• |
ide | kryesore

Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump

Lajme, Të fundit



Pakënaqësia që provokoi vota e Shqipërisë në OKB kundër zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem, arriti kulmin me letrën e Presidentit Ilir Meta për Donald Trump. Me sinqeritetin e panatyrshëm për një burrë shteti, Ilir Meta rrëfeu në këtë letër se nuk kishte pasur asnjë komunikim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për çështjen, kur u shpreh: “kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar”.
Letra ishte një prezantim tjetër komik i shtetit shqiptar në sytë e të huajve, kësaj radhe në sytë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga pozitat e shtetarit të indinjuar Meta iu drejtua Trumpit me premtimin se “Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”. (LETRA E PLOTE)

Qëndrimi i Metës nuk lë vend për interpretime dhe tenton ta zhveshë Presidentin nga çdo përgjegjësi për votën në OKB, por Lapsi.al u njoh me disa fakte që e nxjerrin të pavërtetë mesazhin dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lapsi.al ka parë me detaje disa mesazhe të shkëmbyera përmes postës elektronike mes Sokol Gjokës, drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme me Valter Ibrahimin, Këshilltarin Diplomatik të Presidentit.

Emailet janë dëshmi e komunikimit të pandërprerë mes Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe Presidencës. Komunikimi nisi para mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, aty ku u inicua rezoluta kundër Trump dhe ku Shqipëria u përfaqësua nga ambasadori i saj.

Në email, Sokol Gjoka i Ministrisë së Jashtme informon Këshilltarin Diplomatik të Presidentit, Valter Ibrahimin për pjesëmarrjen e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Madje Presidencës i dërgohet edhe fjalimi i ambasadorit tonë në OBI, përveç informacioneve të tjera për rezolutën.

Lapsi.al dalloi në emaile edhe lutjen e Sokol Gjokës, për një reagim nga Presidenca. Përgjigjia në orën 17:45 të pasdites së datës 11 Dhjetor nga këshilltari i Ilir Metës ka qenë lakonike. “Sa te kem nje instruksion te njoftoj menjehere”. 

Por kjo përgjigje ishte e fundit për këtë çështje dhe nuk u shoqërua nga një tjetër.

Një zyrtar në Ministrinë e Jashtme tregoi për Lapsi.al se për votën në OKB, Drejtori i Përgjithshëm Politik, Ferit Hoxha pati komunikim të vazhdueshëm në telefon me shefin e Kabinetit të Presidentit, Arben Cicin.

Para votimit, shefi i Kabinetit të Presidentit u mbajt i informuar për komunikimin me trupin diplomatik në Tiranë, për qëndrimin që do të mbahej duke e vënë theksin në linjën e përbashët me vendet e BE-së. Madje komunikimi në telefon mes Ferit Hoxhës dhe Arben Cicit vazhdoi edhe pas votimit në OKB.

Presidenca u njoftua për qëndrimin që mbajti Shqipëria në OKB, tha zyrtari i Ministrisë për Lapsi.al, duke theksuar se “në të gjitha komunikimet, nga presidenca nuk erdhi asnjë shenjë pakënaqësie”.

Emailet zbulojnë lojën që u bë në Tiranë me votën e Shqipërisë në OKB. Veç këtyre emaileve dhe komunikimeve, Presidenca e kishte të qartë qëndrimin në OKB, që kur u informua për praninë e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Vota në OKB kundër Trump nuk mund të ishte surprizë për Ilir Metën.

Pa u futur në gjykimin, nëse Shqipëria mori vendimin e drejtë apo jo, del qartë se Meta qëndroi në heshtje deri në momentin që Rama votoi kundër SHBA. Më pas, nisi letrën për Donald Trump ku shfaqej i painformuar dhe i indinjuar, duke luajtur një lojë që, sado e vështirë të duket, e bën akoma më qesharak imazhin e shtetit shqiptar në sytë e të huajve.©Lapsi.al



3 Comments

  1. Ilir Meta eshte djegur si partner i USA nga Rama dhe djallezia me te cilen e nxorri me se nje here zbuluar Mete bolen kundrejr Amerikes.

  2. Nje ordiner qe njihet prej kohesh. Historikisht metà kete strategji ka ndjekur “futja kujtdo” sa te mundesh. Kete rradhe do ti fusin kabllin te gjithe bashke. Ishalla sa me thelle atij dhe ndermarrjes qe krijoi vete…

  3. “Lapsi” ju lutem sqaroni edhe nje detaj! A eshte korrekt informimi qe qeveria I paska bere presidentit nepermjet nje drejtori ! A nuk duhej derguar ,ose biseduar shkoqur e ne detaje ndermjet presidentit dhe mister droges se rilindjes ky qendrim qe na rezultoi kaq problematic?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *