• |
ide | kryesore

Jam socialist, por po ia them troç ministres Kumbaro

Blog



Ministrja e Kulturës, Zonja Kumbaro, nuk harron asnjëherë të surprizojë gjithë komunitetin artistik. Kjo është një veçori e punës së saj, edhe në këtë mandat të dytë.

Që në muajin e parë të vitit 2018, i është dashur që të dalë në intervista të ndryshme dhe të na çudisë. Duke shfletuar faqen e internetit të kësaj ministrie, shohim në kolonën e Baza Ligjore – Projektligje, të publikohet, projektligji PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NE LIGJIN NR. 10352, Datë 18. 11. 2010. “PER ARTIN E KULTUREN”, TE NDRYSHUAR.

Ditët e para të vitit 2018 duhet të ishin ditët e “dëgjesave” të platformave të reja të drejtimit të disa institucioneve qëndrore artistike, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës. Por, kjo nuk ndodhi!

Sigurisht, të mbetur pa mandate, disa drejtues, janë pajisur me Urdhrin përkatës, që i përcakton si “të komanduar”. Por, një drejtor i komanduar, nuk mund të kryejë veprime me “të tretët”! Në natyrën e këtyre institucioneve, është një marrëdhënie e ngushtë, pikërisht me “të tretët”.

Gjithçka kalon në heshtje, derisa opinioni kujtohet e fillon të rendisë hamendësitë e tij:

1- Përse nuk u morën masa për organizimin e konkurseve për drejtimin e ri të institucioneve qendrore kulturore? Nuk dihet. Ndoshta ju ka dalë nga mendja.

2- Në rast se nuk donte t’i lëvizë, por donte mënyrën si punonin ata, përse i lë pa mandate? Se mund të organizohej konkursi dhe të kishim emrat e drejtuesve aktualë, fitues si platforma më e mirë 4–vjeçare (kjo gjë është e mbrojtur me Ligj).

3- Përse i duhen drejtuesit “të komanduar”? Këtu imagjinata merr krahë, dhe, ju siguroj, për keq (për keq, d.m.th, në dëm të institucioneve publike e interes të komunitetit artistik)

Nga ana tjetër, duke parë këto pikëpyetje që venë e vinë, dhe që pikëpyetjet pa përgjigje kanë veti të shumohen deri në pyetje retorike, ministrja Kumbaro, bën 2 veprime të radhës:

1- Deklaron që Teatri Kombëtar “lëviz” te “Turbina”, dhe godina aktuale e TK-së vihet në dispozicion të Teatrit të Operas!!!

2- Shfaq “pa bërë zë” një projektligj në internet!!! Mendjet e njerëzve (duke përfshirë edhe timen), të çoroditura nga pyetjet retorike të thëna më lartë, tashmë kanë marrë edhe këto dy goditje “nën brez”, dhe, ashtu të çoroditur, ulen në tastierë e shkruajnë.

Fillon shikon se si “institucionet qendrore kulturore bashkohen dhe trajtohen njësoj me ato lokale”.

Vazhdon me shfuqizimin e germës “dh”! Uppps, iku Cirku! Ku shkoi? Mbase i shkon Bashkisë. Por, po i vajti Bashkisë, kalon në precedent për të gjithë bashkitë. Pra, i lind e drejta Tepelenës që të ketë Cirkun e vet (fjala që bie). Kësaj i thonë mirë e hodhe, por ku e çove?

Galeria Kombëtare, shndërrohet në Muze Kombëtar të Arteve të Bukura. Po kjo pikë e zezë, ç’ishte? Po galeria ku vajti? Si do t’i bëhet me nevojën kombëtare të të pasurit Galeri?

Vazhdon me marrjen nën kompetencë të QKK-së, Bibliotekës Kombëtare, Arkivin Qendror e krijimin e dy qendrave të reja. Sikur u gëzuam shumë që këto institucione i kishim shumë pranë Qeverisë, me një status independence “larg politikës”… Ku gabuam?

Në Nenin 5, vjen një nga ato goditjet, që ty të vjen mendja rrotull jo më për 4 vjet (një mandat), POR pa mandat fare. Çështje dëshire të ministres! Uppps!

Domethënë, që në nenin 5, ti e ke humbur kthjelltësinë e mendimit, dhe je i bindur që gjuha e përdorur nuk është më shqiptare! Përherë e më tepër të del në pah “me Urdhër të Titullarit”, çka në esencë “të vet”, e shndërron nga projektligj në projektrregullore e brendshme e një megastrukture kulturore, të pakulturë, arrogante, fyese dhe zhdukëse të çdo lloj tendence “ndryshe”! Kujdes, bëhet fjalë për çdo skenë në Republikën e Shqipërisë.

Mos kujtoni se gjen qetësi në Nenin 9, pika 4, që thotë se për çdo mendje shkrepje artistike e kulturore të institucioneve, që nuk kanë objekt artin apo kulturën, duhet të marrë miratimin me shkrim të ministres!

Kujdes nga Neni 12, se sapo u zhduk e drejta për të menduar e vepruar, çdo bashkie në fushën e art-kulturës. Kujdes 1000 herë nga Neni 15, i cili heq “kriteret e vendosur me VKM të shpërblimit të figurës artistike dhe e lë gjithçka në dorë të negociatës, dhe ‘punës veresie’”. Rreshti më i rrezikshëm është: Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë mbas botimit në Fletoren Zyrtare!

Ore, çfarë po bëhet? Më falni, por janë shumë gjëra që ndodhin brenda Eklipsit të Hënës. E përmenda Hënën, se ajo, dihet, ka shumë ndikim në jetën tonë! E keni dëgjuar shprehjen: Nuk është me hënë të mirë?!

Unë nuk dua të marr leje me shkrim edhe për provimet e studentëve të mi, aq me pak, te Ministrja e Kulturës.

Unë jam kryefamiljar, pedagog, aktor, regjisor, socialist, etj., etj. dhe kam bindjen time: “Nuk i zgjidhim problemet, duke mos folur për to”.

M’u kujtua një status në fb – personal: “Ju ja rrasni me varre, mbrapa koke, puntorit, qysh me mjes, e pastaj e pysni: Shok puntor, pse t’merren ment????”

E me sa mend unë vazhdoj e shkruaj??? Tani është vonë! Tani kam filluar t’ju them njerëzve në rrugë: më fal se të fika cigaren me ballë, se vetëm xixa shoh!!!

Titulli origjinal: Shok punëtor, pse të merren ment?!



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *