• |
ide | kryesore

Rrëfimi i Dukës/ Largimi i De Biasit dhe nëse Fino do t’i dalë përballë…

F1, Sport



Kreu i FSHF-së, Armando Duka dha një intervistë të gjatë, në mbyllje të vitit, për gazetaren Vilma Masha, në Supersport. Ai foli për kombëtaren, marrëdhëniet me De Biasin, përzgjedhjen e Panuccit, Kategorinë Superiore, dhunën në stadiume, kandidimin sërish për kreun e FSHF-së dhe Bashkim Finon si rival.

Për largimin e De Biasit
“Gjatë kohës që ai ishte trajner i Shqipërisë, thoshte me shaka “ju kam gjetur në kohën kur ju rrihte Luksemburgu”, por na la pikërisht kur na mundi Luksemburgu. Komunikoj rregullisht me të, edhe kur ishte trajner në Spanjë. Mund t’ju them se ai i ndjek zhvillimet në Shqipëri, mbase edhe më shumë sesa unë, sepse shpesh më informon në lidhje me shkrimet e gazetave shqiptare. Jemi konsultuar edhe kur ka marrë Alavesin, por edhe për mundësi të tjera që ka pasur. Marrëdhëniet midis nesh mbeten shumë të mira dhe kështu duhet të jetë për të gjithë në fakt.

Cilët ishin rivalët e Panuccit?
Në fakt janë publikuar emrat e personave me të cilët kemi biseduar, si Seedorf, Zenga, De Canio, që të gjithë ishin shumë të mirë dhe më lanë përshtypje mjaft të mira. Seedorf, për mua ishte një nga njerëzit më intelektualë dhe më i përgatitur, nga më të mirët që unë kam parë në botën e futbollit, por nuk më bindte për postin e trajnerit.

Gjyqtarët janë të paaftë apo të korruptuar?
Gabimet jonjerëzore të gjyqtarëve janë minimizuar, por jo eliminuar krejtësisht. Megjithatë, në Kategorinë Superiore ka vetëm gabime njerëzore.

A do të kandidoni sërish për President të Federatës së Futbollit?
Para se të marr një vendim, do të çekoj të gjithë premtimet e bëra para 4 viteve. Do t’i shoh me kujdes, në se i kam realizuar apo jo dhe nëse i kam realizuar, do të mendoj një projekt për të ardhmen dhe do ta diskutoj me “të zotët e shtëpisë”. Në fakt, nuk është edhe koha, pasi nuk është përcaktuar ende dita e zgjedhjeve, sepse vetëm atëherë është koha e duhur për të publikuar vendimin. Unë uroj të ketë sa më shumë alternativa.

Bashkim Fino rival?
Në rastin e Finos, unë kam njohje personale me të dhe e kam respektuar periudhën e tij qeverisëse, si një moment të vështirë për Shqipërinë. Nëse Bashkimi do jetë kandidat për president të FSHF-së nga Partia Socialiste, atëherë kjo parti duhet ta zyrtarizojë nga selia e saj. Në të kundërt, PS-ja duhet të distancohet dhe iniciativa e Finos të vijojë në mënyrë personale. Partia Socialiste do ta bëjë këtë kur t’i vijë koha. Kjo do jetë në të mirë të lojës, që futbolli të mos jetë i varur nga politika.

Kur mbaron “Arena Kombëtare”?
“Arena Kombëtare” mbaron në fund 2018-ës. Besoj në 2019-ën do të luajmë aty.

Për cilën skuadër bëni tifo në futbollin shqiptar?
Për Vllazninë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *