• |
ide | kryesore

Çfarë ndodhi në takimin e naftëtarëve me Gjiknurin dhe Ahmetajn

Lajme, Të fundit



Pas rrugëtimit në këmbë nga Ballshi drejt Tiranës, punonjësit e papaguar të Rafinerisë së Naftës në Ballsh dhe Fier patën një takim me Damian Gjiknurin dhe Arben Ahmetajn. Një prej pikave më emergjente për t’u sqaruar ka qenë paga e prapambetur e muajit nëntor nga kompania Ionian Refining & Trading Company – IRTC SHA.

Pikërisht për këtë arsye, ministrat kishin thirrur administratorin e kompanisë që i premtoi naftëtarëve se paga do të paguhej ditën e premte.
Më pas dy ministrat, thuhet në njoftimin zyrtar, i kanë thënë naftëtarëve se “rafineria është tanimë një ndërmarrje në pronësi e përgjegjësi private, e për pasojë është detyrim ligjor dhe kontraktual i punëdhënësit privat të respektojë të gjitha detyrimet sipas legjislacionit në fuqi”.

Por gjatë takimit, përfaqësuesit e sindikatës parashtruan kërkesat e mëposhtme:

1. Kryerja e pagesës për muajin Nëntor;
2. Sqarimin e problematikës në lidhje me përfitimin e statusit të naftëtarit;
3. Krijimin e infrastrukturës shëndetësore për trajtimin e sëmundjeve profesionale në Qarkun e Fierit;
4. Gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike për të ardhmen e rafinerisë.

“Gjiknuri dhe Ahmetaj i bënë edhe një herë me dije përfaqësisë së punonjësve se rafineria është në pronësi private, por institucionet shtetërore do të shohin mundësinë e thithjes së investitorëve seriozë në sektorin e përpunimit, në mënyrë që kjo industri të ketë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë” thuhet në njoftim.©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *