• |
ide | kryesore

Telekom për AKEP: Do të mbrojmë interesat tona!

Lajme, Të fundit



Pas Vodafone, edhe Telekom Albania reagoi për vendimin e AKEP, i cili sipas dy kompanive bën dallim mes kompanive telefonike në zbatimin e masave rregulluese, çka favorizon dukshëm kompaninë Albtelecom.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Telekom zbulon se i ka kërkuar AKEP të zbatojë standartet, duke u konsultuar me të gjitha palët që preken nga vendimet për vendosjen e masave të reja rregulluese.

Telekom thekson se bën habi si nuk ka ende një reagim nga AKEP. Njoftimi mbyllet me një deklaratë paralajmëruese se Telekom do të mbrojë interesat e saj dhe të abonentëve duke ndërmarrë çdo hap të nevojshëm.

Prononcim nga Telekom Albania mbi situatën me AKEP: 

Telekom Albania është përballur këto ditë me disa artikuj në medien e shkruar dhe atë elektronike, sipas të cilave AKEP po përgatit vendimin e analizës së tregut të shërbimeve celulare në lidhje me tarifat e terminimit të interkoneksionit mes operatorëve. Ky vendim përcakton asimetri (pra nivel jo të barabartë tarifimi mes operatorëve) dhe bën dallim në zbatimin e masave rregulluese, jo-diskriminuese për çmimet e telefonatave brenda dhe jashtë rrjetit mes operatorëve, duke favorizuar dukshëm kompaninë Albtelecom.

Telekom Albania i kërkoi  menjëherë  AKEP, nëpërmjet një komunikimi zyrtar, të zbatojë standardin ligjor të konsultimeve publike me të gjitha palët e interesuara, duke gjykuar se projekt-vendimi në formën e raportuar, dëmton interesat e ligjshme ekonomike të kompanisë tonë, që padyshim është një faktor i rëndësishëm në treg dhe një nga investitorët më të mëdhenj, afatgjatë në vend.

Në këtë kuadër, jemi të befasuar nga mungesa e një reagimi nga ana e AKEP, siç do të pritej normalisht nga një institucion publik, ku  informimi dhe transparenca ndaj publikut është detyrim themelor.

Megjithatë, presim një qëndrim më bashkëpunues dhe konstruktiv, për të rivendosur komunikimin sipas praktikave ndërkombëtare, në të mirë të interesit të përgjithshëm.

Telekom Albania deklaron se do të mbrojë interesat e ligjshme të kompanisë, e mbi të gjitha të abonentëve tanë besnikë, duke ndërmarrë çdo hap të  nevojshëm.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *