• |
ide | kryesore

Arta Marku bën publike strukturën e re të Prokurorisë së Përgjithshme

Lajme, Të fundit



Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku paraqiti ndryshimet në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme. Marku zhvilloi një takim pune me prokurorët dhe drejtorët.

Ndryshimet janë kryer pas këshillimeve me drejtorët e Drejtorive dhe përputhshmërish në zbatim të paketës së re të Reformës në Drejtësi, bëjnë me dije burime zyrtare nga Prokuroria.

Gjithashtu ndryshimet janë bërë mbështetur në rregullimin e veprimtarisë së prokurorisë nga kjo reformë, sipas dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.

Angazhimi tërësor dha sukses, kryesisht në ngritjen në rang drejtorie të Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve.

Në këtë drejtori, sektori i hetimit disiplinor, krijohet pas thuajse një viti si risi dhe në përputhje me kërkesën e posaçme të dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016, neni 160, pika 5.

Marku theksoi se kjo drejtori, do të ofrojë kapacitetet më të mira në funksion të hulumtimit të problematikave gjatë zbatimit të ligjit në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.

Kjo drejtori do të reflektojë gjithashtu udhëzimet me karakter të përgjithshëm të Kryeprokurorit, elaburimin e fushave ku mund të ndërtohen projekte të së ardhmes së prokurorisë, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të burimeve të prokurorisë.

Në përputhje me të drejtën e informimit publik dhe rolin e pazëvendësueshëm të medias,saktësojmë ndryshimet në strukturën e re të Prokurorisë së Përgjithshme:

1-Drejtoria Gjyqësore;

2-Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;

3-Drejtoria e Përgjimeve të Telekomunikimit dhe Marrëdhënieve me Shërbimet Informative;

4-Drejtoria e Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve;

5-Drejtoria e Teknologjisë, Informacionit dhe Ekspertizës Kibernetike.

6-Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.

Në mbledhje u prezantua edhe Kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm.

“Trupa e prokurorëve ndodhet përpara procesit historik të rivlerësimit për vetë prokurorët dhe tërë sistemin e drejtësisë. Mbështetje të vendosur për çdo prokuror për të vazhduar me përkushtim ushtrimin e funksioneve, që procesin e rivlerësimit ta shohin jo si ndëshkim, por si mundësi për dinjitet, reputacion për vete dhe institucionin. Ky proces është i domosdoshëm për të përmirësuar problematikat e të shkuarës dhe për të vazhduar me forcë përpara në shërbim të interesave madhore të përbashkëta”, tha Marku.

Bashkërisht, Marku çmoi me bindje mundësimin e përparimit të vazhdueshëm të prokurorisë në garantim të zbatimit të ligjit dhe përmbushjen e misionit të saj kushtetues.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *