• |
ide | kryesore

Mustafa Nano: Socialistëve u ka hyrë frika në palcë nga arrestimi

Lajme, Të fundit



Prej disa ditësh politika shqiptare është përfshirë në një debat për Rregulloren e Kuvendit. Mes një grupi ndryshimesh ata kërkojnë të fusin edhe një ndryshim në rast të një kërkesë të prokurorisë për arrestimin e një deputeti. Nëse më parë vlerësimin për arrestimin e bënte prokurori, tani socialistët thonë se duhen “prova” për të kërkuar arrestimin e një të zgjedhuri të popullit.

Kjo iniciativë sipas analistit Mustafa Nano është shprehje e frikës së socialistëve nga drejtësia. Sipas tij lëvizja e fundit e mazhorancës që e detyron Prokurorinë të sjellë prova kur kërkon arrestimin e deputetëve tregon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë që po ngrihet nuk do të jetë i kontrolluar nga palët.

“Kjo gjë bie erë. Një nismë e tillë në një kohë që Reforma në Drejtësi është në proces zbatimi tregon se në parlament ka njerëz që i ka zënë frika. Disa syresh kanë zënë të mendojnë, me sa duket, në këtë mënyrë: “Deri dje nuk kishim fare nevojë për mbrojtje, pasi nuk ishim të kërcënuar; organi i akuzës kishte një kompleks subordinimi ndaj politikës e ndaj parlamentit; mirëpo tani organi i akuzës po na del nga duart; prokurorët, sidomos ata të njësisë speciale, dhe gjyqtarët, sidomos ata të Gjykatës speciale, do të jenë si mina shëtitëse me sahat, kështu që nuk do ishte keq sikur të merrnim ndonjë masë mbrojtëse shtesë”. Mbi bazën e kësaj logjike, u ka shkuar mendja të ndryshojnë rregulloren. Sepse nuk u ka mbetur gjë tjetër për të bërë – shkruan Nano në një editorial për të përditshmen “Mapo”.

“Lind pyetja: I ka kapur frika socialistët? Sigurisht. Madje, u ka hyrë në palcë. Ata e kanë shitur reformën si një gjë të tyren, dhe në një masë të madhe ka qenë bash kështu (ata e nisën, ata e mbështetën, ata e çuan deri në fund procesin, pa bërë asnjë naze), por kjo nuk do të thotë se drejtësia do të jetë në dorë të tyre. Mbi të gjitha, atyre u kallin datën prokuroria speciale e gjykata speciale. Kështu që përsërisim: socialistët i ka zënë frika. Demokratët e LSI-stët e kanë demonstruar me kohë që kanë qenë të terrorizuar nga reforma, por frika e socialistëve ishte një gjë e panjohur. Kjo tregon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë që po ngrihet nuk do të jetë i kontrolluar nga palët. Me këtë bie edhe zhurma e opozitës se sistemi po bie në dorë të socialistëve” – shkruan ndër të tjera Nano. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. cili popull i zgjolli deputetet ,cdo gje po behet ne emer te popullit por fatkeqesisht populli su pyet asnje here gjithcka ishte formalitet,por ishalla zoti e ben qe te padrejteve tu tregohet vendi

  2. mir mo fatos pse tani po thua se po friken socialistet jo fatos ata e dinin shum mire perfundimin por me vjen kec per ty se shum afer tyre je dhe nuk ditke histori se fle (lepuri) ata e din por tani pritet te zhduken disa gjera te vogla qe mos te na prek kryetarin pastaj do habitesh ti dhe une dhe te tjjere se si ulkonja do haje kelysht e vet qe kjo ndodh ne erbain kur dimri eshte i ftohte .te pershendes Muc pak me i drejtperdrejt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *