• |
ide | kryesore

Po vjen Silvio Berluskoni, një “kufomë” e ringjallur

Planet



Nga Christoph Hasselbach

“Berlusconi jeton”, ishte titulli i së përditshmes “La Verità” në artikullin e saj. Ndërsa një karikaturë në “Corriere della Sera” e tregon Berlusconin duke dalë nga një varr si Llazari në Testamentin e Ri.

81-vjeçari ka qenë 4 herë kryeministër dhe ka lënë pas një sërë skandalesh, afera seksuale dhe një gjykim për evazion fiskal. E megjithatë influenca e tij në politikën italiane është sërish e pranishme. Ai vetë nuk kandidonte në zgjedhjet rajonale në Sicili. Sidoqoftë Berlusconi në sfond është përpjekur që kampi i qendrës së djathtë me Nello Musumeci të ketë një kandidat të përbashkët e ai ka bërë fushatë për të. Musumeci fitoi zgjedhjet me 40%. “Sicilia, ashtu sikurse e kam kërkuar unë, ka votuar për rrugën e ndryshimeve”, – shprehet i entuziazmuar Berlusconi në një mesazh me video në Facebook.

Vërtet Sicilia tradicionalisht zgjedh në mënyrë konservatore, por kryeministri i deritanishëm socialdemokrat ishte një përjashtim. Ndërsa aleanca e Musumecis është më shumë se sa konservatore. Ajo bashkon partinë e moderuar të djathtë të Berlusconit, “Forza Italia” me Lega Nord ksenofobe si dhe me një parti tjetër të ekstremit të djathtë me emrin “Vëllezërit e Italisë”. Vetë Musumeci konsiderohet si “postfashist”.

Partia më e fortë si parti më vete doli lëvizja kritike ndaj Europës, “Pesë Yje” me rreth 35%, ndërsa socialdemokratët janë ndëshkuar ashpër nga zgjedhësit. Kampin e qendrës se majtë e ka dëmtuar jo vetëm bilanci i dobët i politikës rajonale, por edhe përçarjet brenda vetes. Kjo vlen edhe në nivelin kombëtar. Tek e fundit pjesëmarrja e ulët në votime pasqyron frymën në ishull: më pak se 1 në 2 zgjedhës ka votuar.

Problemet e Sicilisë janë problemet e Italisë

Në thelb problemet e Sicilisë janë edhe problemet e të gjithë Italisë, vetëm se më keq: borxhe të larta, papunësi e lartë (tek të rinjtë është i prekur më shumë se një në dy vetë), rritje e dobët ekonomike, influencë e mafies. Këtyre u shtohet edhe kriza e refugjatëve prej afërsisë me Afrikën. Partitë e djathta në luftën elektorale ngrinin zërin kundër migrantëve – e me sa duket me këtë temë kanë tërhequr elektorat. Ndaj edhe zgjedhjet rajonale konsiderohen si test për zgjedhjet parlamentare në maj të vitit të ardhëm në mbarë Italinë.

Nëse u referohesh rezultateve në Sicili, Italia ndodhet para një zhvendosjeje të qartë, larg socialdemokratëve dhe drejt lëvizjes “Pesë Yjet” ose aleancës së re të qendrës së djathtë si në Sicili. Kandidati kryesor i “Pesë Yjeve”, Luigi di Maio është aq i sigurt për kauzën e partisë së tij, sa ai e “konsideron të vdekur politikisht” ish-kryeministrin socialdemokrat Matteo Renzi.

Berlusconi, për të penguar “Pesë Yjet”?

Por një tjetër yll është ngjitur tani në qiellin politik, e ky është sërish Silvio Berlusconi. Ai e reklamon aleancën e djathtë sociale si një alternativë serioze kundrejt “Pesë Yjeve”. Ai, personifikimi i skandalit, u premton sicilianëve pas fitores “kthesë rrënjësore, të ndershme, konstruktive bazuar tek ndershmëria, kompetenca dhe përvoja”. Maurizio Gasparri, kryetari i grupit parlamentar të Forza-Italia-s në senat tha: “Humbja e socialdemokratëve është evidente. Aleanca e qendrës së djathtë me programin e saj të arsyeshëm, që është projektuar nën kujdesin e Berlusconit, ka gjetur mbështetjen e zgjedhësve.”

Por përse kjo ringjallje e Berlusconit të zhytur në skandale?

Historiania Anna Foa në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuter konstaton me dëshpërim: “Ky është një vend, në të cilin fiton votat e zgjedhësve, duke shkelur rregullat.” Ndërsa kolegu i saj Giovanni Orsina mendon: “Berlusconi është si një makinë e përdorur me garanci. E di se çfarë merr.”

Tani për tani nuk duket sikur socialdemokratët në pushtet do të mund t’i rifitojnë zgjedhjet vitin e ardhshëm. Nëse lëvizja “Pesë Yjet” nuk fiton, atëherë do të jetë aleanca e qendrës së djathtë nën drejtimin e Berlusconit, ajo që do të vijë në pushtet. Deri tani Berlusconi pas dënimit duket se nuk do të mund të bëhet më kryeministër. Por 81-vjeçari shpreson, që Gjykata Europiane e te Drejtave të Njeriut deri atëherë do ta rrëzojë vendimin. Por edhe sikur ai të mos bëhet kryeministër, nëse fiton aleanca e tij e Forza Italia-s, Lega Nord-ti dhe “Vëllezërve të Italisë”, Berlusconi do të jetë burri i fuqishëm në sfond. Ky do të ishte një “Comeback” i pashembullt.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *