• |
ide | kryesore

Mediat greke komentojnë refuzimin e presidentit Meta

Lajme, Të fundit



Mediat greke konsiderojnë se refuzimi i djeshëm i presidentit Ilir Meta për dhënien e plotfuqishmërisë ministrit të jashtëm, bllokon negociatat për marrëveshjen e detit midis Athinës dhe Tiranës.

Në kohën që mjaft media e krahasojnë zhvillimin e djeshëm si “bombë” apo “silurë”, titulli më i përmbajtur është ai i televizionit Skai: “Në ngrirje diskutimet për ZEE me Shqipërinë”.

“Në një konferencë për shtyp, presidenti shqiptar Ilir Meta theksoi se nuk dha pëlqimin e tij që të vazhdojnë negociatat me vendin tonë për delimitimin e kufijve detarë, që kanë të bëjnë me zonat ekskluzive ekonomike”, nënvizon televizioni Skai.

Gjithsesi, ky televizion, ndër më të shikuarit në Greqi, vë në dukje se deri në momentin e zgjedhjes në postin e lartë, Ilir Meta ishte kryetar i LSI, që sot ndodhet në opozitë.

Portali newsbomb.gr, nënvizon se zhvillimi i ri që vjen nga Tirana i shtohet “qëndrimeve provokative të Turqisë në detin Egje dhe Mesdheun Lindor, duke krijuar një dekor shpërthyes”. “Presidenti i Shqipërisë fqinje, Ilir Meta, i hedh benzinë zjarrit në marrëdhëniet greko-shqiptare, duke bllokuar negociatat Athinë-Tiranë për kufijtë detarë”, vë në dukje portali grek.

“Klima diplomatike ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë duket se u hodh në erë nga presidenti shqiptar”, komenton nga ana e vet portali lifo.gr.

Gazeta kryesore e opozitës greke, “Elefteros Typos”, e konsideron si “bombë” refuzimin e presidentit Meta.

“Bombë për kufirin detar midis Greqisë dhe Shqipërisë. Presidenti shqiptar bllokon negociatat”, titullon kjo e përditshme shkrimin e vet të zgjeruar.

“Presidenti i Shqipërisë u ka vënë zjarr marrëdhënieve greko-shqiptare pas refuzimit të djeshëm për të lejuar vazhdimin e negociatave të mëtejshme me Greqinë për kufirin detar. Meta kërkoi me shumë informacione lidhur me mënyrën e negociimit të qeverisë”, vë në dukje Elefteros Typos.

Gazeta e djathtë, “Demokratia”, komenton se refuzimi i presidentit Meta është “një silurë” për zonat ekskluzive ekonomike. E njëjta gazetë, duke iu referuar burimeve të mirinformuara, njofton se kryeministri Tsipras planifikon të zhvillojë një vizitë në zonën ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *