Abuzimet dhe ngacmimet seksuale ngrihet komisioni “Hollywood”-ian për luftimin e tyre
Përfaqësuesit më të lartë të industrisë kinematografike të “Hollywood”-it e të medieve kryesore amerikane, nën udhëheqjen e producentes së “Star Wars”, krijuan një komision kundër ngacmimeve seksuale dhe për nxitjen e barazisë në vendin e punës.
Ai do të kryesohet nga Anita Hill, gruaja që guxoi të sfidonte pushtetin e Uashingtonit. Ishte ajo që prezantoi publikun me konceptin e ngacmimeve seksuale, kur dëshmoi në vitin 1991 kundër Clarence Thomas, në seancën e Senatit ku ai do të konfirmohej si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
“Është koha t’i jepet fund kulturës së heshtjes”, tha Hill në një deklaratë. “Ky moment na jep një mundësi të pashembullt për të sjellë ndryshime reale”.
Nismëtare është Kathleen Kenedi, presidente e “Lucasfilm” dhe producente e filmave të suksesshëm të tillë si “E.T” dhe sagave “Star Wars” e “Indiana Jones”.