• |
ide | kryesore

Bashkohen dy Koretë armike/ Marshojnë nën një flamur në Lojërat Olimpike

F1, Planet



Atletët e Koresë së Veriut dhe të Koresë së Jugut do të marshojnë së bashku, nën një flamur të unifikuar, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike dimërore, njoftoi ditën e sotme jugu, pas disa ditëve bisedime që sollën një përparim diplomatik të jashtëzakonshëm.

Dy kombet kanë rënë dakort që të formojnë edhe një ekip të përbashkët hokeji për femrat. Lojërat Olimpike fillojnë muajin e ardhshëm në Pyeongchang, në Korenë e Jugut.

Pas bisedimeve në zonën e çmilitarizuar mes dy koreve, Ministria e Bashkimit njoftoi se do të ketë një sërë aktivitetesh të përbashkëta midis vendeve për këto lojëra.

Skiatorët e veriut dhe të jugut do të stërviten së bashku në një resort në Korenë e Veriut para fillimit të olimpiadës, dhe performues nga të dy vendet do të zhvillojnë një event të përbashkët kulturor atje.

Flamuri i Unifikimit të Koresë përmban një siluetë blu me formën e gadishullit dhe ishujve të largët. Dy vendet kanë marshuar edhe më parë nën këtë flamur, por shumë rrallë, si Botërori i tenisit në vitin 1991 dhe Lojërat Olimpike dimërore në Torino, në Itali, në vitin 2006.

Shkrirja diplomatike

Njoftimi i sotëm është përparimi më i rëndësishëm që nga fillimi i bisedimeve mes dy Koreve këtë muaj, kur prej vitesh komunikimi mes tyre nuk ekzistonte.

Ndërsa të dy palët janë duartrokitur për uljen e tensioneve ushtarake në javët e fundit, disa nga aleatët e Koresë së Jugut kanë shprehur ditën e sotme shqetësimin se Peniani mund të jetë duke përdorur bisedimet për të fituar kohë për të zhvilluar edhe më shumë programin e saj të armëve.

SHBA-të kanë dërguar më shumë armë e ushtarë në rajon dhe Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson u shpreh se është ende herët për t’iu gëzuar këtyre bisedimeve.

Ministri i Jashtëm japonez, Taro Kono, i bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të jenë koshientë lidhur me motivet e Koresë së Veriut për këto bisedime.

“Unë besoj se Koreja e Veriut kërkon të fitojë pak kohë për të vazhduar programet e saj bërthamore dhe raketore. Nuk është koha për të lehtësuar presionin ndaj Koresë së Veriut” – u shpreh ministri i Jashtëm japonez, Taro Kono.

Kina nuk është dakort me këto bisedime. Sipas kësaj superfuqie, këto bisedime po demonstrojnë mentalitetin e “Luftës së Ftohtë”.

Progres i kufizuar

Mbetet për t’u parë nëse përparimi i arritur para Lojërave Olimpike do të jetë i qëndrueshëm edhe pas përfundimit të tyre.

Ekspertët nuk i shohin këto bisedime si përparime të mëdha.

“Të dy Koretë po shfrytëzojnë bisedimet vetëm për një objektiv të kufizuar, futjen e delegacionit të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike dimërore” – u shpreh John Park, studiues i marrëdhënieve në gadishull.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kang Kyung u shpreh se bisedimet ishin një hap i rëndësishëm, por shtoi se ka shumë sfida serioze përpara.

“Pavarësisht këtyre propozimeve për të përmirësuar marrëdhëniet me Jugun, Koreja e Veriut ende nuk ka treguar ndonjë qëllim për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare në lidhje me denuklearizimin” – u shpreh ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kang Kyung.

Koreja e Veriut është e palëkundur lidhur me armatimin e saj bërthamor dhe raketat balistike, pavarësisht bisedimeve të këtij muaji.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, të cilat kanë provuar se gjithmonë zemërojnë Korenë e Veriut dhe rrisin tensionet në gadishull, janë pezulluar për periudhën në të cilën do të zhvillohen Lojërat Olimpike dimërore në shenjë mirëbesimi. Megjithatë, pritet që këto stërvitje ushtarake të rifillojnë pas përfundimit të olimpiadës.

CNN, përshtati LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *