• |
ide | kryesore

Një vit President i SHBA, postimet në Twitter më me ndikim të Donald Trump…

Planet, Të fundit



Viti i parë në detyrë për Presidentin Donald Trump është karakterizuar nga postimet e shumta në rrjetin social Twitter, për të anashkaluar mediat tradicionale që ai i shikon shpesh si armiqësore dhe për të komunikuar drejtpërdrejt me popullin amerikan.

Postimet në Twitter, shpesh nga dhoma e tij e gjumit në Shtëpinë e Bardhë apo ndonjë vendpushim në fundjavë, kanë patur ndikime të ndryshme, duke ngacmuar, hutuar dhe zemëruar ndjekësit e tij. Shpesh ai sinjalizon ndryshime të politikës që kanë detyruar ndihmësit e tij të nxitojnë për t’iu përshtatur situatës.

Ndërsa mbyllet viti i parë i mbushur plot ngjarje, Zëri i Amerikës ka hartuar një listë me dhjetë postimet e Presidentit Trump në Twitter që kanë patur më shumë ndikim deri sot, e matur me numrin se sa herë postimi është shpërndarë nga ndjekësit e tij. Së bashku, postimet në Twitter ofrojnë një përmbledhje të disa prej pikave kulmore të vitit të parë të presidentit.

Kur kishte vetëm një ditë që kishte ardhur në Shtëpinë e Bardhë, më shumë se 1 milion njerëz morën pjesë në “Marshimin e Grave” në Uashington me 21 janar, për të protestuar inaugurimin e zotit Trump.

Presidenti Trump iu drejtua postimeve në Twitter ditën që pasoi duke përqeshur protestuesit, e kryesisht pjesmarrësit e famshëm, si feministja Gloria Steinem, apo ylli i muzikës Madona dhe aktorja Scarlett Johansson. “Pashë protestat dje por mesa di zgjedhjet kanë mbaruar!”, thoshte postimi i presidentit. “Përse nuk votuan këta njerëz? Të famshmit e lënduan keq kauzën e tyre”.

Image

Por vetëm dy orë më pas, presidenti i ri shfaqi një ton më pajtues përmes një tjetër postimi në rrjet. “Protestat paqësore janë shenjë dalluese e demokracisë sonë. Edhe pse jo gjithmonë mund të mos pajtohem, e njoh të drejtën e njerëzve për të shprehur pikëpamjet e tyre.”. Ky postim u shpërnda 81,527 herë, duke e bërë postimin e dhjetë më të shpërndarë gjatë vitit të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Ishte fundi i muajit maj që shënoi hapjen e protokollit diplomatik me vizitën e parë jashtë vendi të Presidentit Trump. Vizita në Arabinë Saudite u shoqërua me një pritje luksoze dhe nderime nga sauditët.

Në një kthesë të befasishme për një president që kishte kritikuar myslimanët gjatë fushatës elektorale, zoti Trump u kërkoi udhëheqësve rajonalë që të bashkoheshin me Shtetet e Bashkuara për të luftuar terrorizmin global.

Ai tha gjatë një takimi rajonal me dhjetëra udhëheqës myslimanë arabë në Riad se bota ishte në “një betejë mes së mirës dhe së keqes”. Menjëherë pas zbritjes në Riad me 20 maj, Presidenti Trump postoi në Twitter një foto nga mbërritja në tapetin e kuq duke thënë: “Kënaqësi që jam në Riad të Arabisë Saudite. Në pritje të takimeve pas drekës dhe në mbrëmje. #POTUSAbroad https://t.co/JJOra0KfyR .” I shpërndarë 97,992 herë, ky postim zë vendin e shtatë për nga popullariteti.

Kur kishte pak më shumë se një javë që ishte kthyer në Uashington, Presidenti Trump postoi atë që njihet si komenti i tij më i çuditshëm deri më sot: “Pavarësisht shtypit vazhdimisht negativ ‘covfefe’…(shprehje pa kuptim).”

Postimi që asnjëherë nuk u sqarua plotësisht, nxiti teori të ndryshme, që nga përgjumja me gishtin në tastierë, e deri tek një sugjerim nga një akademik i respektuar se postimi ishte një lloj, “taktike për tërheqjen e vëmendjes”.

I pyetur rreth mesazhit të mistershëm, ish sekretari i atëhershëm i shtypit në Shtëpinë e Bardhë Sean Spicer u shpreh: “Presidenti dhe një grup i vogël njerëzish e dinë saktësisht se çfarë donte të thoshte”.

Edhe pse shtypi këmbënguli për sqarim, zoti Spicer nuk u përgjigj duke zhgënjyer korpusin e shtypit të hutuar nga postimi.

Megjithatë, Presidenti Trump nuk dukej i shqetësuar nga konfuzioni që kishte shkaktuar postimi i tij.

Më vonë atë ditë, një tjetër postim i tij thoshte: “Kush mund ta gjejë kuptimin e vërtetë të ‘covfefe’ ???Shijojeni !” Dy postimet u shpërndarë respektivisht 127, 507 herë dhe 85, 555 herë, duke zënë vendin e katërt dhe të nëntë të vitit.

Me 6 qershor Presidenti Trump përsëri trazoi ekspertët e politikës së jashtëme duke mbajtur një qëndrim të papritur në një mosmarëveshje që ziente mes Arabisë Saudite dhe një vendi të vogël por të pasur në Gjirin Persik, Katarin.

Në një lëvizje që befasoi ekspertët, Riadi dhe aleatët tij fillaun përpjekjet për të izoluar diplomakisht dhe ekonomikisht Katarin, nën akuzat se po financonte përpjekje të ndryshme terroriste. Veprim që mund të ketë krijuar një dilemë për Shtetet e Bashkuara, që ka marrëdhënie të mira me Katarin, vend i cili strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Por zoti Trump postoi në Twitter miratimin e tij të qartë dhe madje dukej se ja atribuonte vetes meritat.

“Gjatë udhëtimit tim në Lindjen e Mesme theksova se nuk mund të ketë më financime për ideologjinë radikale. Udhëheqësit treguan me gisht Katarin – shikoni!”

Postimi zuri vendin e tetë me një total prej 87, 163 shpërndarjesh në median sociale.

Katër javë më vonë, Presidenti Trump shënoi grindjen më të thellë me mediat amerikane të lajmeve duke postuar një video të montuar që tregonte atë që pëleshej dhe grushtonte një figurë me logon e rrjetit televiziv CNN mbi të.

Drejtuesit e rrjetit CNN, të cilin zoti Trump e ka etiketuar si burim “lajmesh të rreme”, nuk e pritën mirë videon e cila ishte një ndeshje e improvizuar nga eventi “Wrestlemania” dhjetë vjet më parë ku zoti Trump përleshej në ring.

“Është një ditë e errët kur presidenti i Shteteve të Bashkuara nxit dhunë kundër gazetarëve”, u shpreh rrjeti CNN përmes një deklerate zyrtare.

Por këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë e vendit, Tom Bossert, e hodhi poshtë këtë ide. “Askush nuk do ta përceptojë atë si kërcënim; shpresoj që kjo të mos ndodhë”, tha ai për rrjetin televiziv ABC.

Postimi i presidentit zuri vendin e parë duke u ndarë 369, 530 herë në median sociale Twitter.

Arabia Saudite u bë përsëri objekt i postimeve të vitit nga Presidenti Trump. Në fillim të nëntorit, pas një goditje ndaj korrupsionit të udhëhequr nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, disa pjestarë të familjes mbretërore u vunë nën arrest në hotelin luksoz Ritz Carlton në Riad.

Princi saudit Alëaleed bin Talal, një nga njerëzit më të pasur në botë, ishte mes të arrestuarve nga familja mbretërore, ministrave të qeverisë dhe investitorëve. Ky veprim bëri që analistët të thelloheshin nëse lëvizja vërtet kishte të bënte me korrupsion apo me kapje pushteti nga princi ambicioz i kurorës – dhe nëse kjo mund të destabilizonte mbretërinë.

Por duket se dyshime të tilla nuk përbënin shqetësim për zotin Trump, i cili postoi me 6 nëntor. “Kam besim të madh tek Mbreti Salman dhe Princi i Kurorës se ata e dinë saktësisht se çfarë po bëjnë. Postimi u ripostua nga ndjekësit 98, 277 herë duke rënditur në vendin e gjashtë të vitit.

Lufta e gjatë e fjalëve me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfundimisht u rëndit në rradhën e postimeve kryesore me 12 nëntor, kur presidenti i rezervoi kohë një postimi, gjatë një udhëtimi 12 ditor në pesë vende të Azisë, duke reaguar ndaj një fyerje nga njeriu që ai i ka vënë nofkën “Njeriu i vogël me raketë”.

“Pse Kim Jong-un do të më fyente mua duke më quajtur ‘plak’ unë KURRË nuk do ta thërrisja ‘shkurtabiq dhe kokëtrashë’ ? Do të përpiqem shumë të bëhem miku i tij – dhe ndoshta kjo mund të ndodhë një ditë”.

Ky postim i Presidentit Trump zuri vendin e dytë të vitit duke u shpërdarë 272, 776 herë nga ndjekësit.

Më pas në një konferencë shtypi në Hanoi, zoti Trump u pyet nëse ishte e mundur që të dy mund të bëheshin miq ndonjëherë. “Mendoj se gjithçka është e mundshme”, u përgjigj presidenti. “Gjëra të çuditshme ndodhin në jetë. Kjo mund të jetë një gjë e çuditshme, por sigurisht që është një mundësi.”

Tendeca e zotit Trump për politikë të jashtëme përmes postimeve në Twitter vazhdoi edhe gjatë vitit 2018. Ditën e parë të vitit presidenti akuzoi Pakistanin për strehim të terroristëve që sulmojnë forcat amerikane në Afganistan, duke kërcënuar për prerjen e ndihmave amerikane për Pakistanin.

“Shtetet e Bashkuara në mënyrë të pamatur i kanë dhënë Pakistanit më shumë se 33 miliard dollarë ndihma gjatë 15 viteve të fundit dhe ata nuk na kanë dhënë gjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe mashtrimit duke menduar se udhëheqësit tanë janë budallenjë. Ata u japin strehë të sigurtë terroristëve që ne ndjekim në Afganistan me pak ndihmë. Kjo nuk do të ndohjë më”, thoshte postimi i Presidentit Trump.

Pak orë më vonë, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalonin 255 milion dollarë në ndihma ushtarake për Pakistanin në pritje të një rishikimi të nivelit të bashkëpunimit nga ai vend në luftën kundër terrorizmit.

Postimi i presidentit u nda 101, 854 herë nga pasuesit duke u renditur në vend të pestë gjatë vitit.

Kim Jong Un erdhi në qendër të vëmendjes dy ditë më pas për një postimi që sëbashku me publikimin e librit që ‘tregon gjithçka’ “Fire and Fury” – ushqyen një valë spekulimesh në Uashington rreth stabilitetit mendor të zotit Trump.

“Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un sapo theksoi se ‘butoni bërthamor është në tryezën e tij gjatë gjithë kohës’. A mundet dikush nga regjimi i tij i varfër dhe i uritur ta informojë që butoni im bërthamor është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se butoni i tij, dhe se butoni im funksionon.”

Senatorët demokrat të opozitës shprehën ankth. “Është e turpshme dhe kundërproduktive, dhe e rrezikshme”, tha Senatori Ben Cardin i shtetit Meriland.

Senatori Sheldon Ëhitehouse i shtetit Rode Ajland tha për Zërin e Amerikës: “E vë presidentin e Shteteve të Bashkura në pozitën e të qënit ‘teveqel’ ose e të paturit me të vërtetë seriozisht për sulm bërthamor.”

Senatori republikan John Barroso nga shteti Uajoming (Wyoming) e mirëpriti postimin duke thënë : “Më në fund kemi një president që po merret me problemin, ndryshe nga sa kemi parë më parë, një injorim të problemit”.

Postimi i Presidentit Trump në Twitter zuri vendin e tretë që nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke u shpërndarë 194, 480 herë nga pasuesit. /VOA/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *