• |
ide | kryesore

Çfarë tregon lufta dhëmb për dhëmb mes Arta Markut dhe çiftit Gina-Gashi

Arkiva



Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të mërkurën se do dërgonte në gjyq dy ish-drejtues turq të kompanisë “Kurum”, të akuzuar për “Mashtrim në shuma të mëdha”. 

Por në fund të njoftimit, institucioni u kujdes të theksojë se kjo ishte një dosje e prokurores Armanda Xhaferraj, e cila ishte përplasur publikisht me ish-drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme shkruante se “Prokuroria Elbasan ka dërguar për gjykim shtetasit Koray Zeytinoglu dhe Yücel Aksu… Theksojmë se procedimi është një prej atyre, për të cilat u zëvendësua prokurorja Armanda Xhaferri nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina”.

Sqarimi nuk ishte i rastësishëm. Dritan Gina është prokurori që pak ditë më parë kërkoi ekspertizën psiko-ligjore të Arta Markut, pasi kjo urdhëroi shkarkimin e tij nga Elbasani. Më herët, bashkëshortja e tij ishte larguar nga Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Dy prokurorët bashkëshortë u shmangën nga Arta Marku, pasi ishin promovuar nga Adriatik Llalla. Por të dy nuk e lanë me kaq dhe denoncuan Markun.

Është e qartë se dosja “Kurum” u përdor për të sulmuar prokurorin, që nuk e priti mirë shkarkimin nga detyra. Njoftimi lë të kuptohet se Gina e kishte ndryshuar prokuroren e çështjes Armanda Xhaferri për të ndikuar në zvarritjen e hetimeve.

Por nga verifikimet në faqen e internetit të Gjykatës së Elbasanit, rezulton se dosja në ngarkim të ish-zyrtarëve të ‘Kurum” është dërguar për gjykim nga prokurori Anton Pali në 12 Janar.


Ishte prokurori Anton Pali që i përfundoi hetimet megjithë zëvëndësimin e prokurores Xhaferraj dhe bëri gati për gjykim dosjen. Fakti që dosja u dërgua në gjykatë tregon se hetimet për këtë çështje kishin ecur para dhe nuk ishin zvarritur.

Por më shumë se sa detajet e një dosjeje, ky rast vlen për t’u njohur me mënyrën si po e drejton Arta Marku, prokurorinë e Përgjithshme. Megjithëse “e përkohshme”, Marku ka vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb prokurorëve të shkarkuar dhe në këtë përplasje nuk kursehen as përdorimi i dosjeve të veçanta dhe as sulmet mediatike.

Në këtë situatë është e lehtë të shpërndahet mesazhi se “gjuetia e shtrigave” ka nisur. Tani edhe prokurori me dosjen më të parëndësishme e di se çfarë e pret nëse nuk i bindet vullnetit të Arta Markut.

Mesazhi duhet të ketë mbërritur edhe tek prokurorët e dosjes Tahiri. Që pas emërimit të Arta Markut, për ish ministrin e Brendshëm vijnë lajme të mira nga procesi gjyqësor. Miku i tij Orest Sota ka dalë nga burgu, ndërsa gjykata i ktheu pasaportën dhe kartën e identitetit. Duket se sa më shumë egërsohet Arta Marku me prokurorët e shkarkuar, aq më shumë zbuten prokurorët e dosjes Tahiri.

Këtë erë të re që po fryn në prokurori, opozita e kishte paralajmëruar. Me gjithë përbetimet e deputetëve socialistë se Arta Marku do të ishte një prokurore e përkohshme, pa shumë kompetenca, që nuk do të ndikonte në dosje të caktuara, duket se përplasja e Arta Markut me prokurorët dhe metodat që po përdor ajo i japin më shumë arsye opozitës të protestojë kundër zgjedhjes së saj.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *