• |
ide | kryesore

Nga kërcënimet plot zjarr dhe tërbim tek takimi ‘i pamundur’/ Çfarë ndryshoi mes Kim Jong Un dhe Donald Trump?

F1, Planet



Në tryezën ku u ul me zyrtarët e lartë koreano-jugorë, Kim Jong Un, bëri shaka me veten dhe reputacionin e tij si “njeriu i raketave”, por mes të tjerash bëri dhe një propozim.

Ai ishte i gatshëm të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore dhe donte të takohej me Donald Trump.

Kim u përpoq që gjithashtu t’i qetësonte mysafirët e tij duke thënë se presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae In, mund të rrinte i qetë tani që ai kishte marrë përsipër të vendoste një moratorium mbi testet e raketave.

“Presidenti Moon ka pasur një periudhë të vështirë duke mbledhur takime të sigurisë kombëtare në agim, sa herë që ne kemi gjuajtur raketa” – u shpreh Kim Jong Un, sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut që ishin në darkë.

“Nëse bisedimet në një moment ndalojnë, unë dhe Moon mund ta zgjidhim vetëm me një telefonatë” – shtoi Kim, duke iu referuar një linje telefonike që planifikohet të vendoset për dy udhëheqësit.

Ky takim i jashtëzakonshëm midis zyrtarëve të Koresë së Jugut dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut arriti kulmin kur Trump ra dakord që të takonte Kim. Kjo do të jetë hera e parë që një president amerikan në detyrë të takohet me të.

Lajmi u shoqërua me reagime të përziera në Korenë e Jugut.

Mbështetësit e qeverisë liberale ‘përmbytën’ mediat sociale me thirrjet që Moon të marrë çmimin Nobel të Paqes, ndërsa kritikët e cilësojnë atë si thjeshtë si një kukull.

Por, gjatë gjithë kohës që u kalua nga kërcënimet me ‘zjarr dhe tërbim’ verën e kaluar, tek negociatat e tanishme për ç’armatimin, Kim ka qenë në kontroll, dhe shumë analistë e shohin takimin me Trump si një grusht shteti diplomatik për udhëheqësin e Koresë së Veriut.

Rritja dramatike e bisedimeve filloi me fjalimin e Vitit të Ri, kur Kim Jong Un ofroi të dërgonte atletë në Lojrat Olimpike të Dimrit, në Pyeongchang. Gjatë muajit të ardhshëm, zyrtarët nga të dy palët komunikonin për herë të parë në më shumë se dy vite dhe u takuan për të diskutuar detajet dhe logjistikën.

Koreja e Veriut vendosi të dërgonte një delegacion prej më shumë se 500 persona në Lojrat Dimërore, duke përfshirë edhe nxitëse tifozësh, që shpesh tërhiqnin më shumë vëmendje se çdo sport që u zhvillua. Të dy vendet, të cilat kurrë nuk nënshkruan një traktat formal paqeje që prej fundit të luftës së Koreve, të viteve 1950-1953, madje marshuan së bashku nën një flamur të unifikuar, në ceremoninë e hapjes.

Ceremonia gjithashtu bëri që Kim të dërgonte motrën e tij të vogël dhe këshilltaren e ngushtë, Kim Yo Jong, në Korenë e Jugut. Ishte hera e parë që një anëtar i familjes në pushtet shkeli në Korenë e Jugut që nga fundi i luftës së Koreve. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae In, e ftoi atë për një darkë.

Motra e Kim Jong Un, i dha një ftesë presidentit të Jugut nga vëllai i saj për t’u takuar. Liderët pritet të takohen në fund të prillit. Dy javët e Lojrave, vëmendja kaloi nga bisedimet diplomatike, tek sportet.

Ndërsa kur Olimpiadës i erdhi fundi, Kim vendosi të testojë sa dëshirë ka Jugu për të pasur marrëdhënie më të mira. Ai dërgoi një ish-shef të inteligjencës ushtarake në ceremoninë e mbylljes, të cilin shumë persona në Jug e fajësojnë për vdekjen e 46 marinarëve të tyre. Por, i dërguari u pranua dhe u trajtua në mënyrë ngjashme me motrën e Kim Jong Un. (përktheu Lapsi.al) Vizita e tij kulmoi me një tjetër ngjarje: Pheniani kërkonte bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin.

Presidenti Koreano-Jugor dërgoi njerëzit e tij Phenian pas Lojërave. Besohej se ky ishte hapi i parë drejt një takimi mes liderëve koreanë. Aty ata u pritën nga vetë Kim Jong Un. Një zyrtar u shpreh se atë natë, gjatë darkës, u konsumua një sasi e madhe alkoli.

Me kthimin e delegacionit në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut, erdhi lajmi shokues: “Moon takon Kim Jong Un në prill”. (përkthyer nga Lapsi.al) I njëjti delegacion, i udhëhequr nga këshilltari i sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut, Chung Eui Yong, u dërgua shpejt në Uashington për të njoftuar Donald Trump.

Sipas CNN, kur presidenti amerikan u njoftua për mundësinë për tu takuar me Kim Jong Un, ai pranoi menjëherë, ndërsa bëri gati gazetarët duke i thirrur tek dhoma e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, ku u tha se një njoftim i madh do të jepej.

Ky lajmi mbuloi një javë plot zhurmë në Uashington. Trump po mërzit aleatët me lëvizjet e tarifave të çelikut dhe aluminit, një masë që mund të dëmtojë Korenë e Jugut dhe Japoninë, në një kohë kur ato po përpiqen të paraqesin një front të bashkuar kundër Koresë së Veriut. Ndërkohë, aktorja e filmave porno, Stormy Daniels, ngriti një padi për përpjekjet e supozuara të Trump për t’a ndaluar atë të fliste për një ‘marrëdhënie intime’ me presidentin, një dekadë më parë.

Vetëm pak pasi u takua me Trump, këshilltari i sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut, Chung Eui Yong, i rrethuar nga dy zyrtarë të tjerë, u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe i tha botës se samiti historik mes Trump dhe Kim Jong Un do të zhvillohej brenda muajit maj.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



1 Comment

  1. Kam përshtypjen se pas gjithë kësaj historie të trimërimit të Kim Jong Unit për të kërcënuar SHBA me armë bërthamore, qëndron skileja politike Putin. Trump u tregua i prerë me përgjigjen se nëse Koreja e Veriut do të ndërmerte ndonjë aventurë, mbrenda pak orësh do të sulmoheshin të gjitha bazat e saj atomike, gjë që do të shkaktonte një tragjedi jo vetëm për dy pjesët e ndara të Koresë, por eg=fektet do të ndjeheshin në gjithë Azine e më gjërë. Sigurisht që nuk besohet që Trump të bëhej shkak për një lufte atomike sepse sadoqë përpiqet ta paraqesë propoganda soroiste si një monstër, ai deri tani ka pasur disa suksese në politikën e tij të jashtëme.
    Ështe fakt se pasi erdhi Trump në Shtëpinë e Bardh, shteti terrorist islamik ISIS po shkon drejt zhdukjes.
    Politika e vjetër europiane që mbahej me favoret e SHBA si në financimet e NATO-s ashtu edhe në marëveshjet tregëtare, po e mbledh mëndjen se me këtë president biznesmen që di ti bëjë mirë llogaritë, nuk do të hanë më në kurriz te SHBA. Le të përmendim këtu taksat për çelikun e aluminin që i ka alarmuar disa vende europiane.
    Së fundi edhe “tigrin” Kim Jong, e detyroi me një lëvizje dipllomatike të Koresë së jugut, që të kërkojë bisedime me te e të ndërpresë provat e raketave.
    Perse dyshoj se më shumë se kinezët ka qenë Rusia e Putinit ajo që e ka nxitur Kim Jongun të kërcënojë SHBA.
    Sepse sapo i uli pendet Kim Jongu, doli në skenë Puitni me kërcënimin se ka në zotërim një raketë ujore me mbushje bërthamore, që mund të godasë e pa penguar në çdo cep të planetit.
    Duket se iku koha kur ai hiqej si epror ndaj Obamës e sot ka përballë një president amerikan me të cilin nuk mund të bëjë siç i do qejfi, siç bëri në Ukrainë e në Siri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *