• |
ide | kryesore

Vdekja e Tuk Jakovës, e bija tregon se si e helmuan dy ‘shokët’: I dhanë konjak dhe…

Dossier



Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën natën fatale të gushtit ’59 në spitalin e burgut të Tiranës, nuk u zbardh asnjëherë. Zyrtarisht u tha se ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nga ana e tyre ofruan dy opsione të tjera: Vdekje pas operacionit të apendicitit dhe plasje e papritur e tëmthit.

Ende sot pas kaq vitesh kanë mbetur të dyshimta rrethanat në të cilat pushoi zemra e Tuk Jakovës, të dënuarit politikë për tradhti të lartë ndaj atdheut. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Bujana Jakova, vajza e vogël e liderit të martirizuar, për herë të parë pranon ta bëjë publike rrethanat si ka ndodhur vdekja e të atit në spitalin e burgut. Bujana tregon momentet kur dy ish shokë të tij të luftës e vizitojnë në Spital dhe i japin konjak për të pirë, duke e helmuar.

PJESE NGA RREFIMI

Tuku ishte i shtruar në një dhomë të kirurgjisë të spitalit nr.2. Aty kishte të dënuar ordinerë dhe politikë. Te dera ishte një rojë. Dy të dënuarit politikë, Tuku dhe Nikollë Zaganjori, e kishin krevatin te dritarja. Për shkak se dhoma ishte kati përdhe, te dritarja qëndronte një oficer “roje politike” që i mbikëqyrte personalisht ata nga xhami. Ky ishte mirditor.

Në mëngjesin e 26 gushtit 1959, rreth orës 10:00, roja lajmëron Tukun ta ndiqte pas. Prej aty ngjiten në katin lart në dhomën e drejtorit. Aty u përballën me tre persona. Dy ishin “shokë” të Ministrisë së Brendshme, ndërsa i treti ishte doktori i kësaj ministrie, Llambi Ziçishti. Logjikisht, drejtori civil u kishte dhënë çelësin e zyrës se s’kishte vend aty, sidomos për aktin që do të kryenin.

Dy “shokët” ishin zyrtarë të lartë të regjimit dhe dikur kishin qenë bashkëluftëtarë të Tukut. Ata e takuan atë me “përzemërsinë” e qëmoçme dhe u ulën në vendet e tyre, duke e ftuar të ulej dhe ai, duke i dhënë privilegjin të ndihej i barabartë. Ata kishin vënë përpara nga një gotë konjak të mbushur.

Sakaq, në tavolinë ndodhej shishja e konjakut me tepricën brenda dhe në vend të tapës kishte një gotë të vendosur përmbys. Përbri ishte tabakaja me disa gota të vendosura kokëposhtë. Mysafirët u munduan ta joshin Tukun me kujtimet e jetës partizane dhe trimëritë e tij, dhe aty për aty i ofruan të pinte një gotë me ta.

Ai refuzoi, duke përmendur shkakun e “operacionit”. Ata i dhanë të drejtë dhe ashtu të shkujdesur vazhduan ta joshin. Dikur e fituan besimin e ish-mikut që i kishte shkarë këmba. Tuku mori gotën që mbulonte shishen, e kontrolloi, thua se e keqja ishte në gotë, dhe e mbushi përgjysmë. Të tjerët e ndiqnin tinëz, të lumtur që më në fund ia arritën.

Kaluan disa çaste dhe babai u çua të largohej. Duke zbritur nëpër shkallë i filluan disa dridhje të lehta. “Shokët” që kishin ardhur për ta qesëndisur, pasi u bindën që plani u funksionoi mrekullisht, u përshëndetën me “prenë” e tyre dhe u larguan të lehtësuar. Tuku sa zbriti në dhomë i shoqëruar nga roja u gjend përballë pyetjeve të bashkëvuajtësit, i cili sa e pa të trullosur e pyeti gjithë kërshëri:

– Çka ke more Tuk?
– Kishin ardhë nja dy shokë me më pa dhe pimë.
-A pive ti?
-Po, piva.
-Të kanë myt mor qyqar.
-Jo more, shokët me më myt?

Nuk vazhdoi gjatë dhe Tukun e pushtuan dhimbjet dhe temperatura. Nikolla e mbante në prehër dhe i shtrëngonte barkun për t’i lehtësuar krizat, mbasi filluan të vjellat dhe diarreja. Disa çaste vazhduan kështu. Një moment Tuku u çua dhe shkoi në banjë. Aty i ra të fikët. U lajmëruan mjekët, por me gjithë përpjekjet e tyre babai ndërroi jetë. Kështu u shua Tuku. Çfarë ndodhën me tej dihen të gjitha. Sidoqoftë, jemi të lehtësuar që kemi një varr dhe shkojmë aty për ta kujtuar./Panorama



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *