• |
ide | kryesore

EU Reporter nxin Armand Dukën, skandalet e trukimeve dhe manipulimi i zgjedhjeve në FSHF

Sport



Në një artikull në EU Reporter, Armand Duka prezantohet përmes një sërë skandalesh që kanë shoqëruar drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Reputacioni i tij po digjet në flakë, sa më shumë ngirhen shqetësimet për drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit” shkruan gazetari Martin Banks.

Në kërkim të mandatit të pestë, shkruan EU Reporter, Duka është një biznesmen që erdhi në krye të Federatës me qëllim përmirësimin e imazhit të futbollit shqiptar, promovimin e lojës dhe infrastrukturën e futbollit.

Por gjatë fundjavës, në një radio belge, Gregory Mathieu, një ekspert i njohur i menaxhimit të sporteve dhe korrupsionit, ngriti disa pikëpyetje për drejtimin e FSHF. Duke folur në emisionin “Krejtësisht futboll” në radion e njohur belge, RTBF, Mathieu, që jeton në Stokholm tha se Duka është përballur me “shumë skandale” në të shkuarën dhe se “është përpjekur që në këto zgjedhje të votohet nga miqtë e tij”

Ai tha se “Bëhet fjalë për një menaxhim të mirë dhe demokraci në futboll dhe UEFA duhet të udhëhiqet nga morali në këtë çështje. Besoj se në zgjedhje duhet të përfshihen vëzhgues të pavarur dhe gjithashtu të bëhet një analizë e pavarur”.

Mathieu, një ish diplomat belg, tha se dështimi në këtë rast do të vërë në dyshim vetë paanshmërinë e UEFA-s, që prej vitesh është përfshirë nga kontradiktat.

EU Reporter u interesua pranë UEFA-s nëse do të arrijë të garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve këtë fundjavë dhe nëse kishte shqetësime për drejtimin e FSHF-së në Shqipëri.

Një zëdhënës i UEFA tha për EU Reporter se “Ne mund të konfirmojmë se një delegacion i UEFA-s do të jetë present në zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare”.

Armand Duka ka qenë president i FSHF për 16 vjet, por përballet me një presion të fortë për të lënë postin, shkruan EU Reporter, që rreshton një seri skandalesh të futbollit shqiptar, kryesisht me Superligën.

Përmendet në shkrim komenti i Federbet për trukimet, që e konsideron Superligën shqiptare si “garën më të korruptuar” në Europë.
Madje një vit më parë, në shkurt të vitit 2017, në një raport për ndeshjet e trukuara, Federbet shkroi “Ky nuk është futboll, ky është prostitucion. Skandal i madh në Shqipëri”

Përmendet në shkrim edhe përjashtimi i Skënderbeut nga Champions League, pasi skuadra u shpall fajtore për trukimin e disa ndeshjeve ndërkombëtare.

EU Reporter sjell në vëmënedje edhe ekzistencën e 12 shoqatave fantazëm që drejtohen nga njerëz të lidhur me Armand Dukën. Në shkrim nuk mungon as deklarata e Sulejman Memës që tha se: “Nuk e di nëse shoqata ime është e regjistruar. Gjithçka e ka bërë FSHF”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *