• |
ide | kryesore

Analizat e “AS” dhe “Le Parisien”/ Arsyet e dështimit të PSG dhe triumfit të Real

Kryesore, Sport



“Real Madrid nuk u krijua në 7 vjet dhe nuk grumbulloi galaktikë vetëm në një verë. Puna e tij është rezultat i kohës, njohurive dhe traditës në Ligën e Kampionëve që konsiderohet lojtari i 12-të”.

Kështu e nis shkrimin e saj e përditshmja spanjolle “AS” që nuk i fsheh notat e ironisë për PSG-në pas ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampionëve ku madrilenët kaluan në katërshe falë 2 fitoreve në 2 ndeshje me një golavarazh të përgjithshëm 4-2.

“AS” shkruan se Real la një mesazh në “Parc des Princes” bashkë me manualin e një kampioni. Spanjollët e çaktivizuan PSG-në në pjesën e parë dhe po ashtu në 15 minutat e para të së dytës. Sipas të përditshmes spanjolle, Zidane nuk ra pre e polemikave, por nënshtroi skuadrën.

“Real Madrid kishte më shumë ndjenjën e lojës që e çoi te suksesi. Dhe ai gjithashtu kishte Cristiano Ronaldo, figura e tij më e rëndësishme në historinë moderne” – shkruan “AS”.

Spanjollja nuk i kursen thumbat për tifozët francezë që sipas saj “krijuan një ambient stadiumesh turke me tymueset dhe agresivitet prej gjermanësh. Publiku e plotësoi pjesën e marrëveshjes, por skuadra jo” – shkruan AS që thekson se: “Madridi luajti me inteligjencë dhe pa bujë. Ekipi i Emery është i varur nga

Neymar dhe mungesa e tij dukej si një çarmatosje psikike. “Di Maria është një “polic i mirë”, por braziliani është “Batman” – do të thoshte Sampaoli. PSG fitoi vetëm betejën e propagandës, por jo në fushë” – e mbyll “AS”.

Përgjigjja e Le Parisien

“Pengesa doli e pakalueshme” – e nis analizën e saj e përditshmja Franceze “Le Parisien”. “Të rrahur në pjesën e parë, të privuar nga këmbët e Neymar, Parisi i është nënshtruar sërish ligjit të kampionit të dyfishtë të Evropës. Një logjikë e padepërtueshme. E ardhmja duket e zymtë” – shkruhet në analizën e saj.

“PSG nuk do ta shohë pranverën evropiane për të dytin vit radhazi. Pas 70 minutave të para të konsideruara “të mira dhe të shkëlqyera” në Madrid 3 javë më parë, nuk mbeti asgjë. PSG u rrëzua në Bernabeu.

Në kthim, ai rrëshqiti si një fantazmë, e paaftë për të përmbushur entuziazmin e publikut, pritjet e botës futbollit, ëndrrat e fshehta të Neymar në rezidencën e tij luksoze në Brazil, ku po rikuperohet nga dëmtimi” – shkruan Le Parisien.

Gazeta shkruan online se skuadra nuk justifikon investimet e mëdha të Emirit të Katarit. Ajo është eliminuar në 1/8-at nga viti 2013 në 2016-ën dhe 2 vitet e fundit nuk arrin as në katërshe.

Kritika ka edhe për trajnerin Unai Emery. Atij i njihet vetëm një natë e magjishme, ajo fitore 4-0 kundër Barcelonës në mars 2017, por duket se është i papërshtatshëm për të drejtuar një skuadër të madhe. “Ai humbi Neymarin, por me siguri humbi një shtysë shpirtërore” – citon gazeta duke e mbyllur me fjalët: “Parisi mbetet i vogël në Europë dhe i paaftë për të kërcyer”. ©LAPSI.al

-



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *