• |
ide | kryesore

Basha nis fjalën me vargjet e Migjenit: Ky është zgjimi i një populli për dramën e tij

Lajme, Të fundit



Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij përpara protestuesve duke cituar vargjet e Migjenit. Ai kërkon largimin e Edi Ramës nga qeveria dhe nisjen e reformës kushtetuese e zgjedhore.

Më poshtë fjala e Bashës.

Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë. Kështu e përshkroi Migjeni zgjimin e një populli për të parë dramën e tij. Një vit më parë, mijëra e mijëra shqiptarë u mblodhëm në këtë shesh për të ndalur të keqen.Mijëra të tjerë na panë nga larg, duke shpresuar se e keqja nuk ishte e vërtetë.  Sot, ne që jemi këtu shumë më shumë se me 18 shkurt por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë! E keqja nuk ikën po nuk u luftua.  E keqja nuk ikën po nuk u bashkuam të gjithë kundër saj. Dhe ja ku jemi bashkuar sot, në një plebishit popullor nga më madhështorët që ka njohur historia e demokracisë.  Mirë se keni ardhur zonja dhe zotërinj në këtë orë të madhe dhe vendimtare të bashkimit popullor kundër së keqes. Mirë se keni ardhur në këtë shesh të historisë dhe së ardhmes, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, studentë dhe pedagogë, profesionistë, intelektualë dhe të papunë, të përndjekur dhe pronarë, fermerë dhe sipërmarrës, naftëtarë, minatorë, ambjentalistë, prindër dhe femijë, nga Jugu në Veri, anembanë Shqipërisë!

Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.  Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.
Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshura, nëna e baballarë, deshmoni këtu me praninë tuaj fundin fundin e raporteve politike të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit.

Me këtë protestë, me këtë demostrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Shqipëria prej sot ka një raport të ri të forcave politike, një raport të ri mes qytetarit dhe pushtetit.
Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit.
Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës.
Deri dje e dinin vetëm disa.
Sot e dinë të gjithë shqiptarët.
Sot e e ka pare gjithë bota.
Sot kemi zgjedhur të mos vuajmë më thellë e më thellë.
Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë.
Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik.
At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij.
Shqipëria ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre.
Kjo po ndodh sot.

Në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë.
Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.
Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë.

Vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave.

Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës.

Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës.

Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.

Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës. 

Kjo bandë po e realizon projektin e saj për pushtet absolut duke kërkuar të arrijë:
1. Përqëndrimin në pak duar të pushtetit politik dhe ekonomik të vendit;
2. Eksodin e shqiptarëve, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë;
3. Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij.
Hidhni vështrimin dhe shikoni si po shpaloset kudo ky projekt:
Pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me PPP, me koncesion, me korrupsion.
Shëndetësia, arsimi, nafta, bregdeti, parqet çdo gjë që duhet t’u shërbente shqiptarëve po grabitet nga oligarkët e Ramës. 

E gjithë toka e Shqipërisë iu vu në dizpozicion drogës, dhe i gjithë shteti u vu në shërbim të trafikut të drogës, e gjithë policia u kthye në organizatë kriminale.
Me paratë e drogës u blenë zgjedhjet.
Me paratë e drogës tani po blihet ekonomia,
Investitorët e huaj u injoruan, u mbajtën larg.
Ata që ishin në Shqipëri u rrahën dhe u përzunë që oligarkët qe ulen nate per nate ne sofrën e Ramës dhe kriminelët të mos kishin konkurencë.
Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori tepër shqiptarët në vendin e tyre si asnjeherë tjetër.
Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim. Nuk është lëvizje e lirë.
Shqipëria kështu vdes.
Ne nuk mund të pranojmë këtë. 

Integrimi në Europë u sabotua, sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të kësaj bande.
Njerëzit e thjeshtë u shpërfillën, u përçmuan, u trajtuan me arrogance dhe u dhunuan.
Për t’i frikësuar,
Për t’i bërë të pafuqishëm,
për tjua ulur kokën
Mbi ta po rëndojnë taksat e rritura, çmimet që nuk ndalen dhe dënimet e gjobat e zyrtarëve të shtetit që sillen si plackitës.
Mbi shqiptarët sundon papunësia, sundon varfëria.
Mbi shqiptarët rëndon padrejtësia, standarti i dyfishtë i Ramës që dënon të varfrin dhe të dobtin, mbron të kriminelin dhe hajdutin.
Kujtojmë sot 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes që Edi Rama e arrestoi dhe u çoi në vetëvrasje për një cigare hashash. Për Saimir Tahirin dhe Habilajt që janë kapur me miliona nga trafiku I drogës, Edi Rama ka ngritur shtetin në këmbë që ti mbrojë. 

Melita Çenga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Resmije Alla 35 vjeç humbi jetën sepse donte që fëmija e saj azmatik të kishte dritë se nuk kishte mundësi të paguante. Qindra pacientë presin më kot ilacet e premtuara por që nuk vijnë. Sepse Edi Rama i paguan vetëm Vilma Nushit 20 mijë euro në ditë nga taksat e shqiptarëve.

Qamil Zela, i burgosur, i vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHE-se Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, i ka çuar Edi Rama drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por Besos dhe miqve të tij ju fal Miliona euro. Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.

Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.
Për njerëzit e thjeshtë qeveria Edi rama sot ka vetëm dy zgjedhje: eksod ose nënshtrim.
Ose të marrin rrugët e botës
Ose t’i nënshtrohen një bande mizore plaçkitëse, e maskuar me rrobat e babagjyshit të Vitit të Ri, që i grabit, i varfëron, i tall dhe i dhunon.
Në vend të pushtetit të njerëzve, narkokryeministri i do njerëzit janë skllevër të pushtetit.
Skllevër të oligarkëve.
Skllevër të krimit.
Skllevër të mashtrimit
Skllevër të varfërisë.
Ne jemi sot këtu për ta ndalur këtë të keqe.
Që ekonomia e Shqipërisë të mos mbetet në duart e oligarkëve grabitqarë dhe të kriminelëve.
Që qeveria mos të jetë një vegël në shërbimin e tyre.
Që Fatkeqësia dhe mjerimi i një brezi mos t’i kalohet brezave që vijnë.
Që Shqipëria mos të shkretohet nga braktisja.
Në të shkuarën tonë ne jemi gënjyer shpesh nga e keqja.
Në të shkuarën tonë ne e kemi duruar dhe toleruar gjatë të keqen.
Derisa e keqja na ka rrënuar.
Në të shkuarën ne kemi besuar lehtë.
Jemi gënjyer lehtë.
Dhe nuk kemi menduar gjatë. 

Sot në ditën botërore të Holokaustit është e udhës të kujtojmë thënien ogurzezë të Hitlerit: Sa fat i mirë për qeveritë kur njerëzit nuk mendojnë! 

Mafia në pushtet shpenzon çdo muaj miliona euro për të gënjyer, për të mashtruar, për të keqinformuar, për të shplarë mendjet e njerëzve.
Mafia në pushtet ka ngritur makinerinë më të madhe të propagandës që ka patur ndonjëherë Shqipëria.
Mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh të zezën.
Propagandë me para droge që tu mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie.
Se avionët e drogës janë mushkonja dhe kanabisi që shikonin kudo imagjinatë dhe jo realitet.
Se trafikantët dhe përdhunuesit janë deputetë dhe kryebashkiakë që punojnë dhe sakrifikojnë për Shqipërinë.
Se gjelbërim është të zësh parqet me kulla betoni dhe të mbjellësh bar në tarracë.
Se oligarkët grabitqarë janë bamirës që punojnë për Shqipërinë.
Mafia në pushtet paguan cdo ditë ushtrinë e mercenarëve që i shërbejnë për t’i llustruar faqen e saj të zezë.
Mercenarë të pacipë që politikanin në shërbim të krimit e shesin për njeri që po lufton krimin!



1 Comment

  1. Vetem ne shqiperi shitet deti dhe toka dhe shteti.Basha nje karuc qe duhet te rrije hija e Sales dhe Fazllicit.As ne hale te gomereve nu k shkohet me kete bole.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *