• |
ide | kryesore

Koncesioni i skanimit përplas Ballën me Berishën

Lajme, Të fundit



Carson Block, themelues i “Muddy Waters Research”, i cili ka denoncuar praktika mashtruese të kompanive ndërkombëtare dhe basteve në bursë deklaroi në “Bloomberg” se kompania OSI Systems është e “në thelb e kalbur” dhe ofroi si argument kontratën koncesionare të fituar në Shqipëri. OSI Systems është kompania mëmë e fituesit të koncesionit të skanimit të kontenierëve në Shqipëri, Rapiscan Systems Inc.
“Kemi prova të pamohueshme se disa vite më parë, kur kompania fitoi një kontratë në Shqipëri me vlerë nga 150 deri në 250 milionë USD, ata paguan një rryshfet me thuajse gjysmën e atij koncesioni. Për mua kjo është një provë e qartë,” – deklaroi Block.
Deklarate e Kreut te Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla: Televizioni amerikan “Bloomberg”, rrjeti më i madh i financave në botë dhe më pas media të tjera amerikane konfirmuan një skandal të madh korrupsioni, të cilin ne e kemi denoncuar prej ditës së parë.
Pas kësaj deklarate reagoi menjëherë kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla. Sipas tij investigimi i “Bloomberg” ka zbardhur edhe skemën e ryshfetit.
“OSI Systems/Rapiscan, me qendër në Kaliforni, ka marrë nga Sali Berisha një kontratë prej 250 milionë dollarësh; dhe vetëm disa muaj më pas shiti 49% të aksioneve tek një kompani fantazmë shqiptare. Vlera e aksioneve, me vlerë 122.5 milionë dollarë, u shit tek kompania e lidhur me Sali Berishën për vetëm për 4 dollarë. Sipas punonjësve të OSI Systems, të cituar, gjysma e 250 milionë dollarëve të kontratës së lidhur midis shtetit shqiptar dhe kompanisë amerikane iu kalua në formë ryshfeti ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe të afërmve të tij, deri në vitin 2013. Provat janë mbi tryezën e Prokurorisë prej vitit 2013. Tashmë, ato po bëjnë edhe xhiron e botës duke dëmtuar rëndë imazhin ndërkombëtar të vendit. Pas këtij denoncimi të ardhur nga SHBA, presim që Prokuroria të fillojë të bëjë detyrën e saj” – thotë Balla.
Akuzave të Ballës, Berisha u është përgjigjur me një deklaratë të zëdhënëses, Erla Mehilli.
“Nën panikun e skandaleve te droges, Rama detyron deputeten e tij dhe narko-trafikanin Balla te dalin dhe te gënjejnë edhe pse zoti Berisha nuk përmendet në asnjë rresht të medias Bloomberg. Sherbimi i skanimit eshte dhene permes nje gare te hapur dhe eshte fituar jo nga nje fantazme por nje kompani amerikane, lider ne bote e prodhimit te skanerave te cilesise se larte, me qellim luften pa kompromis ndaj terrorizmit dhe trafikut te droges” – thuhet në deklaratën e Berishës.
“Procedurat e ndjekura nga qeveria Berisha ne rastin konkret, kane qene ne perputhje me ligjin, kane nxjerre fituese me gare nje kompani lider ne profilin e saj me fame nderkombetare dhe ky sherbim eshte provuar si teper i vyer ne luften ndaj droges, pavaresisht perkushtimit familjar te Rames dhe ministrit te rendit per trafikimin e saj. Pas ardhjes ne pushtet, Edi Rama, ne nje akt te pare anulloi kontraten e miratuar ne parlament me kete kompani. Por pak muaj me vone ai anulloi vendimin e tij dhe kompania vazhdoj punen. Ne kontrate u bene ndryshime qartesisht te disfavorshme per palen shqiptare, por duket ne interes te Rames dhe klienteles se oligarkeve te tij” – thotë Berisha duke e mbyllur me fjalët: “Për te gjitha shpifjet, kryeshpifsi do pergjigjet para ligjit!”

Historiku
Rapiscan Systems Inc. me bazë në Kaliforni dhe kompania bijë e regjistruar në Shqipëri, S2 Albania fituan një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Pak muaj më vonë, në shtator 2013, Rapiscan Systems Inc. shiti 49% të aksioneve të kompanisë koncesionare te kompania shqiptare ICMS shpk., e cila zotërohet nga një mjek dhe sipërmarrës i quajtur Olti Peçini. Sipas kontratës së depozituar në QKR, shitja e 49% të aksioneve u bë për vetëm 490 lekë.
Në opozitë, Partia Socialiste e denoncoi koncesionin e skanimit si aferë korruptive të qeverisë “Berisha” dhe me të ardhur në pushtet në vitin 2013, nisi procedurat për prishjen e kontratës por u përball shpejt me një padi në arbitrazh.
Qeveria “Rama 1” kontraktoi studion ligjore Omnia Strategy të Cherie Blair për të përgatitur mbrojtjen kundër Rapiscan, por pasi e pagoi me 645 mijë euro në total, pranoi këshillën e zonjës Blair për ta zgjidhur me marrëveshje konfliktin.
Më 5 qershor 2015, Këshilli i Ministrave dorëzoi në Kuvend marrëveshjen e rinegociuar të koncesionit duke deklaruar se vlera e kontratës ishte ulur nga 316 milionë në 210 milionë euro. Relacioni që shoqëron projektligjin shpjegon se kompania Rapiscan fitonte përmes kontratës së mëparshme 39 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa me marrëveshjen e re përfiton 5 euro për deklarata doganore deri në 1 mijë euro dhe përtej kësaj vlere, taksa shkon 22 euro për deklaratë doganore.
Në një shkrim të gjatë të tij BIRN shkruan se në bastin e luajtur nga Black kundër kompanisë OSI Systems, akuza për shitjen e 49% të aksioneve në Shqipëri përbën bazën kryesore. Një raport i detajuar i kompanisë së tij “Muddy Waters Research”, të cilin BIRN e disponon, thekson se “korrupsioni në kontratën koncesionare të vitit 2013 në Shqipëri është më i dukshëm se një shishe 3-litërshe me shampo në valixhen e udhëtimit”.
“Koncesioni llogaritet se ka një vlerë nga 150-250 milionë USD. Megjithatë, ose duket se OSI Systems e vlerëson atë me 9 USD, ose ata me gjasë kanë korruptuar dikë duke i dhënë gjysmën e kontratës për 4.50 USD”, – shkruan raporti.
“Ne na rezulton se transferta nuk pasqyrohet në llogaritë e OSI Systems, nuk ka zbritje të interesave të paketës jo-kontrolluese në pasqyrën e të ardhurave dhe në dokumentet e ofertës së bonove të vitit 2017 e shfaqin degën [në Shqipëri] si 100 për qind në pronësi të OSI Systems,” – shtohet aty.
Përtej kësaj analize financiare, raporti i “Muddy Waters Research” është më tej i mbushur me një pasqyrë të akuzave politike në Shqipëri, raportimeve mediatike mbi koncesionin e skanimit si dhe dokumente dhe ekstrakte të shkarkuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, QKB.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *