• |
ide | kryesore

100 ditët kur Ramushi po qeveris për “qefin e vet”

1, 2, Ide



Le ta themi lajmin e mirë në fillim të shkrimit: suksesi i parë i Ramush Haradinajt si Kryeministër është se nuk u arrestua në 100 ditët e para të qeverisjes së tij. Tash mund të marrim frymë shlirë dhe të fillojmë të analizojmë punën e tij, atë për të cilën ai është aty, pra punën e Kryeministrit.
Kishte mbetur si mit ai 100-ditëshi i parë i tij si Kryeministër, në vitin 2004, kur ishte detyruar që t’i linte shkresat e qeverisë në gjysmë për t’u përgjigjur në disa shkresa të tjera, ato të Tribunalit të Hagës.

Ka qenë shumë e vështirë në atë kohë t’i mbaje lotët kur e shihje Kryeministrin e vendit se me sa përultësi e patriotizëm i përgjigjej Tribunalit të Hagës, i shoqëruar nga bashkëshortja e përlotur Anita, që e mbante në krah Gjinin e vogël. Për disa momente ishte ndalur jeta në Kosovë. Mbështetësit dhe kundërshtarët e z. Haradinaj ishin bashkuar. Ditëve në vijim panotë reklamuese ishin pushtuar nga sloganet kreative në mbështetje të tij: Our prime has a job to do here.

Pasuesit e z. Haradinaj nga partia e tij, si Kosumi ashtu edhe Çeku, nuk ishin as afër përformancës së të parit. Prandaj, nuk ishte shumë e qartë a kishte rënë në sy për të mirë Haradinaj me punën e tij të vrullshme, a me sterilitetin e atyre që erdhën më pas.

Shumë ujë kaloi nën urë, shumë koalicione ndodhën, shumë tabu u thyen, deri kur u realizua ajo që konsiderohej e pamundshme: koalicioni PDK – AAK, që do ta bënte Haradinajn kryeministër. Për hir të së vërtetës, nisur edhe nga përvoja, dhuratat e PDK’së kurrë nuk janë ogur i mirë, qoftë ajo edhe pozita e Kryeministrit. Në këto 10 vjet në pushtet rruga prapa PDK’së është e mbushur me viktima. I pari ka qenë Presidenti Fatmir Sejdiu, të cilin Thaçi e la në një hendek, kuptohet politik. Pas tij, prapë Thaçi, arriti që ta fundoste në shifra mizerable një parti me ambicie, si AKR. PDK mungesën e moralit në politikë e kupton fjalëpërfjalshëm, prandaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe fundi i qeverisjes me Isa Mustafën. Ky i fundit, i përgjakur në shumë vende, arriti disi që t’u mbijetonte plagëve.

Kundër të gjitha gjasave, kur çdo gjë dukej e marrë fund, kur të gjithë ndiheshin në një formë të mashtruar, PDK e siguroi një kontratë të fundit, këtë herë me AAK’në. Se si ishte rezultati i zgjedhjeve dhe se si u zgjedh Haradinaj Kryeministër e kemi parë të gjithë. Për fije të perit. Sot e kësaj dite nuk e di askush se sa deputetë i ka në fakt koalicioni qeverisës. A janë 60 a 61? A është Teuta Rugova në koalicion a jo? A është Zafiri brenda a jashtë?

Si pasojë e kësaj paqartësie mund të themi që kjo është qeveria e parë në vend ku Kryeministri nuk ka bërë koalicion vetëm me partitë, por edhe me 60/61 deputetë. Secilit prej tyre i erdhi dita për të vënë kushte. Për t’i realizuar ato, partnerët u detyruan që aty ku ishte një ministri të bëheshin dy, të ndahej tregtia me industrinë, të ndahej mirëqenia nga socialja, aty ku ishin dy zëvendësministra të bëheshin hmmmm…. sa të ishte kismet. Edhe më tutje po numërojmë. Kemi arritur mbi 70.

Haradinaj nuk është që nuk e ka parë dhe nuk është që nuk ka qenë i vetëdijshëm për këtë bastardim të kabinetit të tij. Të papunët nga të gjitha cepat e Kosovës, dështakët e të gjitha zhanreve, shantazhuesit e llojllojshëm, u shumuan ashtu siç shumohet bari i magarit. Madje, një deformim i tillë ishte aq i skajshëm, aq komik, aq i pambrojtshëm, sa Haradinaj nuk mori as mundin që ta arsyetonte. Ironikisht kjo gjë ndoshta edhe i ndihmoi Kryeministrit në 100 ditët e para. Mediat dhe gazetarët u turrën drejt këtij problemi, sepse ishte më i thjeshtë dhe më i lehtë për t’u analizuar. Mjaftonte vetëm që t’i dije numrat deri në 100. Ky fenomen ishte, si të themi, një rrufepritës për Qeverinë Haradinaj. Çdo analizë për këtë qeveri fillonte e mbaronte rreth kësaj temë. Një gjë e tillë vërtet është serioze, por nuk është krimi kryesor për një qeveri. Mbipopullimi me zëvendësministra më shumë flet për një banalitet se sa për një dështim. Është si të themi një indikacion që tregon se raporti i forcave politike brenda qeverisë, është, thënë më së buti, primitiv. Çdo borxh i liderëve ndaj kryengritësve tribalë shlyhet me një pozitë të zëvendësministrit, e cila pastaj metastazon, në kurriz të buxhetit, edhe me një vozitës, edhe me një këshilltar, edhe me ca derivate. Të gjitha këto shpenzime fare lehtë do të mund të kanalizoheshin në probleme reale, si shëndetësi, arsim etj.

Në këtë pikë, koalicioni assesi nuk meriton notë kaluese. Në mënyrë jomeritore i ka ngritur në pozita të larta, individë, sigurisht jo të gjithë, që sipas të gjitha kritereve që ata i plotësojnë do të ngeleshin të papunësuar, sepse janë të papranueshëm. Ata janë të mirë për asgjë. Në mesin e tyre Gjergj Dedaj duket një profesionist i vërtetë. Në këtë mënyrë, përveç tjerash, është promovuar padituria, duke shërbyer si një shembull i keq për të gjitha ata të rinj dhe të reja që dëshirojnë të bëjnë karrierë politike në politikë dhe institucione.

Z. Haradinaj është një politikan mjaft i çuditshëm, posaçërisht krahasuar me paraardhësit e tij, qoftë z. Mustafa, ose edhe para tij z. Thaçi. Koncepti i tij për raportet me publikun është krejtësisht ndryshe nga ajo çfarë kemi parë për 17 vjet, madje duke i përfshirë këtu edhe ato 100 ditët e tij të para.

Ta zëmë, nëse unë do të ishte drejtor për komunikime me publikun në kabinetin e z. Haradinaj, do ta kërkoja një revole për të kryer vetëvrasje, kur ta kisha dëgjuar intervistën e tij në Interaktiv, kur flet për ahengun në Malishevë, në të cilin një zëvendës i tij shtie me revole për dritare.

Në fakt, këto javët e fundit, po të isha drejtor për komunikime i tij, do të isha detyruar të bëja vetëvrasje disa herë me radhë. Njëherë për intervistën në Interaktiv, njëherë për intervistën të Jeta Xharra, njëherë kur e dyfishoi pagën e tij, dhe të fundit herë, tash një vetëvrasje me eksploziv, kur bashkë me dyshen tjetër, Thaçi – Veseli, provuan ta përmbysin rendin juridik, duke e kaluar një ligj të vetëm, me të cilin do ta sfidonin edhe kushtetutën. Kuptohet, është fjala për ligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Pse i keni falë borxhet kompanive të ujit”, ishte pyetja e Jeta Xharrës, e cila e mori një përgjigje joserioze, një përgjigje të ftohtë, një përgjigje aspak dinjitoze, të llojit: “Për qef”.

Kur Xhema i Interaktivit e pyeste për gjuajtjet me armë, Haradinaj, kur të gjithë do të pritnin një përgjigje standarde, të llojit, do të presim hetimet policore, a diçka të kësaj natyre, thotë: “Edhe unë gjuaj, është në traditën tonë”. Në këtë moment, kur do të kishte thënë një diçka të tillë, po të isha unë këshilltar i tij, do të isha hedhur nga dritarja më e afërt.

Këto përgjigje nuk janë çfarë i mëson në shkollë. Mos më keqkuptoni, sepse nuk po them që nuk janë krejt përgjigje naive. Këto mund të janë të pamenduara, mirëpo në vetvete nuk është që nuk arrijnë efektin e duhur, për tjera arsye. Është shumë e vështirë të luftosh kundër tyre, nëse je gazetar.

Kur Haradinaj i thotë Jetës “për qef” i kam falë borxhet, është shumë e vështirë të motivohesh për t’i bërë pyetje shtesë. Çfarë pyetje shtesë mund t’i bësh? Kjo “i fala për qef” është përgjigje jokonvencionale. Asnjëri prej nesh nuk jemi të përgatitur për diçka të tillë. Nëse je gazetar dhe e pranon këtë përgjigje, nuk të mbetet asgjë tjetër pos ta mbyllësh intervistën, qoftë kjo edhe në pesë minutat e para, sepse ai i ka thënë të gjitha. Madje gazetari rrezikon të duket edhe pak qesharak, posaçërisht kur audienca është e nënkualifikuar. Patjetër që në këso rastesh, komenti më i shpeshtë nëpër oda të burrave është “hahahahah”. Përndryshe borxhet nuk falen “për qef”. Kjo është një përgjigje e gabuar.

Situatë e njëjtë është edhe te Xhema në Interaktiv. Haradinaj në krye të herës e vret elanin e gazetarit për ta zënë në ngushtë kryeministrin. Askush nuk mund ta paramendojë një përgjigje të tillë jostandarde, si “edhe unë gjuj”, ose “është në traditën tonë”.

Për këto arsye Haradinaj është më ndryshe. Në situata të njëjta, i përballur me pyetje të njëjta, Thaçi do të manovronte sa poshtë lartë për t’i ikur pyetjeve, duke mos e ofenduar asnjërën palë. Isa Mustafa, në anën tjetër, do të thoshte që kjo është punë e organeve të rendit, kurse për faljen e borxheve do të angazhohej të arsyetohej si ekonomist. Kurse Haradinaj thotë “për qef” dhe “edhe unë gjuj”.

II

Prilli bën çfarë t’i teket. Kjo është një idiomë gjermane, për të përshkruar motin e ndryshueshëm në muajin prill. Në mëngjes mund të bjerë borë, kurse dikur mund të ndryshojë në shi, e fare në fund mund të kemi ditë të bukur me diell. Askush nuk mund të garantojë për këtë muaj.

Ramushi është sikur muaji prill. Ai është në gjendje të përfundojë një projekt që kishte ngecur me dekada, kurse dikur pasdite, befasisht, ta rrisë pagën e tij.

Mënyra e punës së Haradinajt, algoritmi i tij, do të konsiderohej krejtësisht e papranueshme në dy-tri dekadat e kaluara, mirëpo jo edhe në 5-6 vjetët e fundit.

Bumi i rrjeteve sociale, që në masë të madhe i ka eliminuar mediat si ndërmjetësues në mes të politikës dhe qytetarëve, u ka mundësuar politikanëve si Haradinaj, që në sytë e publikut shpeshherë të duken origjinalë dhe popullorë, për dallim prej politikanëve, ta zëmë, si z. Thaçi, që janë artificialisht të konturuar, që çdo deklaratë të tyren e matin me vota, me politikë ditore, duke e vrarë mendjen se çfarë do të thoshin qytetarët për të.

Kështu Haradinaj nëse nuk mërzitet shumë për faljen e borxheve, të cilën thuhet se e ka bërë në mënyrë krejtësisht spontane. Sipas një burimi, Haradinaj kur ka qenë në takim me prodhuesit e ujit i ka telefonuar ministrit të Financave, Bedri Hamza, e ka lëshuar bisedën në interfon, dhe e ka pyetur atë në prezencën e biznesmenëve: “A është problem i madh nëse ua falim borxhet?”. Haradinaj, ka treguar burimi, i ka treguar Hamzajt që është në takim me prodhuesit, në momentin kur po fliste.

Një reagim i tillë do të ishte i paimagjinueshëm edhe për Mustafën, edhe për Thaçin, por edhe për shumicën e politikanëve të tjerë. Haradinaj nuk jeton brenda këtyre kornizave. Ai nuk mërzitet shumë as kur flet për gjuajtjet me armë, as kur i fal borxhet pa u menduar shumë, mirëpo ai me po këtë energji i përfundon edhe shumë punë të tjera, që paraardhësit e tij të kujdesshëm nuk do t’i përfundonin kurrë.

Kështu, për shembull, Haradinaj arriti që në një kohë rekord, për këtë edhe u duartrokit, ta finalizojë projektin “Kosova e Re”. Ky projekt po shëtiste, pothuajse qe 10 vjet, nga një zyrë në një tjetër, nga një zyrtar i lodhur te një tjetër, derisa arriti në dorën e kryeministrit Haradinaj. Nuk kam njohuri se si e ka trajtuar, nuk e di edhe a ishte e gjitha në përputhje me procedurat e parapara, mirëpo e di që bëri mirë që i dha fund, duke i hapur një perspektivë të re ekonomisë së vendit tonë, e gjithashtu duke e shndërruar Kosovën në lajm të mirë në mediat më të fuqishme botërore se po zhvillohet këtu një projekt në vlerë disa miliardë euro.

Me energjinë e një demi të fuqishëm, kryeministri Haradinaj u qaset edhe problemeve të tjera ditore.

Gjatë këtyre 100 ditëve ai e ka takuar këdo që ka pasur një hall dhe ka dashur ta takojë kryeministrin. Sa ka takuar njerëz Haradinaj për 100 ditë, ka mundësi që Thaçi e Mustafa nuk i kanë takuar për katër vjet.

Përparësi e Haradinajt është që nuk frikësohet prej përballjeve, sado të ndjeshme që mund të jenë ato. I kësaj natyre ishte edhe reagimi i tij kur në sheshin para Qeverisë kishin ardhur për të protestuar familjarët e Grupit të Kumanovës, të dënuar tash së fundmi në Shkup me disa qindra vjet burg. Derisa Haradinaj ende nuk kishte dalë para tyre në shesh, aty dëgjoheshin parulla për tradhti. Ato pushuan sapo kryeministri iu doli përpara. Madje, ai shkoi aq larg sa i thoshte njërit që po vazhdonte të fliste nga prapavija, që t’ia tregonte fytyrën sepse nuk po e shihte mirë.

Me të njëjtën logjikë, këtë të përballjes, Haradinaj e kishte trajtuar, e edhe zgjidhur, rastin “Rikallo”, që shumëkush priste që do të shndërrohej në një kauzë të rrezikshme antiqeveritare. Me dy-tri polemika direkte, me dy-tri gjysmëpërgjigje e gjysmëkërcënime, Haradinaj e “palosi” Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë mënyrë ai arriti, që përveçse ta fitonte betejën “Rikallo”, të parën serioze, t’i bëjë për vete edhe deputetët serbë, të cilët e panë Haradinaj si një partner serioz, që nuk e kthen kokën në anën tjetër, sapo të shfaqet vështirësia e parë. Xhelal Sveqlës, në këtë betejë, nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveçse të lutej për më shumë fat në herat e tjera.

Gjithashtu, Haradinaj e kishte hapur derën e tij edhe për familjen Dehari, duke ia mundësuar çdo gjë që kishte në dispozicion për të zbardhur rastin e vdekjes tragjike të djalit të tyre, Astritit, në burgun e Prizrenit. Është pozitive kur lideri i një vendi tregon gatishmëri për t’u përballur me raste të këtilla, që shumë prej nesh do të donim t’i shmangnim. Në këtë mënyrë ai e heq prej dorës së abuzuesve me fatkeqësi një mundësi për të përfituar prej saj.

*

Qeveria “Haradinaj”, nga ajo çfarë kemi parë deri më tash, ka qenë pothuajse një “one man show”. Në radarin e publikut ka qenë kryeministri. Roli i ministrave që ishte shumë i rëndësishëm në Qeverinë “Mustafa”, tash është minimizuar më shumë në rol të këshilltarëve të dikastereve të caktuara, të cilët paraqiten në krah të shefit të tyre të Qeverisë, sa herë që ai shkon diku për vizita. Ata mbesin nën hije të energjisë së tij, shpeshherë të brutalitetit të tij. Ramushi në Hade. Ramushi në QKU. Ramushi në Autostradë. Ramushi është kudo, vetëm ndërrohen ata që qëndrojnë në krahun e tij.

Tashmë nuk është mit, ai vërtet punon shumë mbi mesataren e kryeministrave të tjerë. Paraqitjet e tij publike, në orët e vona, qoftë nga KEK-u, qoftë nga QKU-ja, qoftë nga pika të tjera të ndjeshme, janë shndërruar në rutinë.

Mirëpo, tash, prapë, duhet nënvizuar që pikat e tij të forta janë edhe dobësitë e tij. Kryeministri Haradinaj në momente të caktuara duket sikur harron që kush është bashkëbiseduesi përpara tij. Nuk di ta dallojë mirë Mogherinin me, për shembull, drejtorin e QKU-së, e as Obiliqin me Brukselin. Kjo është një gjë e mirë, deri në njëfarë mase. Nëse teprohet, atëherë është pengesë e madhe. Kokëfortësia e tij është monumentale. Ai duket, në momente të caktuara, se beson në vetveten se ka aftësi paranormale për t’i lexuar disa raporte, për t’i lexuar disa nëntekste, për t’i parashikuar disa ngjarje, që ne të tjerët, vdekatarët, nuk e kemi. Prandaj, kur e shohim që flet para mediave, kur jep intervista, është pak i shkëputur prej nesh. Duket sikur komunikon në valë të tjera, të cilat vetëm ai mund t’i kapë. Është shumë problem që të ndiqet linja e tij e mendimit dhe e logjikës. Për shembull, jo-në që ia thotë Arben Gjukës ai ka rrezik që ia thotë edhe ambasadorit amerikan, ose Mogherinit. Teknikisht kjo gjë mund të mos ketë dallim të madh, sepse njeri është ai e njeri është ky, por praktikisht në mes tyre është një oqean. Për këto arsye, për mirë ose për keq, më shumë për keq sesa për mirë, Haradinaj ka rreth vetes besimtarë e jo kolegë.

Nisur nga këto premisa, nuk janë të rralla rastet kur e shohim Haradinajn në territore të pashkelura politike, kryesisht të minuara. Besimtarët rreth tij, që paguhen si këshilltarë, befasohen bashkë me ne me pozicionimet e forta të shefit të tyre. Fuqia e gravitetit të Haradinajt krahasuar me fuqinë e gravitetit që kanë njerëzit rreth tij, është disproporcionalisht më e madhe, prandaj nuk ka mundësi që të kenë peshë idetë tjera. Ato përpihen nga epiqendra, që është Haradinaj. Për të gjitha arsyet e mësipërme këshilltarëve, stafit të tij, nuk iu mbetet shumë hapësirë për të vepruar, përveç që ta admirojnë atë.

Gazeta Express (vijon nesër)



2 Comments

  1. Ne i zgjedhim udheheqesit jo ne baze te ndonje ideologjie politike (vec Albinit) por mbi disa baza mendore here here te pashpjegueshme, e here here misterjoze, ndjenja paramendime, keqkuptime, qe ngaterrohen me virtyte dhe bindje. Shqiptaret ngaterrojne mungesen e kurajos sone me rrespektin qe i bejme tjetrit, mungesen e frikes me trimeri, ngaterrojne kokfortesine me besen, ngaterrojne agresivitetin me serjozitetin, budallallekun aksidental me heroizem. Ne kete menyre Ramushi eshte burre me bese serjoz dhe i cilter, hero qe i doli balle Hages, dhe meriton rrespekt. O burra ta bejme udheheqes te Kosoves. Por dhe sikur Ramushi te mos qe ngaterruar si i tille ne mendjet e shqiptareve lind pyetja cfare aftesie udheheqje pane shqiptaret tek Ramushi qe u binden ta votonin? A pane idete e tij politike? Filozofine shoqerore qe do coj shqiptaret perpara? A pane Ramushin ndonjehere ne mendim te thelle? Jo. Pane Ramushin ne frozen smile mode, me qylaf e flamur, sa ne nje fshat ne tjetrin me doren perpara duke i zene prite kalimtareve. Se ashtu shtrengon doren burri. Ta gezoni Ramushin vllazni e Kosoves, se ne te Shqiperise se anes tjeter gezojme cdo dite heronjte tane te udheheqjes, kane merituar dhe meritojne rrespektin tone per 27 vjet. Tung Buzhala.

  2. Ne te gjitha trevat shqiptare, fatkeqesisht, te gjithe “udheheqesit” jane njesoj, karagjoze, aventuriere, te paafte dhe teper arrogante pasi marrin pushtetin me mashtrime. Kjo tregon se niveli kulturor dhe ndergjegjia popullore i votuesve shqiptare eshte ne nivelet nen zero. Votuesit shqiptar, per shkak te nivelit kulturor dhe arsimor mjaft te ulet, jane lehtesisht te manipulueshem dhe te mashtrueshem, gazetaria dhe shtypi shqiptar jane fatalisht tejet te korruptuar. Vertet i meritojne politikanet qe kane!!! FATKEQESI KOMBETARE!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *