• |
ide | kryesore

Anastasi shqiptar, fundi i alibisë së kundërvënies ndaj ortodoksëve

2, Ide



Në ditën e madhe për Krishterimin, Krishtlindjet, të gjitha mediat në Shqipëri kishin si lajm të parë vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, fortlumturisë së tij Anastas! Fillimisht u duk se lajmi meritonte përgëzime pasi ruajti të paktën “asnjanësinë profesionale”, dmth, nuk pati reagime, për më shumë negative. Kjo tërheq vëmendjen, pasi po ndodhte për herë të parë një qëndrim i tillë me adresë Kryepeshkopin Anastas dhe për një “lajm” që ai e priti për 25 vjet.

U duk se ishte një zhvillim që e bënte të pavlefshme alibinë e pesë paraardhësve të presidentit Meta që ia mohuan këtë kërkesë të ligjshme Fortlumturisë së tij Anastas për gjithë ciklin e kontributit të tij në favor të KOASH, me pretekstin se u trembeshin reagimeve negative të joortodoksëve. E vërtetë është se ky argument i bënte krerët e lartë të shtetit aq rezistentë sa që nuk pranonin as ndërhyrje të faktorëve ndërkombëtarë për këtë çështje, gjë që do të thotë se vendimi ishte ndërgjegje e brendshme e tyre. (Por,nëse Kryepeshkopi është grek dhe kjo përbënte pengesë, atëherë çfarë duhet menduar për ata mijëra shqiptarë në Greqi që në respekt të ligjit kanë marrë, ose pritet të marrin nënshtetësinë greke?!).
Fatkeqësisht, situata “e lajmit profesionist” për vendimin e Metës si hap në frymë evropiane dhe që po shkrinte akujt me Athinën, zgjati vetëm një ditë. Detashmentet e reagimeve negative jashtë ortodoksisë ia bëhen menjëherë një ditë më pas me një egërsi sfilitëse. Madje pati nga ata tribalë që fituan të drejtën për t’i kërkuar llogari Presidentit për arsyet e vendimit të tij!!

Duke marrë parasysh aktin e Presidentit Meta si të tillë, (aspektin ligjor, kontributin e Kryepeshkopit në ringritjen nga hiri të KOASH dhe kapacitetin intelektual me spektër botëror të tij të venë në funksion të vendit, anën humane me dimension kohën e pritjes dhe moshën e vetë Kryepeshkopit, por edhe momentin politik në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe hapat e Shqipërisë drejt BE-së), këto reagime nuk mund të justifikojnë nivelin intelektual, kulturor dhe profesional të pretenduar të autoreve të tyre. Por, ajo që u vura është se arsyeja e vërtetë e tyre për këto reagime mbetet e njëjtë.

Ajo nuk ka të bëjë aq me figurën e Kryepeshkopit, se sa me atë që ai përfaqëson në Shqipëri, KOASH-in. Ka të bëjë me mbylljen e çdo dritareje që mund të prodhojë marrëdhënie miqësore me Greqinë. Dhe fatkeqësisht, nuk shpreh thjesht komplekset e së kaluarës së largët, porse në këto komplekse gjejnë terren më të përshtatshme interesat e të tretëve dhe zhbirimi i interesave të brendshme politike.

Pikërisht në këtë qasje duhet kërkuar dhe arsyeja se përse nuk pati edhe kësaj here as reagime pozitive, madje as nga elita ortodokse. (Përjashto aktorin e madh Robert Ndrenika, i cili kësaj herë nuk fshehu origjinën dhe përkatësinë e tij fetare midis emrit Robert dhe mbiemrit Ndrenika). Ky fakt nuk mund të lidhet me arsyetimin se është non sens të shprehësh konsiderata të larta, se më në fund u kapërcye një refuzim absurd 25-vjeçar duke shkelur ligjin shqiptar nga vetë presidentët e Republikës.

Aq më tepër kur Kryepeshkopi tregoi se nuk i duhej fare nënshtetësia shqiptare për t’u përkushtuar me përgjegjësinë e një qytetari të devotshëm të këtij vendi, për të ndërmarrë veprën e tij të pamatë në shërbim të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe të shoqërisë shqiptare, apo të përdorte kredibilitetet personale që janë të një niveli ndërkombëtar për të promovuar Shqipërinë në botë, më shumë se çdo figure politike në vend.

Në këto rrethana kuptohet se nënshtetësia shqiptare ishte për Kryepeshkopin Anastas një mjet për të treguar se edhe shteti shqiptar e pranonte Kryepeshkopin si pjesë të vet, ashtu siç e konsideronin ortodokset shqiptarë dhe populli shqiptar, pavarësisht përkatësisë fetare, ose ashtu si vet Kryepeshkopi përjetonte si qëllim sublim përkushtimin ndaj kishës ortodokse të Shqipërisë! Kuptohet që mungesa e reagimeve pozitive nga besimtarët Ortodoksë dhe elita ortodokse, nuk lidhet aq me mungesën e motiveve për t’ u shprehur pozitivisht, se sa me faktin se këta faktorë e kuptojnë se vendimi i presidentit për t’i dhenë nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të tyre Anastas, nuk do ta shpëtojë ortodoksinë shqiptare nga paragjykimet e njohura të pseudonacionalisteve shqiptarë me përkatësi fetare joortodokse.
Për këtë nuk përbën garanci as deklarata e Kryepeshkopit Anastas se pasardhësi i tij në fronin e kreut të KOASH do të jetë me siguri një shqiptar. Një zhvillim i tillë do të krijojë garancinë se atëherë do të bjerë alibia e derisotshme që kësi paragjykimesh dhe qëndrimesh denigruese për ortodoksinë në Shqipëri lidhen me identifikimin e kreut të saj me “pretendimet armiqësore” greke ndaj Shqipërisë. (!!)

Kultivuesit e këtyre tezave të nxjerra nga mjedisi i shekullit XIX, nuk arritën kurrë të shikojnë e të vlerësojnë veprën e Kryepeshkopit në krye të KOASH-it, që për nga përmasat konsiderohet totalisht e pamundur për një kohë kaq të shkurtër dhe nga një njeri i vetëm, qoftë ai edhe i perëndishëm dhe të realizuar pa asnjë kacidhe nga buxheti i shtetit shqiptar. Ata e neglizhojnë ose e mohojnë atë, jo për të mohuar figurën e Kryepeshkopit Anastas, por pikërisht për të neutralizuar veprën e tij, që tanimë është identifikuar me këtë Kishë në të gjitha drejtimet. Pra, i tremben kësaj vepre se u vështirëson kundërvënien ndaj Ortodoksisë Shqiptare, kontributi i personaliteteve të secilës, pavarësisht nga motivet, qëndron në themelet dhe në tërësinë e konstruktit të shtetit shqiptar. E tregoi më së miri këtë censusi i vitit 2011 ku dhe vetë shteti tregoi se i intereson që numri i ortodokseve në Shqipëri të jetë më i pakët se numri që japin analet statistikorë të Perandorisë Otomane të fundit të shekXIX, ose përpjekjet e pafundme për të eliminuar trashëgiminë e pasur kulturore të këtij besimi, pasi kjo pasuri ka vulën e kulturës greke, qoftë të drejtpërdrejtë, qoftë si mishërim të perandorive bizantine dhe otomane!!!

Ndodh kështu kur dihet se ajo nuk është pasuri kulturore e kryepeshkopit Anastas, por e popullit shqiptar, kur dihet se vlerat e vetme aktive me akses perëndimor nga trashëgimia e së kaluarës lidhen me këtë besim dhe kulturën e vet shpirtërore dhe materiale. Një gjykim i tillë lejon vlerësimin se akti i presidentit I. Meta nuk u shpëton dozave të ironisë dhe të cinizmit, që evidentohet tek pyetja: – Përse i duhet nënshtetësia shqiptare Kryepeshkopit Anastas në këto momente dhe kur për shkak të moshës i kërkohet të deklarojë se kush do të jetë pasardhësi i tij!? Apo mos vallë Kryepeshkopi Anastas do të shpresojë se një ditë të së ardhmes do të pohohet se ringritja nga themelet e Kishës Ortodokse Shqiptare është vepër e Kryepeshkopit me shtetësi shqiptare Anastas!?

Sado i vërtetë, ky argument ngjason i paqëndrueshëm po të kemi parasysh nivelin e lartë të institucioneve dhe të personaliteteve të involvuar në këtë çështje. Më i besueshëm duket argumenti që faktorët e këtij niveli e pranuan bashkërisht këtë sfidë ironie, për t’u shërbyer qëllimeve më të larta. Kjo do të thotë se vendimi i Presidentit Meta i shkon përshtat rolit protagonist në sfidat kalimtare historike që ka përpara vendi, rol që atij i siguron një distancë ngavulgu politik në vend, ku nuk mbetet pa përmendur edhe emri i tij.

U duk kjo qartë në të gjitha qëndrimet e fundit të Presidentit, si ndaj zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme me mandate të përkohshëm, ashtu dhe për sa i përket votës së qeverisë në OKB për çështjen e Jeruzalemit. Në këtë rrjedhë shkon edhe vendimi për shtetësinë shqiptare të Kryepeshkopit Anastas, pasi Meta është njohës shumë i mirë i faktorit Greqi në skaqerën e politikës ndërkombëtare dhe rolin e saj gjeostrategjik me rendësi për aleatët perëndimorë dhe akti i tij në spektrin human, tejkalon çdo ngërç që prodhojnë bisedimet për zgjidhje paketë të problemeve midis dy vendeve. (!!!)

Në këtë linjë, javët e fundit qeveria ndryshoi totalisht kursin e politikës së saj me Greqinë dhe jo aq thjeshtë për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, sesa paralelisht me këtë, për t’i hequr nga dora Greqisë të drejtën për mbajtur ose për të inspiruar qëndrime që mund të pengojnë hapjen e negociatave për integrimin e vendit në familjen evropiane. Në këtë prizëm duhen pare edhe dy vendimet e fundit të qeverisë, po në prag të Krishtlindjeve, për problemin 76-vjeçar të eshtrave të ushtarëve grekë renë në token shqiptare në betejën e parë fituese ndaj fashizmit në luftën e dytë Botërore, aq i ndjeshëm në Greqi.

Mirëpo pala greke, duke u nisur nga fakti se këto hapa të qeverisë shqiptare ngjajnë si dy pika uji me situatën e vitit 2009, kur Athina dha çfarë kërkoi Tirana, por Tirana nuk iu përmbajt premtimeve, sidomos përsa i përket çështjes së eshtrave të ushtarëve grekë dhe marrëveshjes së detit, ka rezerva besueshmërie shumë të larta ndaj hapave të mirëkuptimit të qeverisë Shqiptare, deri në atë shkallë saqë takimi i pritshëm i Korçës mund të shënojë edhe kthim prapa krahasimisht me atë të Kretës.
Aq më tepër që kërkesa e palës shqiptare për riabrogimin e dekretit të gjendjes së luftës gjithnjë e më shumë lidhet me kërkesa të tjera që s’kanë të bëjnë fare më të.

Në këto rrethana lëvizja e Metës me shtetësinë e mohuar Kryepeshkopit Anastas, përbën një lëvizje në një nivel tjetër për të shkuar drejt Athinës, kur dihet se Kryepeshkopi Anastas ishte bërë shpesh ndërmjetësi me rezultativ për të rregulluar marrëdhëniet me Athinën kur ato i minonte politika e ditës. Meta, nga posti i Presidentit të Republikës me vendimin e tij, është e sigurt se mendoi hapin e tij drejt Athinës, si kontribut për Shqipërinë, por edhe për vete. Reagimi pozitiv i niveleve të larta të politikës greke ndaj këtij vendimi e vërteton këtë konkluzion. Aq më shumë që ai ka një shans tjetër më të rëndësishëm, atë të rinovimit të Traktatit të Miqësisë me Greqinë që përbën ekskluzivitet të të dy presidenteve. ©LAPSI.al

Titulli i autorit: “Shtetësia shqiptare e Kryepeshkopit Anastas dhe fundi i alibisë për kundërvënien e jo ortodokseve ndaj ortodoksisë në Shqipëri”



10 Comments

  1. o mbrojtësi më i hapur dhe më i pacipë i shovinizmit gërk o hajdut pulash Kosta Barjaba!!
    fituat dhe këtë radhë,falë mefshtësisë së këtij populli idiot dhe shitshmërisë së politikës shqiptare!!
    hidhja valles se është dita tënde!!

  2. Mesa di une, po na qeverisin ortodokset, dhe ky po i fryn zjarrit se i intereson konflikti, sikurse padroneve te tij ne greqi!

  3. Artikulli,eshte larg pikpamjeve te popullit shqiptar ne pergjithese,dhe te ortodokesve shqiptare,ne vecanti.Mos reagimi masiv,per dhenien e shtetesise,vjen sepse u be nje kohe e gjate qe flitet per te dhe sikur u mesuan (u regjen).Por jemi te indinjuar,jo vetem per shtetesine (presidentet paraardhes,perfshire edhe ate qe e solli dhe pranoi ta vinte Janullatosin ne krye te kishes,nuk ishin me pak te pergjegjeshem per kete problem,por Meta,ne keto momente ndodhet ne nje pozicion,qe cdo fjale e mire nga te huajt,i nevoitet per te perligjur pozicionin e tij),por edhe per qendrimin kaq gjate ne krye te kishes.Ai erdhi per te rimekembur kishen ne Shqiperi (ndofta per te akoma nuk qenka bere kjo rimekembje),dhe harroi te largohej.Gjate gjithe kohes, predikoi vetem ne greqisht.Bile me e dhimbeshme,eshte qe edhe ne kete krishtlindje,mbas 25 viteve ne Tirane,qe gjuhen shqipe e flet shume mire,perseri predikoi ne greqisht.Kjo eshte fyerje e rende per ne.Para disa diteve ka thene se pkryepeskop[i i ri do te jete shqiptar.Mos ndofta ka parasysh qe tani qe mori shtetesine,quhet shqiptar dhe do vijoje perseri?Apo qellimi i tij ka qene ,qe te detyroje gjithe shqiptaret ortodokse,te mesojne greqisht?

  4. Nuk po me kujtohet se kush nga Rilindasit tane ka thene se shumekush kur sulmon nji vend tjeter sulmon me tankse dhe topa ,ndersa Greku sulmon me Kishe.

  5. zoti var.ka.in ka shume te drejte qe tani e kane fajin joortodoxet shqiptare qe nuk pranojne JANULLEN,
    por zotria ne fjale e di shume mire qe joortodoxet shqiptare si Aktori yne i famshem i lartpermendur apo te tjere te cilet ai nuk deshiron ti cilesoje si (Katoliket dhe Muslymanet ne vecanti) nuk duan tja dine dhe skane asnje fare interesi se kush esthe ne krye te kishes autoqefale shqiptare nese vjen fjala per kete kishe thjesht si objekt kulti pasi nuk predikojne orthodoxine por Zoti Var.Ka.in nuk ka deshire te permende faktin qe ishin djemte orthodoxe te shqiperise qe ja kenduan kenget e rilindasve tane te po te njejtes fe ne mes te katedrales se tij ketu e 20 vjet me pare. pra eshte nje ceshtje sensitive per shqiptaret orthodoxe se pari e cila percohet te vellezerit e tyre joortodoxe te cilet kane vetem nje obligim vellazeror ku jane te detyruar te dalin ne krah te orthodoxve Shqiptare nese atyre u cenohet e drejta dhe vlerat e besimit dhe predikimit ne gjuhen meme. zoti barkas ne dime shume mire dhe mbajme mend ato varrezat qe permend ti dhe cfare perfaqesuan ata ushtare greke ne luftrat boterore ne trojet tona dhe ato qe ju e athina juaj sot e kesaj dite i cilesoni si bisedime tabu dhe nuk deshironi ti permendni. ne gjithashtu mbajme ne memorjen tone Themistokli Germenjin e pushkatuar ne Selanik me urdhrin e kishes Tuaj (jo shqiptare) apo Dhaskal Todrin e helmuar (nga kisha Juaj – jo shqiptare) pse guxoi alfabetin unik shqiptar. pra fare mire shqiptaret e dine perrallen e shen kozmait dhe cfare fshihte ajo prandaj e varen ne libofshe ne mes te orhtodoxise shqiptare. dhe nje e fundit perse je gjithmone ti apo syresh si ti qe i dalin per zot e ndihme kryepeshkopit qe po ben te “mirat” ne shqiperi dhe jo orthodoxet shqiptare qe nuk kane associm me greqine sepse ti si person nuk duhet ti perkasesh kishes shqiptare por asaj Greke bazuar ne vetdeklarimin tend te kombesise?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *