• |
ide | kryesore

Patozi: I bashkohem protestës së opozitës më 27 janar

Lajme, Të fundit



Nëpërmjet një statusi në Facebook, Astrit Patozi deklaroi se do t’i bashkohet protestës së opozitës më 27 janar.

Patozi thekson se edhe pse shumë shqiptarë mendojnë se sikurse qeveria e Ramës, edhe opozita e Bashës nuk i duhen Shqipërisë, kjo i takon një dite tjetër.

Duke numëruar disa arsye se pse nuk duhet protestuar pas Bashës më 27 janar, kritiku i Bashës shprehet se imediat është largimi i qeverisë së Edi Ramës.

POSTIMI I ASTRIT PATOZIT NË FACEBOOK?

PËRSE LULZIM BASHA NUK MË PENGON DOT TË PROTESTOJ?

Unë nuk kam asnjë arsye mbi tokë që të ndjek Lulzim Bashën, por kam një mijë arsye për të qenë gjithmonë atje ku më takon. Kam bindjen se janë të shumtë ata që e mendojnë si unë, ndaj dhe ne besoj se do të jemi bashkë në protestën e 27 janarit.
Pozicioni kundër kësaj qeverie përcaktohet nga e gjithë jeta ime politike dhe publike, që nuk është aq e shkurtër, ndërsa orientimi im i djathtë i ka rrënjët shumë kohë përpara vitit 1944. Dhe si i tillë nuk ka nevojë të çertifikohet nga askush, aq më pak nga bashkautori i paktit okult të 18 majit.
Ndaj si njeri politik do të jem kudo, ku ka njerëz të zemëruar me këtë qeveri, qoftë edhe vetëm për faktin se unë jam njëri prej tyre.
Natyrisht arsyet e mia pse do të jem atje janë krejtësisht të tjera me të Lulzim Bashës, po aq sa janë edhe përgjegjësitë për katandisjen e Partisë Demokratike në një gjendje dëshpëruese, të cilën nuk e zgjidh dot kjo protestë, edhe sikur të jetë më madhështorja e të gjitha kohërave.
Unë do të jem atje edhe pse e di që Lulzim Basha do të përpiqet ta privatizojë protestën thjesht dhe vetëm për të shtyrë ditët e veta. Por edhe pse sikur e kam para syve që tani se si do ta shfrytëzojë revoltën e sinqertë të njerëzve, sërish ky më duket hall më i vogël, sesa kostoja që paguajmë për qeverisjen skandaloze të Edi Ramës.
Ndaj unë do të jem atë ditë në vendin, që më takon, edhe pse e di që kjo dikujt nuk do t’i pëlqejë dhe interesojë. Por unë nuk kam ndërmend t’u jap asnjë sekondë kënaqësi atyre që nuk duan të më shohin aty. Të cilët nuk ka nevojë t’i përmend me emra.
Gjatë këtyre ditëve kam dëgjuar me “qetësi dhe dashuri” plot zëra “radikalësh” me porosi, që flisnin për figura opozitare që nuk e donin protestën, ndonëse askush prej nesh nuk kishte thënë një gjysëm fjale kundër saj.
Por edhe sikur të kishte ndodhur diçka e tillë, në një rast hipotetik, çfarë mendonin këta të marrë, që do t’i nxirrnin njerëzit me zor në protestë?
Që këta trimat apo sejmenët e Lul Bashës do të dilnin në shesh e do të merrnin mungesat edhe mjerë ai që nuk do t’i përgjigjej apelit?
Por kur ka ndodhur ndonjëherë në botë kjo? Ndërkohë që dihet prej mijëra vjetësh që në varrime dhe protesta shkojnë vetëm vullnetarët.
Unë njoh me qindra dhe mijëra opozitarë që nuk do të vijnë atë ditë vetëm se nuk besojnë më fare tek kryetari i Partisë Demokratike dhe, aq më keq akoma, tek aleanca e tij me LSI-në.
Jam plotësisht i bindur se atje do të mungojnë edhe ata dhjetëra intelektualë dhe aktivistë shoqërorë, që iu bashkuan vjet me entusiazëm kauzës së drejtë, por të tradhtuar keq të çadrës. Nuk ishin aq shumë, por pjesa më e madhe e tyre ishin cilësorë, ndaj edhe mungesa dhemb dyfish.
E kam të vështirë të besoj që ata do të kthehen sërish në vendin ku u mashtruan një herë, aq më tepër kur kanë dëgjuar edhe udhëheqësin e “Republikës së Re” që i thotë kryeministrit se nuk mund të gënjehet për herë të dytë.
Por edhe pse e mendoj ndryshe, unë i mirëkuptoj plotësisht ata, sepse thjesht nuk duan që dikush t’i numurojë si delet e Lulzim Bashës atë ditë.
Për aq vlerë sa ka fjala ime, do t’i ftoja modestisht dhe miqësisht ata që të ishim bashkë më 27 janar, sepse askush nuk mund t’i zëvendësojë, aty ku e kanë vendin.
Sepse të shtunën është dita për të treguar se Shqipëria nuk e meriton qeverinë e Edi Ramës dhe këtë mund ta bëjnë vetëm opozitarët.
Natyrisht, janë qindra mijëra ata shqiptarë, që mendojnë se e njëjta logjikë vlen edhe për opozitën, por kjo i takon një dite tjetër.



2 Comments

  1. “Une e dij se qindra e mijëra opozitarë nuk do të marin pjesë në këtë protestë” -shkruan renegati Patozi.
    Forma më e ndyrë për ta sulmuar protestën e opozitës.
    I këshilloj këtij politikani mediokër e inatçi, që më mirë të mos duket fare në rradhët e protestuesve derisa paska këtë mendje. Shqiptarët nuk do të dalin e protestojnë as për fytyrën fisnike të Bashës e as për fytyrën e shëmtuar të Patozit, por për të keqen e madhe që i ka zënë me këtë qeverisje kriminale.
    Puna më e mirë që mund të bësh o Patozi, është të qëndrosh në shtëpi e të shihesh në pasqyrë për ta krahasuar veten realisht me Bashën.
    Nuk e kam fjalën këtu për portretin fizik, ndonëse edhe këtu je i humbur, por për performancën politike, intelektuale e menazhuese qeverisëse, për të cilat je shumë, shumë larg nga Lulzim Basha.
    Po të shohin protestuesit fytyrën tënde në protestë, nuk është çudi që të të ngatërojnë me Gramoz Ruçin të cilit i ngjet shumë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *