• |
ide | kryesore

INVESTIGIMI: Brenda dy viteve zhduken 13 “peshkatarë në Vlorë, dyshime se janë viktima të trafikut të drogës

Arkiva

Gjatë dy viteve të fundit, 13 persona janë zhdukur në qytetin e Vlorës, një pjesë e të cilëve dyshohen se janë mbytur në det në përpjekje për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë- rrethana për të cilat familjarët ankohet se nuk ka pasur hetime.

Nga Lindita Çela

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet, Ferzilete Senkaj jeton me shpresën se Leonardi është ende gjallë. Gruaja e moshuar nuk do ta besojë që djali i saj është mbytur në përpjekjen e radhës për të kaluar drogë në anën tjetër të detit.

“Transportonte lëndë narkotike. Asnjë nuk ia kërkonte këtë. E bënte atë rrugë pa miratimin tonë, pa na pyetur ne dhe kur erdhi puna, një ditë nuk u kthye,” tregon ajo pa mundur të vërë gishtin se kush e ka dërguar të birin në rrugën e fundit drejt Italisë.

Sipas familjes, Leonard Senkaj u zhduk pa gjurmë më 27 dhjetor 2015, pasi bashkë me një shokun e tij është nisur me gomone drejt Italisë.

“Na thanë shokët e tij që ka dalë për peshkim. Ka bërë rrugën e Italisë, rrugën e pafundme,” kujton Ferziletja, sipas së cilës kjo nuk ishte hera e parë që i biri drejtonte skafin drejt brigjeve italiane.

“Ishte një çikë i zoti ai. Po ç’e do, humbi veten dhe ne,” shtoi ajo.

Leonard Senkaj nuk është i vetmi i ri nga Vlora që ëzhtë zhdukur në det ose është mbytur. Të dhënat e grumbulluara nga BIRN tregojnë që gjatë dy viteve të fundit, nëntë persona janë zhdukur ose janë gjetur të mbytur në brigjet e Vlorës, që sipas burimeve në policinë e vendore dyshohet se janë viktima të trafikut të drogës.

Policia e Vlorës i tha BIRN përmes një përgjigjeje me shkrim se gjatë vitit 2016 dhe 2017 rezultojnë të humbur 13 shtetas, dy prej të cilëve dyshohet se kanë humbur jetën në det duke trafikuar lëndë narkotike.

Në përgjigjen e saj, policia shtoi se gjatë viti 2016 janë gjetur të mbytur tre shtetas, të cilët “nuk kanë qenë të shpallur të humbur dhe nuk dyshohet se mund të kenë humbur jetën në tentativë për trafikim të narkotikëve.”

Zhdukjet nuk hetohen

Brigjet shqiptare dhe italiane në detin Adriatik ndahen nga kanali i Otrantos, ku pika më e afërt është qyteti i Vlorës. Sipas policisë italiane, gjatë dy viteve të fundit trafiku i paligjshëm i kanabisit midis Shqipërisë dhe Italisë ka shenjuar rritje eksponenciale. Vetëm në zonën e Pulias, policia italiane ka deklaruar se ka sekuestruar mbi 50 ton lëndë narkotike dhe ka arrestuar 35 persona në kushtet e flagrancës, teksa tentonin të kalonin me gomone të shpejta kanabis në Itali nga Shqipëria.

Pjesë e këtij trafiku dyshohet se ka qenë dhe policia e Vlorës. Prej nëntorit 2017, ish drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë.

Nën hetim është vendosur dhe ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i dyshuar për lidhjet e tij me bandën e vëllezërve Habilaj, një organizatë kriminale që dyshohet se ka trafikuar tonela kanabis me gomone dhe peshkarexha drejt vendit fqinj.

Por ndërkohë që drejtësia po heton përgjegjësitë penale të politikanëve dhe policisë, familjarët e personave të zhdukur nga Vlora kërkojnë përgjigje për fatin e tyre.

Tre ditë pas zhdukjes së Leonardit në dhjetor 2015, Ferzilete Senkaj mori rrugët në kërkim të të birit. Në lokalin ku është parë për herë të fundit mbrëmjen e 27 dhjetorit 2015, në afërsi të shkollës së Marinës në Vlorë, gruaja 62 vjeçare ka gjetur çantën, telefonat dhe portofolin. Aty i kanë thënë dhe të bëjë denoncim në polici se Leonardi kishte ikur në Itali dhe nuk është kthyer.

Pak kilometra nga lagjja e ‘Ujit i Ftohtë’ ku jeton Ferziletja, një tjetër grua vlonjate vajton humbjen në det të të shoqit. I raportuar i humbur më 11 mars 2017, Ardian Hitaj u gjend i mbytur në anën veriore të ishullit të Sazanit dy muaj më vonë.

Bashkëshortja e viktimës, Valbona Hitaj i tha BIRN se oficerë të policisë së Vlorës i kanë kontrolluar shtëpinë dhe kanë kërkuar të dhëna mbi Ardianin që ditën e parë të zhdukjes së tij.

“Atë natë erdhi policia në shtëpi dhe filloi të më pyeste për Ardin, se ku ishte dhe me kë kishte dalë për peshkim. Ata erdhën edhe pas disa ditësh dhe bënin të njëjtat pyetje apo kërkon të dinin dhe numrat e telefonit që përdorte Ardi,” tregon Valbona Hitaj.

Por dhe pse nëna e tre fëmijëve i ka treguar gjithçka dinte për zhdukjen e bashkëshortit, Policia e Vlorës, sipas dokumenteve që BIRN disponon, e ka referuar ngjarjen vetëm pas gjetjes së trupit të tij të mbytur, dy muaj më vonë.

Rasti është raportuar si mbytje, duke iu referuar ekspertizës mjeko-ligjore, sipas të cilës trupit nuk i janë konstatuar shenja dhuna. Dy javë pas referimit të çështjes, më 26 qershor 2017, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale.

Edhe rasti i zhdukjes Leonard Senkajt dhe shokut të tij Taluant Çerenishti është raportuar nga Polica e Vlorës si “peshkatarë të humbur në det”, edhe pse vetë familja e Senkajt e pranon se ai ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Senkaj gjithashtu është dënuar më parë nga një gjykatë në Itali me 4.5 vjet heqje lirie për trafikimin e lëndëve narkotike.

Megjithatë, 12 ditë pas referimit të zhdukjes së tij në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, hetimet janë mbyllur me arsyetimit se faktet e referuara nuk përbëjnë vepër penale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për rastet e të zhdukurve në det, në Prokurorinë e Vlorës është vetëm një dosje e referuar nga policia, ku viktimat dyshohen se janë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Por dhe kjo dosje është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, ngjarje për të cilën burime zyrtare thanë se ende po vijojnë hetimet.

Dyshimet mbi policinë

Ariseld Maze jetonte në një shtëpi të papërfunduar në qendër të qytetit të Vlorës. Mëngjesin e 3 korrikut 2017, 32 vjeçari ka dalë nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë. Familja ka mësuar se Ariseldi ka dalë për peshkim së bashku me mikun e tij, Adriano Jahaj, i njohur si biznesmen në qytetin e Vlorës. Më pas, të dy miqtë janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Shtatë muaj pas zhdukjes së të birit, Përparim Maze i ka humbur shpresat se organet ligjzbatuese do të zbulojnë se çfarë ka ndodhur me të.

“Kush do më gjejë tim bir, kjo polici dhe prokurori e korruptuar? Më lini në dhimbjen time,” tha ai.

Familjarët e Adriano Jahajt kanë një shpjegim tjetër për ngjarjen.

“Babai im është nisur në qytetin e Durrësit për të marrë një mjet lundrues – që e kishte me dokumentacion të rregullt për ta sjellë në Vlorë. Por prej asaj dite, 3 korrik 2017, nuk kemi mundur të kontaktojmë as në telefon dhe as nuk është kthyer në shtëpi,” tregoi i biri, Klaudio Jahaj.

Rrethanat e zhdukjes së Ariseld Mazes dhe Adriano Jahajt janë rasti i vetëm për të cilët Policia e Vlorës e ka referuar në prokurori për dyshime në përfshirjen e trafikut të drogës.

“Nga ana e policisë gjyqësore janë ngritur dyshime se shtetasit Adriano Jahaj dhe Ariseld Maze, ditën e ngjarjes janë nisur me mjetin e tyre lundrues në drejtim të shtetit Italian me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike dhe nuk mund të përcaktohet nëse kanë mbërritur apo jo në brigjet italiane,” shkruhet në dosjen e referuar nga Policia në Prokurorinë e Vlorës, ku kërkohet regjistrimi i procedimit penal ndaj dy personave të zhdukur.

“Shtetasi Adriano Jahaj është person me precedentë të tjerë të mëparshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet rrugëve detare,” shton policia në referimin e saj.

Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencë lëndore për hetimin e rastit, duke ia kaluar çështjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Por megjithë referimin e ngjarjes nga Policia e Vlorës, zyrtarisht Adriano Jahaj nuk ekziston. Me këtë emër biznesmeni njihet vetëm mes miqsh në Vlorë, pasi në dokumente zyrtare dhe pronën e tij, një hotel te lagjja e njohur si “Uji i Flohtë” në Vlorë, është i regjistruar me emrin Fatosh Jahaj.

“Me këtë emër është nëpër dokumente zyrtare, por në Vlorë ai njihej me Adriano,’ shpjeguan për BIRN familjarët e biznesmenit të zhdukur.

BIRN ka mundur të identifikojë të paktën 8 raste të raportuara si peshkatarë të mbytur gjatë dy viteve të fundit, për të cilët burime që refuzuan të identifikoheshin të policisë së Vlorës, i lidhën me përfshirjen e tyre në trafikimin e lëndëve narkotike.

Një prej tyre është dhe Taulant Çerenishti, që besohet se është zhdukur së bashku me Leonard Senkajn.

Familja e Taulant Çerenishtit në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, pas zhdukjes së tij në det ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fqinjët shprehen me keqardhje për fatin e tij të trishtë, duke nënvizuar se shoqëria e keqe e çoi në rrugën e gabuar.

“Që kur u ndodhi ajo fatkeqësia me djalin e tyre, ikën të gjithë në Amerikë. Lani ishte djalë i mirë, por e hëngri deti, e hëngrën shokët,” thotë një prej fqinjëve të Taulantit, ndërkohë që shtëpia e tij- një ndërtesë e vjetër njëkatëshe, është drejt rrënimit.

BIRN

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu