• |
ide | kryesore

Marrëveshja me Greqinë/ Gabimi i detyruar i Ilir Metës

Blog



Realiteti mediatik dhe publik i përplasjes së fundit institucionale midis Presidentit të Republikës dhe Qeverisë (MEPJ), mendoj se përbën rastin më tipik të fshehjes së thelbit të kësaj përplasjeje me qëllim përdorimin e saj në shërbim të politikës së ditës dhe më shumë të mbajtjes gjallë të antihelenizmit, qoftë për të penguar përpjekjet dypalëshe për zgjidhjen e ngërçeve dhe klimën e acaruar (çdo zhvillim pozitiv në këtë drejtim u heq atyre objektin e “betejave nacionaliste”), qoftë për të imponuar “vullnet popullor” edhe në këto zhvillime të fundit shqiptaro- greke, (vullnet aq të dëshirueshëm nga pala shqiptare për ta përdorur si instrument imponimi ndaj palës greke).

Duke qenë se isha i pari që shpreha në publik shqetësimin se pala shqiptare po negocion me Athinën në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, (që do të thotë se në këto kushte çdo lloj marrëveshjeje e re për detin me Greqinë është lehtësisht e rrezueshme), duke patur një informacion më sferik që lejon edhe vëzhgimin prapa perdës, dua të theksoj që në fillim se ndryshe nga sa konsumohen përditë në lidhje me këtë çeshtje, problemet nuk janë ato që duken.

Këtu qëndron mësa duket edhe gabimi i detyruar i Metës, për të bërë publik një fakt që në kushte të tjera do të përbënte një procedurë rutinë protokollare. Pra, Meta kërkoi si dëshmitarë “publikun” dhe presionin e tij, jo aq për të mbrojtur kushtetutshmërinë, se sa për të krijuar mundësinë, nga njëra anë për të bërë korrigjime dhe, nga ana tjetër, për të lejuar vëzhgimin më të thellë dhe në interes së pari të Shqipërisë pastaj të të dy vendeve.

Në këtë këndvështrim, nuk do të ndaja mendimin se Ministria për Evropën dhe Punë të Jashtme, bëri më nxitim dhe shkel e shko një kërkesë Presidentit Meta për të marrë autorizimin e plotfuqishmërisë. Aspak! Kjo kërkesë përbën një vijimësi të negocimit të deritanishëm në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë. Pra dhe kërkesa nga ana e saj, me përmbajtjen e konstatuar, pëbën një dukument në shkelje të kushtetutës dhe ligjshmerisë tjetër përkatëse shqiptare. Aq më tëpër në kushtet e ekzistencës së një precedenti, që për nga motivet dhe vendin që zuri në egocentrizmin nacionalist shqiptar dhe situatat politike ekzistuese, vështirë se mund të lejohet, të ripërsëritet apo të kapërcehet.

Më këtë logjikë, një autorizim plotfuqishmërie i cënueshëm ligjërisht, do të përdorej si një “AS” në mëngë i qeverisë, qoftë për t’iu imponuar palës greke në arritjen e pikësynimeve të palës shqiptare, por më shumë të faktorëve të tretë, qoftë për të mos lejuar të kundërtën.

Kjo do të thotë se Greqia nga ana e vet do të vihej në të njëjtat pozita si me 2009. Do të arrinte, nëse po, një marrëveshje për detin, e cila do të kishte vlerë deri sa Tirana, të shmangte qëndrimin pengues të Athinës për hapjen e negociatave me BE, apo dhe realizimin e kërkesave të tjera të veta ndaj Greqisë dhe pastaj do të rishfaqej Gjykata Kushtetuese me vendim të parathënë për shkak të precedentit të 2010.

Ndryshimi është se në këtë rast, fajtor nuk do të ishte qeveria. Ajo, edhe pse me shumë vonesë, ndryshe nga qeveria Berisha, i kërkoi Presidentit autorizimin për plotfuqishmërinë. Që do të thotë se fajtor do të dilte Presidenti i Republikës, i cili, me argumentin “për të kënaqur Greqinë e keqe dhe kundër Ramës” e dha autorizimin pa e ballafaquar me kushtetutshmërinë. Sot Meta akuzohet për të kundërtën, sikur po pengon qeverinë të arrijë një marrëveshje shumë të dobishme për Shqipërinë. (Në fakt bëhet fjalë për favorizim të lojrave të qeverisë që në vetvete përbëjnë një precedent të rrezikshëm për marrëdhëniet midis dy vendeve).

Vendimi i Metës për të kërkuar saktësime në tri nivele në kërkesën e qeverisë për autorizim plotfuqishmërie, u interpretua edhe në mediat greke me të njëjtat konotacione si në Tiranë. Që Meta hodhi në erë marrëveshjen e detit që ishte aq pranë. Edhe në Athinë nuk u kuptua se me qëndrimin e vet, Meta i bëri një shërbim të madh mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme për detin në favor të të dy palëve.

Problemi do të ishte i manaxhueshëm nëse, nga ana tjetër, nuk do të vihej re, me një mënyrë ose në një tjetër, se marrëveshja e detit me Greqinë kërkon, me një impenjim shumë më të padukshëm por të nënvizuar dukshëm nga shumë analistë dhe politikanë në Shqipëri (çuditërisht, zbehtë në Greqi), të krijojë nga pala shqiptare precedentë lëhtësisht të referueshëm nga Turqia në raportet e veta kufitare detare me Greqinë. Kjo situatë mund të interpretohet, pse jo, se nëse marrëveshja për kufirin detar në Jon nuk do të krijojë realitete të kësaj natyre, arritja e saj të jetë e diskutueshme deri dhe e pamundur.

Por, a është vetëm ky problem?

Ndryshe nga Greqia, ku qeveria i mban letrat të mbyllura dhe opozita respekton autoritetin e qeverisë duke pritur të shpreh gjykimin e vet në momentin e duhur dhe mediat greke konsumojnë më shumë lajme që prodhohen në Shqipëri; tek ne synimi i çdo marrëveshjeje me Greqinë (në këto bisedime) shpallet nga vetë autoritetet shqiptare, në formë verbale dhe veshur me një retorikë joshese për frymën nacionaliste antihelene (kjo bëhet më shumë me qëllim që nesër ta përdorë këtë qëndrim të opinionit si argument vijeje të kuqe në bisedimet me palën greke).

Në këtë kuadër, një ndjekës i kujdesshëm i daljeve të fundit publike të ministrit Bushati nuk mund të mos vërë re argumentin se në lidhje me marrëveshjen e detit bëhet fjalë për një marrëveshje të re, e cila, përveç të tjerave, do të arrihet duke respektuar vendimin korrespondues të Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010.

Çfarë do të thotë kjo me terma të tjera? Që përveç se, pas tërheqjes së Greqisë do të kemi një marrëveshje të re, kjo marrëveshje do të duhet të respektojë pikat e përmbajtjes se vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që faktikisht marrin vlerën juridike të ligjit.

Për palën greke kjo me siguri përbën një kafshatë që mbetet në çfarëdo lloj fyti. Së pari, pavarësisht se deri më sot pala greke negocioi me palën shqiptare jashtë kontrollit të opozitës, ajo do ta ketë shumë të veshtirë të gjejë isntrumentat argumentuese që motivuan ndërmarrjen e inisiativës për anashakalimin e marrëveshjës së 2009, të nënshkruar në nivel qeveritar dhe vetëm pa marrë miratimin e parlamenteve reciproke, duke respektuar kështu vendimin e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare.

Aq më e vështirë bëhet situata në rastin konkret për vetë qeverinë greke, të negociojë duke respektuar vijat e kuqe të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, të cilat në thelb janë të papranueshme për interesat greke dhe legjislacionin ndërkombëtar. Problemi bëhet akoma më i ndërlikuar dhe i mprehtë, kur përditë e më shumë po dalin në dukje detaje se të gjitha rezultatet e negociatave të palës shqiptare, kalojnë, sipas deklaratave zyrtare të qeverisë, nga filtra të treta, që duhet lexuar nga interesa të palëve të treta që shpesh, brenda dhe jashtë parlamentit shqiptar, në media e kudo, janë identifikuar me interesat e Turqisë në raport me Greqinë.

Ka edhe një moment të fundit. Në Greqi së fundmi shumë analistë kanë filluar të bëjnë bilancin e përfitimeve greke nga marrëveshja me palën shqiptare. Dhe përveç klimës së përmirësuar, nuk gjejnë ndonjë përfitim tjetër. Përkundrazi! Flasin me argumenta se Greqia i jep Shqipërisë gjthçka, madje duke e akuzuar qeverinë greke dhe për problemin çam dhe nuk merr asgjë. Dhe me këtë nuk është se harrojnë fillimin e proceseve për varret e ushtarëve grekë, pasi, këto procese të cilave për momentin u dihet vetëm fillimi, përbëjnë një detyrim moral e human që rrjedh nga detyrim ligjor ndërkombëtar dhe se bëhet fjalë për ushtarët e fundit të luftës së dytë botërore pa një varr! ©Lapsi.al



1 Comment

  1. O Varka po e nis nga fundi. Ata ushtaret pa varr, merrini dhe varrosini ne Greqi, se nuk kemi ne mend ta kthejme token tone ne varreze te ushtareve pushtues Greke. Ketu edhe mbaron detyrimi humanist i yni. Sa per kufirin detar e the vete se “sapo hiqet qendrimi pengues i Greqise marreveshja ska me vlere”. Pilerisht keto marreveshje po behen qe ti jepet nje “pagese” Greqise per te dhene voten e saj. Prandaj, marreveshjet te behen pasi Shqiperia te hyje ne Europe, ndryshe Greqia do te kerkoje te perfitoje ne menyre te padrejte ne kurriz te interesave Shqiptare. Meqe Greket e tu po “japin gjithcka” ta lene kete pune kur te kete hyre Shqiperia ne BE, pastaj flasim si te barabarte. Marreveshjet para pranimit te Shqiperise ne BE do te jene gjithmone te kontestuara, pasi eshte e ditur se Greket do synojne te perfitojne ne menyre te padrejte. Shqiperia nuk ka faj qe perdor metodat Greke duke i genjyer Greket sic kane bere ata ne shekuj. Asnje politikan Shqiptar jo vetem nuk do doje por as nuk do guxoje te fale hapesire detare apo tokesore, as Berisha as Rama as Meta e askush tjeter qe mund te vije me pas. Thjeshte sic e thua edhe vete do bejne lojera sa per te hequr pengesat Greke. Ideali kombetar Shqiptar eshte tashme i misheruar te cdo Shqiptar, Nuk do gjeni kurre me Shqiptar tu falin gjesendi juve. Prandaj harroje kete muhabet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *