• |
ide | kryesore

Strategjia e re e zgjerimit/ “Një dush i ftohtë” për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Europa

Kryesore



“Mos prisje një “Mirë se vini” shoku? Në vend të kësaj, ja ku e ke një kovë me ujë të ftohtë!” me këto fjalë nis shkrimi i Politico.eu që ka zbardhur një pjesë nga strategjia e re Bashkimit Europian që trajton mundësinë e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shpresat janë të pakta për Shqipërinë, sipas asaj që kuptohet nga strategjia e re e BE-së. Sipas gazetarëve të Politico.eu që kanë parë dokumentin dhe kanë zbardhur një pjesë të tij “Komisioni thotë se është gati të hapë bisedimet edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë, nëse ato plotësojnë disa kushte”.

Dy vendet e rajonit, Serbia dhe Mali i Zi, “potencialisht” mund t’i bashkohen BE-së në 2025. Eshtë e qartë se këto janë në krye të garës për anëtarësim dhe lënë pas 4 shtetet e tjera.

E megjithatë, edhe kur flitet për 2025, për Serbinë dhe Malin e Zi, strategjia e BE-së e konsideron këtë afat kohor “shumë ambicioz”.

Eshtë e qartë se liderët në Beograd duhet “të gëlltisin disa ilaçe shumë të hidhura” rrugës për në Bruksel, shkruan Politico.eu. Serbia duhet më parë të mbyllë dhe të zbatojë një marrëveshje për marrëdhënie normale me Kosovën dhe nga ana tjetër të përshtasë plotësisht politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian, duke i dhënë fund sinjaleve të koduara me Rusinë.

Por strategjia përmban edhe zhgënjimin për Kosovën, që ende nuk është njohur nga vendet anëtare të BE-së dhe që nuk përmendet fare si një vend kandidat në dokument.

Bosnja dhe Hercegovizna mund të bëhet një vend kandidat thotë dokumenti.

Strategjia e bën të qartë për politikanët në të 6 vendet- Shqipëria, Bosnja- Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia- që duhet të jenë më seriozë për vendosjen e shtetit ligjor, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe nismat për një sërë ndryshimesh demokratike.

“Të bëhesh pjesë e BE-së është më shumë se një proces teknik. është një zgjedhje e gjeneratave të një vendi, bazuar në vlerat themelore që çdo vend duhet t’i përqafojë fort, që nga politikat e jashtme dhe ato rajonale deri tek mësimet e fëmijëve në shkollë” thotë një paragraph i strategjisë së re të Komisionit Europian, e publikuar nga Politico.eu.

Por në strategji, gjendja reale e vendeve të Ballkanit përshkruhet pa doreza. “Levat e pushtetit në të gjashtë vendet janë shpesh në duart e rrjeteve kriminale dhe klaneve politike” thuhet në dokument.

“Sot këto vende dëshmojnë shenja të qarta të kapjes së shtetit, përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës, po ashtu edhe një kompromentim të interesit privat dhe atij public” thuhet në dokumentin e zbardhur nga Politico.eu.

“Asnjë prej vendeve të Bashkimit Europian nuk mund të konsiderohet një ekonomi funksionale e tregut” thuhet në dokumentin e BE-së, të zbardhur nga Politico.eu.

Tek Junker dhe liderë të tjerë të BE-së është rizgjuar interesi në Ballkanin Perëndimor pas shqetësimeve për rritjen e influencave ruse, kineze dhe turke. Kriza e refugjatëve në vitin 2015, kur qindra mijëra emigrantë morën rrugën për në Europën Perëndimore përmes Ballkanit, vuri edhe njëherë në dukje rëndësinë e rajonit për stabilitetin e BE-së, shkruan Politico.eu.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë tani një shans tjetër historik për të lidhur në mënyrë të patjetërsueshme të ardhmen e tyre me Bashkimin Europian. Ndaj, ata duhet të veprojnë me vendosmëri” thuhet në strategjinë e re, që do të prezantohet nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn.

Për ta bërë më bindës mesazhin e BE-së, Junker pritet t’i vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor për një javë, në fund të këtij muaji, duke nisur nga Shkupi në 25 Shkurt. Pjesë e kësaj strategjie të re, do të jetë edhe një samit në Sofie me liderët e Ballkanit Perëndimor në Maj.

Strategjia e re ofron më shumë mbështetje të Bashkimit Europian për rajonin në disa fusha- që nga dërgimi i këshilltarëve të Europol për më shumë siguri, deri tek angazhimi për investime të reja si infrastruktura në trnsport apo startup-et. Në 2018 parashikohet që investimet në rajon të jenë gati 1.07 bilion euro.©Lapsi.al

 



6 Comments

  1. Politika e BE per vite te tera eshte tallur me Ballkanin duke i premtuar anetaresim ne BE, por pa e patur kurre seriozisht. Tani kjo politike e BE jo se eshte bere e sinqerte dhe po pranon se nuk e ka patur seriozisht me anetaresimin e Ballkanit, por thjesht nuk ka me nge as te genjeje Ballkanin.
    Ka boll probleme atje ne Bruksel, e mbi te gjitha, ne Berlin ka 5 muaj qe mungon qeveria! Mendon dot njeri per anetaresim te Ballkanit ne zyra te Brukselit sa kohe qe nenemadhja e BE, Merkel, nuk po e arnon dot qeverine? BE ka mbaruar realisht, po mbahet vetem juridikisht me ca deklarime shabllone ne emer te qeverive qe akoma nuk jane zgjedhur. Si qeveria e munguar gjermane, p.sh.

  2. Kur më në fund burokracia europianë do të heqë dorë nga cilësimet e emrave të vendeve të të ashtuaquajturit “Ballkan perëndimor” si Serbia, Mali i zi, Kosova,Bosnja, Maqedonia e Shqipëria e do të flasë konkretisht se cilët politikanë të këtyre vendeve kanë mbeshtetur me fakte krimin e organizuar, trafikimin e prostitucionit e drogës e korrupsionit në të gjitha hallkat e shtetit. “Duhet që këto vende të jenë më seriozë në ndërtimin e shtetit ligjor”, thotë dokumenti. Ndërkaq nuk bëehet asnjë analizë e drejtëpërdrejtë për qeveritë e këtyre vendeve, po akuzohen “vëndet.
    Po si mund të krijohet një shtet ligjor në Shqipëri, kur BE mbyll syte e veshët kur në kundërshtim flagrant me ligjet e Shqipërisë, qeveria aktuale “e majtë” shqiptare, është mbushur me persona me të kaluar kriminale që kanë bërër krime në vendet europiane. Nuk degjojme asmjë komisioner europian të japë alarmin se qindra tonët e kanabisit që trafikon jo “Shqiperia” por qeveria e Shqipërise me ministra e polici po i shkojne rinisë europiane ?
    A nuk jeni disa nga ju politikanë të BE qe i thatë popullit shqiptar se ne mendojme qe në Shqipëri mund të behen zgjedhje vetëm me partinë socialiste të Edi Ramës duke e zhdukur cdo formë të pluralizmit demokratik ?
    Ndihma që kërkojnë popujt e Ballkanit perëndimor nga BE, nuk është që ju symbyllur ti pranoni këto vende në BE, por ti ndihmoni konkretisht që të funksionojë shtti ligjor e ata qeveritarë që janë përzjere me krimin e organizuar e drogën, jo më të kenë mbështetjen tuaj. por të ndihmoni drejtësinë shqiptare që ato të ndëshkohen reptësisht, jo nga pozicione aleancash politike, por mbi respektimin e fakteve të shkeljeve penale.

  3. Pse nuk e pyeti asnje gazetar zonjen Vllahutin nese e shikonte kete perfundim te BE per negocitat si nje ‘hap pozitiv” ne karriren e saj apo nje deshtim?

  4. Më e mira do ishte që shqiptarët, në këto shtete që kan, të bëjnë një strategji zhvillimi( version) edhe pa BE-në. Por, problemi ynë, si komb, është se: në të tre shtetet kemi politikanët që më së paku mendojnë për komb.
    Resurse kemi: detin, toka të mira, ujin, minerale dhe xehe……duhet vetëm punë dhe strategji( pa hajni).

  5. “Gezetar”, në parim shumë mirë e ke, por, Vllahutin nuk është në Shqipëri për shqiptarët, ajo këtu është për para dhe kara.
    P.S.
    E ktheva në shaka, por është e vërtet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *