• |
ide | kryesore

Shqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni, ligji kalon pa votat e partisë së Gruevskit

Lajme, Të fundit



Me 69 vota pro dhe asnjë kundër, në sallën e Kuvendit maqedonas u miratua ligji i shumëdiskutuar të gjuhëve, i cili do të zgjidhë më në fund ngërçin e hershem të përdorimit të shqipes në institucionet zyrtare.

Ligji parashikon që veç asaj maqedonase, gjuhë zyrtare në vend të jetë edhe shqipja dhe alfabeti i saj. Ishte pikërisht marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së, që solli në jetë bashkëqeverisjen e tyre, por debatet që kanë rrethuar ligjin, i cili përmbyll më në fund pas shumë zvarritjesh marrëveshjen e Ohrit, nuk kanë munguar edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Në sallë munguan deputetët e VMRO-DPMNE.

Nën pretendimin se përdorimi i shqipes thellon hendekun ndëretnik, VMRO-DPMNE kishte votuar në fazën fillestar kundër ligjit që e kthen Maqedoninë, sipas saj, në një shtet dygjuhësor dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Ligji përmban 25 nene dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridik që kryejnë aktivitete publike, gjithë zyrtarë përpos maqedonishtes të jetë dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë.

Por ai duhet të marrë sidoqoftë firmën e presidentit Gjorgje Ivanov, i cili e ka përsëritur në shumë raste se nuk do të firmosë një legjislacion që bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Kryeministri Rama e përshëndeti vendimin, me një mesazh në rrjetet sociale ku shkruan se kjo arritje për shqiptarët demokratizon dhe forcon vetë Maqedoninë.

Votimi në parlamentin maqedonas është përshëndetur edhe nga Lulzim Basha. Në një status në rrjetet sociale, Basha përshëndeti miratimin e ligjit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një hap të rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.

“Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni” shkroi Basha.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *