• |
ide | kryesore

“Mother Jones” i përgjigjet PD/ E vërteta e futjes së milionave ruse në politikën shqiptare

Lajme, Të fundit



Pas publikimit të investigimit nga “Mother Jones” ku hidheshin dyshime mbi fondet e dhëna prej një kompanie me qendër në Skoci për një lobit amerikan në emër të Partisë Demokratike shqiptare ka pasur reagime të shumta.

Partia Demokratike e konsideroi shkrimin me “fakte të sajuara” dhe “të paguar nga Edi Rama”. Ndërsa ambasada ruse në Tiranë tha se ai është “fals” dhe “pjesë të një fushate të medieve perëndimore për të njollosur Rusinë”. Revista amerikane ka reaguar sërish duke iu përgjigjur këtyre pretendimeve. Ajo hedh poshtë të jetë paguar për shkrimin.

REAGIMI I PLOTE I REVISTES “MOTHER JONES”

“Të martën, “Mother Jones” botoi një investigim të gjatë për një firmë misterioze të lidhur me Rusinë, e cila punësoi një ish-ndihmës të fushatës së Donald Trump, i quajtur Nick Muzin për të punuar në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Historia u zhvendos në Biniatta Trade, një kompani guaskë që pagoi Muzin 150 mijë dollarë dhe ndoshta më shumë, për të ndihmuar PD-në dhe kryetarin e saj Lulzim Basha. Sipas regjistrimeve të korporatave në Mbretërinë e Bashkuar, dy kompanitë që krijuan me qendër në Belize që krijuan Biniatta Trade, ishin të lidhura me firma të tjera të kontrolluara nga shtetasit rusë. Ishte një lidhje e komplikuar dhe më poshtë është një skemë që ju ndihmon për të kuptuar atë që “Mother Jones” zbuloi.

Pyetja kryesore e cila vlen të nënvizohet është kjo: A e përdorën rusët sistemin politik në SHBA për të ndërhyrë në politikën shqiptare?

Ne u përpoqëm t’i gjurmonim këto kompani të lidhura me Rusinë dhe përfaqësuesit e tyre duke ekzaminuar të dhënat e korporatave ruse, duke dërguar një gazetar në disa adresa në Moskë dhe duke dërguar kërkesa zyrtare përmes postës elektronike në Rusi, Ukrainë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Ne kurrë nuk morëm një përgjigje të plotë. Por pyetja jonë ka shkaktuar tension. Gjatë dy ditëve të fundit, disa media në Shqipëri ribotuan pjesë të historisë sonë, pasi politikanë shqiptarë dhe ambasada ruse në Tiranë denoncuan artikullin dhe “Mother Jones”.

Partia Demokratike e Shqipërisë lëshoi një deklaratë duke pretenduar se Partia Socialiste në pushtet pagoi “Mother Jones”, të cilën e quajti “media të dorës së dytë” për “të krijuar faktet”. Deklarata e PD-së mohoi lidhjet me kompanitë e lidhura me Rusinë. “Partia Demokratike nuk ka pasur dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me individë ose kompani ruse”, – tha kjo parti. Megjithatë, të dhënat e paraqitura në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, thonë se Biniatta Trade e ka paguar lobistin Muzin që të punojë në emër të PD-së.

Në një deklaratë për gazetën shqiptare të pavarur, “Shqiptarja”, “Mother Jones” tha se: “Akuza që “Mother Jones” mori pagesa nga Edi Rama për botimin e këtij artikulli është absurde. Ne kurrë nuk pranojmë pagesa për një hetim në asnjë rrethanë dhe sigurisht nuk e kemi bërë as në këtë rast”.
Polemikat mbi këtë histori kanë vazhduar. Një tjetër publikim hidhte dyshime se hetimi i “Mother Jones” ishte i njëanshëm sepse ka marrë 1.16 milionë dollarë në donacione nga dhuruesi demokrat George Soros. (“Mother Jones” nuk ka marrë përkrahje nga asnjë prej organizatave të Soros në vite, dhe kur e ka bërë, shuma ishte shumë më e vogël se kjo). Një anëtar i PD-së (Gent Strazimiri perk.) që aktualisht shërben në parlamentin shqiptar shkroi në Facebook se “Mother Jones” duhet të jetë e lidhur me socialistët amerikanë – duke nënkuptuar se revista ishte në “thesin” e Partisë Socialiste qeverisëse shqiptare – sepse emri i adashes së revistës, Mary Harris Jones, ishte një udhëheqëse laburiste e lidhur me lëvizjen socialiste amerikane në fillim të shekullit të 20-të.

Edhe ambasada ruse në Tiranë iu bashkua kësaj. Artikulli nuk flet për asnjë lidhje qeveritare ruse me këto kompani guaskë. Por ambasada lëshoi një deklaratë duke përmendur “ndërhyrje e supozuar ruse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.” Më pas ajo e konsideroi pjesën si “të padenjë për komentet e hollësishme” dhe pjesë e një “fushate të lajmeve të pista të lëshuara kundër Rusisë nga mediat perëndimore”. Ambasada shtoi: “Ne theksojmë se, ndryshe nga një numër shtetesh perëndimorë, Rusia i përmbahet rreptësisht parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë”. Ambasada ruse i bëri thirrje shtypit shqiptar që ta kontestojë shkrimin: “Ne gjithashtu shprehim shpresën se mendimi i autorëve amerikanë nuk përputhet me pozitën e redaksive në mesin e medias shqiptare që ribotuan opusin”.

FAKTET
“Mother Jones” u themelua si një organizatë jofitimprurëse në vitin 1976 sepse e dinim që korporatat dhe të pasurit nuk do të financonin llojin e gazetarisë së vështirë që ne filluam të bënim.
Sot, mbështetja e lexuesve përbën rreth dy të tretat e buxhetit tonë, na lejon të gërmojmë thellë në çështjet që kanë rëndësi dhe na lejojnë të raportojmë falas për të gjithë. Nëse e vlerësoni atë që merrni nga “Mother Jones, ju lutemi na bashkohuni me një donacion të zbritshëm nga taksat, që të mund të vazhdojmë të bëjmë llojin e gazetarisë që 2018-a kërkon. ©LAPSI.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *