• |
ide | kryesore

Erion Veliaj shpjegon diferencën mes Tiranës dhe asaj që ndodhi në gjithë Shqipërinë me përmbytjet

Lajme, Të fundit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vuri në dukje sot dallimin mes asaj që ndodhi me përmbytjet në të gjithë Shqipërinë dhe rezistencës që i bëri kryeqyteti reshjeve të shiut. Veliaj përmendi eksperiencën negative me përmbytjet në disa nga zonat e njohura në kryeqytet, por që kësaj radhe nuk shfaqën asnjë problem.

“Unë besoj që në historitë e fundit që ndodhën, pikërisht se filluam t’i diskutonim këto gjëra vjet, shkuan shumë më mirë sivjet. Disa histori si e famshmja zona e Don Boskos, ura e Shkozës, e famshmja Pallati me Shigjeta, Lana që fryhej e tejfryhej, lumi i Tiranës, njësia 4, njësia 8, njësia 9, fatmirësisht ecëm shumë shpejt me ato projekte”, deklaroi ai.

Ndryshe foli kryebashkiaku për situatën në të gjithë vendin. Dëmet e përmbytjeve në Shqipëri, Veliaj i shpjegoi me“shpërdorimin kolektiv të natyrës këto 27 vite”.
“Në dy vitet e para kemi kaluar fazën e emergjencave dhe shumë prej problematikave që kemi pasur në Tiranë, por tani nuk na falet më. Besoj që konteksti tjetër ka të bëjë me situatën që sapo kaluam në Shqipëri, që ka të bëjë me situatën e përmbytjeve dhe herë pas here, edhe kur ne mendojmë që është nën kontroll, natyra na jep një shkundje të fortë për të thënë, jo, në fakt këto gjëra që ju bëtë për 27 vite nuk harrohen kaq kollaj dhe besoj që asnjë prej nesh nuk është naiv dhe të mendojë që kjo është vetëm produkt keqmenaxhimi. Ky është një shpagim, një hakmarrje e natyrës për një shpërdorim kolektiv që i kemi bërë natyrës këto 27 vite. Këtu nuk është momenti për të vënë gishtin kush ka faj më shumë, por besoj si komb kemi përveshur mëngët dhe i jemi hakërryer natyrës dhe vetëm sot po kuptojmë se si natyra po na kthen hakun”, u shpreh Veliaj.
Shifrat zyrtare të emergjencave civile dëshmuan se dëmet nga përmbytjet këtë vit ishin më të mëdha se në vitin 2015. Socialistët janë në mandatin e dytë qeverisës, dhe po hyjnë në vitin e pestë të qeverisjes.©Lapsi.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu