• |
ide | kryesore

Kosovë, opozita kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi

Lajme, Të fundit



Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka bërë të ditur se partia që ai e udhëheq nuk është e kënaqur me marrëveshjen e Demarkacionit.

Kurti ka treguar se deklarata e publikuar nga presidenti Hashim Thaçi është e papranueshme duke renditur edhe prapaskenat e këtij dakortësimi me fqinjët malazezë.

Deklarata e plotë

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme sepse e padrejtë dhe mashtruese.

1. Teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeninë dhe diskutimin në institucionet e Kosovës. Shteti i pavarur i Kosovës është Republikë Parlamentare.

2. Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit 2015 nënshkruar në Vjenë. Janë 205 mijë nënshkrime në Peticionin qytetar të vjeshtës së vitit 2015 në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje më 9 janar dhe 17 shkurt 2016, duke dëshmuar vullnetin popullor.

3. Rezultatet e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi janë shpërfillur tërësisht nga kjo Deklaratë. Komisioni Bulliqi theksonte, midis të tjerash, se Marrëveshja e nënshkruar në 26 gusht 2015, për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi nuk është marrëveshje për shënjimin e kufirit, por është marrëveshje për përcaktimin e kufirit, përkatësisht për ndryshimin e tij në një kufi të ri, jashtë çdo kompetence.

4. Pas ratifikimit, në këtë deklaratë, thuhet se do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare. Kësisoj, pranohet që demarkacioni nuk ka qenë i tillë (shënjim kufiri) por delimitim (kufi i ri) i cili do të ketë nevojë për shënjim të ri.

5. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale”. Pra, do të ketë identifikim e adresim të mosmarrëveshjeve pa garanci për zgjidhje të tyre.

6. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”. Pra, pranohet që Çakorri dhe Kulla e Zhlepit nuk do të jenë pika kufitare dhe po ashtu nuk përmendet pellgu i lumit Bjelluha.

7. Deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Psh. në versionin shqip mungon pika 6 e cila duke nënvizuar arsyet objektive që kanë pamundësuar nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes i legjitimon të gjitha veprimet e ndërmarra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA për Kosovën në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje.

Deklarata Thaçi – Vujanoviq është mashtrim. Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi. Ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në BE dhe NATO.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet urgjentisht të formojë Komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për këtë inciativë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *