Banorët e pallatit 8-katësh në Gjirokastër që rrezikoi shembjen pas rrëshqitjeve të dheut protestojnë sërish, kësaj rradhe lidhur me lagështinë e krijuar në banesat e tyre.
Banorët kërkojnë të merren menjëherë masat e nevojshme.
“Nuk jetohet në këto banesa me baltë e lagështirë. Të merren masa urgjentisht, pasi prania e baltës ka shkaktuar lagështi,” – shprehen ata.
Për heqjen e baltës nga pallati u angazhua ushtria. Ndonëse ky pallat rrezikon të shembet për shkak të rrëshqitjeve të dherave, banorët kanë kërkuar që të rikthehen në banesat e tyre, pavarësisht problemit ende evident.
Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj i bëri thirrje banorëve që mos të kthehen në banesa edhe për disa ditë.
“Do të punojmë për largimin e baltës nga pallati. I rëndësishëm drenazhimi i ujërave. Banorët të qëndrojnë jashtë banesave edhe për disa ditë. Banesat më të dëmtuara do të dëmshpërblehen 100%,” – u shpreh Astrit Aliaj.