• |
ide | kryesore

Loja me maska e dyshes “ramalu”

Ide

Argumenti më absurd që kam hasur në mediat që kundërshtonte
njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit sepse donte të pengonte
Reformën në Drejtësi. Pra, se amerikanët do të mërziteshin me
Ramën dhe nuk do të jepnin ndihmat materiale dhe logjistike për
reformën; dhe kjo, ngaqë Rama nuk e do këtë reformë, pasi i trembet
edhe vetë. Argumentin e bënte edhe më absurd fakti se këtë e tha
opozita që akuzohet nga Rama se është ajo që nuk e do Reformën në
Drejtësi pasi ka frikë prej saj.
Në fakt, reforma po çan përpara drejt suksesit me vela të fryra. Dhe
në erën që e fryn, është edhe kontributi i pamohueshëm i bulçive të
ambasadorit amerikan. Doni prova? Po ja, kjo që po bën
Kryeprokurorja e përkohshme, kujtoni ju se nuk është reformë? Kjo
është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu? Prisni se edhe atij do
t’ia ndieni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të
thoshte Orwelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara
vetingut, përveç atyre që janë vetë vetingu.
Dhe mos bëni sikur e keni për herë të parë ju të opozitës. A nuk ju kujtohet kur zëvendësuat
gjyqtarët, që nuk i kontrollonit dot me ata me kurse 6-mujore te
plepat e Kavajës? Po sulmet ndaj Ina Ramës si prostitutë e bulevardit,
a i keni harruar? Jo, jo, të mendosh se politikanët shqiptarë duan
prokurorë të pavarur, është njëlloj sikur të imagjinosh hajdutët duke u
përpjekur që të vihen roje të ndershme, në vendet ku ata do të
shkojnë të vjedhin.
Po atëherë, ç’është kjo reformë, që askush s’e do dhe të gjithë e
brohorasin? Po ambasadorët ç’dreqin kanë që ngatërrohen me këto
mashtrime?
Teoria ime është kjo: Jetojmë në një vend ku, siç ka thënë dje edhe
vetë Rama, jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur.
Imagjinoni, shqiptarët, më 2016, vinin në Gjermani pas sirianëve për
ikje nga vendi i tyre. Më 2017, në Francë u bënë të parët, duke ua
kaluar edhe afganëve. Ka më tmerr se kjo? Një vend i pashpresë, që
veç tjerash, po dëshpëron edhe vendet e tjera ku po eksporton
mjerim dhe krim. E, pra, në këtë lloj vendi o duhet të ulesh e të
punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e ndershëm,
o duhet të gjesh mashtrimin e radhës me njerëzit e pandershëm. E
meqenëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “Reforma
në Drejtësi” është mashtrimi i radhës për të gjetur një fajtor dhe për
të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës. Është edhe
mashtrimi më polivalent sepse i shërbente një shumësie aktorësh dhe
qëllimesh. Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi
Ramës, për të kapur edhe pushtetin e drejtësisë ashtu siç, nëpërmjet
reformash të tjera, pastroi institucionet nga kundërshtarët e tij, me
rezultat zero. I shërben edhe si një alibi për të thënë se gjërat nuk
kanë shkuar mirë deri tani, sepse na kanë penguar disa njerëz të liq
në drejtësi, që kanë qenë të lidhur nga kundërshtarët e mi të liq.
Teorinë që përdori kur u bashkua me Metën se është sistemi që e pjell
të keqen, jo njerëzit, tani e zëvendësoi me teorinë se janë disa njerëz
të liq, si Meta, që na e kanë sjellë të keqen. Por reforma i shërben
edhe si një mashtrim për të huajt që do thonë: ja reformatori i
guximshëm, që më në fund po lufton korrupsionin në Shqipëri!
Ndërkaq, togfjalëshi magjik u shërben goxha edhe mashtruesve të
Brukselit. Në funksion të projektit të Bashkimit Europian, janë derdhur
shumë para. Për të punon një armatë e tërë burokratësh, e paguar
nga taksapaguesit europianë me rroga të majme. Dhe ndër
nënprojektet e rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga
paaftësia dhe korrupsioni i këtyre burokratëve, është edhe ai i
integrimit në Europë i Ballkanit Perëndimor. E, pra, edhe këtyre
perëndimorëve u duhen disa prova se rrogat e tyre nuk paguhen kot.
Ja, në sajë të ndihmës së tyre kompetente, vende si Shqipëria po
bëjnë hapa përpara drejt integrimit. Taksapaguesit europianë duhet të
jenë të sigurt se paratë e tyre nuk kanë shkuar në ndonjë gropë të
zezë dështimi e korrupsioni. Dhe a ka provë më të mirë sesa një
Reformë në Drejtësi, që do të kurojë sëmundjen më të rëndë të
vendeve si Shqipëria, që nuk i le ta çojnë vendin drejt Europës, por i
bën banorët e tyre të lenë vendin për të invaduar Europën. Ja pse
suksesi i kësaj reforme është kaq i nevojshëm për t’u reklamuar. Po
Lu-ja, ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush.
Lu-japërfaqëson SHBA, që është partneri i madh i Perëndimit, plus që
duket se është i lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA
– në mos pastë edhe ndonjë “inat personal” me drejtësinë aktuale për
shkak të “Bankers Petrolium” – siç thonë gojët e liga.
E kështu, tani kemi arritur në një pikë ku mungon vetëm një gjë e
vogël për ta përmbyllur në mënyrë të suksesshme këtë mashtrim. Kjo
gjë e vogël e ka mbiemrin të madh sepse quhet: “peshku i madh”.
Duhet, pra, që rrjeta e reformës “ramalu”, vrimat e së cilës po i mbyll
me shpejtësi kamikazja Arta Marku, të hidhet në det sa më parë dhe
të ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj, që t’i
fotografojnë të gjithë të kapur në rrjetë. Atëherë, e gjithë bota
perëndimore do të ndalë frymën e do të thotë: bravo Shqipëria, bravo
Edi Rama, faleminderit Bruksel, faleminderit ambasadori LU!
Do të thoni ju, po dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në
narkoshtet, po drejtorët e Policisë trafikantë droge të arratisur, po
koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i parave të
drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me
vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë
fitimtarët. Tani s’na ka mbetur, veçse të themi: e gëzofshim reformën
“ramalu”!
Panorama

1 Comment

  1. Pajtohem me shume gjykime të Lubonjes, kur ai i referohet realiteteve aktuale.
    Por është e cuditëshme për këtë “analist”, që ndonëse kaloi pothuajse gjithë rininë e tij në burgjet e diktaturës komuniste, kur vjen fjala për drejtësinë, kërkon të heqe paralele ndërmjet politikave të ish PPSH sot PS, e asaj të PD apo Berishës.
    A ja ke bërë ndonjëhere pyetjen vetes o Ljuba, se cilët ishin juristët e shkolluar që dominonin drejtësinë shqiptare në dhjete vjeçarin e parë pas përmbysjes së diktaturës ?
    Ishin po ata juristë që të patën futur padrejtëesisht ty e mijra shqiptarë të tjerë në burg, apo më keq akoma kishin dhënë vendimin per varjen me litar të poetëve, vetëm se tentuan ta thonë fjalën e tyre të lirë.
    Mbase brezi i ri i sotëm, nuk e di plotësisht se kush e kishte të drejtën e studimit në Universitetin e vetëm shqiptar të kohës se Enverit, e vecanërisht kush pranohej në fakultetin juridik. Por ata që e kanë përjetuar ate kohë e dinë fort mirë se juristë mund të beheshin vetëm djem e vajza të familjeve besnike të PPSH.
    E kam dëgjuar shpesh të përmendni “juristat e plepave”, një formë e talljes së komunistëve, ndaj reformës së parë në drejtësi qe u detyrua të bënte qeveria demokratike.
    Po a nuk na thua o i uruar analist se ku do ti gjente Berisha juristët me formim demokratik perëndimor në fillim vitet 90-të ? Parlamenti demokratik pluralist i asaj kohe, pat miratuar ligjet e reja në përshtatje me ligjet e Europes perëndimore. Po kush do ti zbatonte këto ligje ? A mos drejtësia e atyre juristëve që të kishin futur ty në burg apo që dënuan ish antarët e Byrose apo të venë e diktatorit për shpërdorime të “kafesë” ?
    Megjithë paragjykimet majtiste që mund të keshë o Fatos i edukuar që në djep me këto bindje, llogjika e thjeshtë ta thotë se juristet nuk janë si domatet qe mbillen ne maj, e ju a vjel kokrat për ti ngrënë në korrik. Pjesa më e madhe e antikomunistëve të persekutuar, nuk i pati mundësitë që t’ju jepte as arsim të mesëm fëmijve të tyre pasi ishin syrgjynosur të internuar në fermat shtetërore ku punonin thuajse falas si bujq.. Që të përgatitej një brez i ri juristësh i pa infektuar në padrejtësine diktatoriale komuniste, duhej më së paku katër vite të shkollës së mesme e katër vite të tjera të shkollës së lartë, duke llogaritur edhe kërkesen tjetër qe drejtuesit e lartë të sistemit të drejtësisë, duhet të kishin së paku 5 vjet eksperience profesionale.
    Në gjithë këtë çarçaf “analitik” që ke bërë për reformën në drejtësi, si nuk të ka rënë në mend të analizosh paradoksin, që Ramaluja, si “ekspert” të reformës në drejtësi patën përzgjedhur “juristin” hetues të sigurimit të kohës së Enverit, Fatmir Xhafën. Ka me siguri me dhjetra e ndoshta qindra juristë “të plepave” që kanë përfunduar prej shumë vitesh shkollat më prestigjioze të drejtësise perëndimore. Përse u përzgjodh “pionieri” i devotshëm i Enverit që të “reformojë” drejtësinë shqiptare, kur ai është vetë dyfish objekt i kësaj drejtësie, edhe për krimet e së kaluarës diktatoriale, edhe si mbështetës i vëllait të tij, një kapomafie e drogës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu