin e vettingut.
Për të rrëzuar procedurën e nisur nga Gramoz Ruçi, Partia Demokratike ka përdorur një argument tjetër, edhe më interesant. Sipas PD, shorti për KED nuk mund të hidhet sipas dispozitave kalimtare, me fuqi të përkohshme. Ato u zbatuan, kur KED u ngrit për herë të parë, në janar 2017, dhe kjo duhet të ishte hera e vetme e zbatimit të tyre. Për ta përforcuar këtë argument, PD i referohet letrës së shkurtit 2017, për të njëjtën çështje të ish kryetarit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj. Atëherë Xhafaj thoshte se “Në momentin që përmbushet rregullimi i parashikuar në dispozitën kalimtare, ajo bëhet e pazbatueshme për të ardhmen”.
Nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë do të ishin ngritur sipas kërkesës kushtetuese, që në Prill 2017, ky konflikt nuk do të ekzistonte. Nuk do të ekzistonte as konflikti për Prokurorin e Përgjithshëm. Këto dy organe menaxhojnë propozimet si për kandidatët e KED, ashtu edhe për Prokurorin e Përgjithshëm. Këto dy organe, më të rëndësishmet e sistemit të drejtësisë, nuk janë ngritur akoma, sepse mungon një kandidat nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Një arsyetim i çuditshëm, kur për reformën në drejtësi, shoqëria civile bëri protesta dhe organizoi mbledhje firmash publike në mbështetje të reformës.
Mungesa e KLGJ dhe KLP i lejon partisë në pushtet të veprojë në mjegull kushtetuese, duke e patur më të lehtë të kontrollojë procesin për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, për zgjedhjen e anëtarëve të KED, që vlerëson anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Dhe, mbi të gjitha, duke shtyrë pa fund ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, partia në pushtet shtyn ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të përcaktuara për luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve më të lartë shqiptarë.© Lapsi.al

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu