• |
ide | kryesore

“Ruleta ruse”/ Dështimi i Obamës përballë sulmit kibernetik të Putinit

F1, Kryesore, Planet

Në verën e vitit 2016, pas dëshmive të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, një ekip në Shtëpinë e Bardhë filloi punën për një kundërvënie të gjerë kundër mediave ruse, oligarkisë së Kremlinit dhe Putinit personalisht, por këto plane u lanë mënjanë kur Susan Rice, këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Obama urdhëroi stafin që të “mos bënte asnjë lëvizje”.

Detajet e projektit dhe debati brenda administratës, se sa agresive duhet të ishte përballja me Moskën janë përshkruar në librin “Ruleta ruse: Historia e brendshme e luftës ndaj Putinit në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump”, shkruar nga Michael Isikoff dhe David Corn, shefi i Byrosë së Uashingtonit për “Mother Jones”.

Ekstrakte nga libri janë publikuar gjatë kësaj jave nga Yahoo News dhe “Mother Jones”. Libri do të dalë në shitje të martën e 13 marsit.

Kundërsulmi ishte ide e Michael Daniel, koordinatorit për sigurinë e internetit të Shtëpisë së Bardhë dhe Celeste Wallander, shefe e ekspertëve për Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Një nga propozimet ishte të angazhonte NSA-në për të ngritur një seri sulmesh kibernetike me ndikim të gjerë: të shkatërronte faqet e internetit të krijuara nga Rusia si “Guccifer 2.0” dhe “DCLeaks”, që kishin publikuar e-mailet dhe shkrimet e vjedhura nga demokratët e SHBA; të bombardonte faqet e lajmeve ruse me një valë trafiku të automatizuar që do t’i rrëzonte ato; dhe për të nisur një sulm ndaj vetë agjencive të inteligjencës ruse, duke tentuar prishjen e nyjeve të tyre të komandimit dhe kontrollit.

“Dëshiroja tu dërgoja një sinjal mbrapsht, se ne nuk do të toleronim ndërhyrje në procesin tonë të zgjedhjeve” – u tha Daniel, autorëve Isikoff and Corn. “Rusët po na shtynin aq fort sa mundeshin derisa ne nisëm tu përgjigjeshim”.

Wallander propozoi lëshimin strukturave të inteligjencës së klasifikuar për të zbuluar llogaritë sekrete bankare në Letoni të fshehura për vajzat e Putinit – një shuplakë e drejtpërdrejtë për presidentin rus që me siguri do ta inatoste atë. Duke punuar me Victoria Nuland, ndihmës-sekretaren e shtetit për çështjet evropiane, Wallander përgatiti edhe propozime të tjera si “hedhjen e baltës” në faqet ruse mbi paratë e Putin, për dashnoret e zyrtarëve të lartë rusë, apo dhe për korrupsionin në Partinë e Bashkuar të Rusisë të Putinit. Ideja ishte që t’i jepej Putinit shija e ilaçit të tij. “Ne donim të rrisim kostot në një lloj mënyre që Putin e njihte”, – thotë Nuland.
Por “sinjali” që Daniel kishte menduar nuk u dërgua; planet u shkatërruan nga Rice dhe Lisa Monaco, këshilltarja për sigurinë kombëtare e presidentit, që u shqetësuan se nëse lajmi mbi këtë “projekt” do të rridhte, do ta “vendoste presidentin në siklet” dhe do t’i krijonte presion mbi të për të vepruar.

Një ditë në fund të gushtit, sipas Isikof dhe Corn, Rice e thirri Daniel në zyrën e saj dhe e urdhëroi atë të “mos bënte asnjë lëvizje” dhe “të hiqte dorë”. Shtëpia e Bardhë nuk ishte e gatshme të mbështeste ndonjë nga këto ide. “Mos nisni gjë pa ju thënë ne” – e paralajmëroi Rice. Daniel u kthye në zyrën e tij. “Kjo ishte një kokëçarje nga një këshilltar i sigurisë kombëtare”, – i tha ai një ndihmësi të tij.

Në mbledhjen e tij të mëngjesit, Daniel i tha ekipit të tij të ndalte punën për mundësinë e kundërpërgjigjes ndaj sulmit rus: “Na është thënë të mos lëvizim”.

Daniel Prieto, një prej drejtuesve më të lartë, thotë se Michael Daniel e shihte me dyshim vendimin e marrë. Ashtu si dhe Prieto e shihte çështjen, presidenti dhe ndihmësit e tij më të lartë nuk lëvizën. “Kishte një shkëputje mes urgjencës që ndjente stafi ynë me këndvështrimin e Presidentit dhe ndihmësve të tij më të lartë” – tha më vonë Prieto. Kur zyrtarët e lartë argumentuan se çështja mund të rishikohej pas Ditës së Zgjedhjeve, Daniel dhe stafi i tij bënë një kundërshtim të fortë. “Jo – sa më gjatë që prisni, kjo zvogëlon efektivitetin tuaj. Nëse jeni në një luftë rruge, ju duhet tu përgjigjeni goditjeve” – u shpreh Prieto.

Seria e vendimeve – dhe mosveprimeve – të bëra nga Obama dhe ndihmësit e tij më të lartë në përgjigje të sulmit rus kanë qenë subjekt i debatit intensiv që nga ajo kohë. Në librin “Ruletë ruse”, Denis McDonough, shefi i shtabit të Obamës, mbron mënyrën si u trajtua çështja nga presidenti, duke thënë se Obama ishte i shqetësuar se përshkallëzimi i konfliktit me rusët mund të ushqente qëndrimet e Trump se zgjedhjet u manipuluan.

“Objektivi i rendit të parë i kërkuar nga Presidenti Obama,” – kujton McDonough, – “ishte mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve”. Obama donte të sigurohej se çfarëdo veprim i ndërmarrë nuk do të çonte në një krizë politike në shtëpi – dhe me Trump president, frikësohej se kjo mund të kishte shumë mundësi.

Sipas Isikoff dhe Corn, Obama dhe këshilltarët e tij të lartë vendosën të silleshin sipas një qasjeje tjetër. Në vend që t’i përgjigjeshin goditjes, presidenti paralajmëroi privatisht Putinin dhe i’u zotua për hakmarrje të madhe për çdo ndërhyrje të mëtejshme në zgjedhje. Obama e bëri kërcënimin në një takim privat me Putinin, në periferi të samitit të G20, në shtator. Presidenti më vonë njoftoi ndihmësit e tij se ai kishte dhënë mesazhin që ai dhe këshilltarët e tij kishin hartuar: “Ne e dimë se çfarë po bën. Nëse ju nuk e ndërprisni atë, ne do të imponojmë sanksione të vështira dhe të pashembullta”. Një zyrtar i lartë i qeverisë së SHBA kujton nga takimi se presidenti i tha Putinit: “Ju po na palloni zgjedhjet, ne do të rrëzojmë ekonominë tuaj”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë besuan për një kohë që paralajmërimi i Obamës kishte pasur një ndikim. Ata nuk panë prova të mëtejshme të fluksit rus dhe rënie të sistemit zgjedhor shtetëror. Por, siç do ta kuptonin më vonë, ata humbën në fushatën e Rusisë për luftën e informacionit që synonte të ndikonte në zgjedhje – reklamat inflamatore në Facebook dhe Twitter krijuar nga një ushtri ruse që punonte për Agjencinë e Kërkimit në Internet në Shën Petersburg.

Më 7 tetor 2016, administrata e Obamës më në fund doli në publik duke lëshuar një deklaratë nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare që akuzoi rusët për përpjekjet e tyre për “ndërhyrje në procesin zgjedhor të SHBA” duke thënë se “vetëm zyrtarët më të lartë të Rusisë mund të kishin autorizuar këto aktivitete.” Por për disa, pjesë e fushatës së Hillary Clinton dhe brenda vetë Shtëpisë së Bardhë, kjo ishte shumë pak dhe shumë vonë. Wallander, specialist për Rusinë në NSC, i cili kishte këmbëngulur për një përgjigje më agresive, mendon se deklarata e 7 tetorit ishte totalisht e parëndësishme.

“Rusët nuk mërziten për atë që ne themi” – theksoi ai më vonë. “Ata mërziten vetëm për atë që ne bëjmë”. (Në të njëjtën ditë që u bë deklarata, nisën publikimet një-mujore nga WikiLeaks të dhjetëra mijëra email-eve që hakerët rusë kishin vjedhur nga John Podesta, Drejtori i Përgjithshëm i fushatës së Clinton.)

Gati dy muaj pas zgjedhjeve, Obama ndërmori sanksione ndaj Moskës për ndërhyrjen e saj në zgjedhje – duke mbyllur 2 objekte ruse në Shtetet e Bashkuara të dyshuara si të përdorura për operacione të inteligjencës dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë dhe spiunëve. Ndikimi i këtyre lëvizjeve ishte i diskutueshëm. Rice atëherë mendonte se ishte e arsyeshme të mendohej se administrata duhet të kishte shkuar më tej. Ndërsa një zyrtar i lartë ankohej: “Ndoshta duhet t’i vrasim më shumë.” ©Përgatiti LAPSI.al

1 Comment

  1. Pa u futur në labirinthin e makinacioneve tendencioze politike, e pa e lexuar këtë shkrim, bazuar në ngjarjet e këtyre 15 viteve të fundit, çdo qytetar e ka të kjartë se lufta kibernetike është bërë një problem ndërkombëtar me përmasa të mëdha. Spiunazhi shtetëror tradicional i kohës së Luftes së dytë botërore e i Luftës së ftohtë, me perfeksionimin e kompjuterizimit, ka dalë në plan të dytë e në plan të parë ka dalë lufta kibernetike e spiunazhit “modern”.
    Nga shkrimi këtu pohohet një gjë e ditur në opinionin publik, se luftën kibernetike nuk e ka zhvilluar vetëm Rusia, por edhe SHBA.
    Pati njoftime në mediat botërore se institucionet inteligjente të administratës Obama, kishin përgjuar kibernetisht veç shumë kryetare shtetesh, edhe kancelaren gjermane Merkel.
    Ndonëse formalisht zonja Merkel bëri një “protestë” të zbehtë, është parë që publikisht të përqafohet me “mikun” e saj Obama
    Para do vitesh a nuk shpërtheu skandali ndërkombëtar i Wiky Leaks, një produkt i spiunazhit kibernetik jo më ndërmjet shtetesh por edhe të grupeve e individëve ?
    Ajo që duhet të shtrohet sot, nuk është se a ka apo jo luftë kibernetike ndërmjet Rusisë, SHBA apo Europës, por cila administrate e ndonjerit prej shteteve më të fuqishme, ka qenë më e aftë të përballet nga këto sulme.
    Nëse Rusia paska qenë “e zonja” që me luftë kibernetike të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të SHBA. e SHBA nuk paskej qenë e zonja që ta pengonte Putinin të përsërisë apo të zgjasë kohën e mandatit presidencial me metoda diktatoriale, kush e ka përgjegjesinë për këtë veç administratës Obama ?
    Në sondazhet e bëra deri para dy vitesh, për herë të parë një president amerikan nuk vlerësohej më si “njeriu i vitit”, por këtë vend e zuri Putini, sigurisht jo për vlerat e tij demokratike, por për aftësinë që të dilte fitues me Obamën e të bëhej ai protagonist i dipllomacisë ndërkombëtare. duke e zbehur rolin e presidentit amerikan që prej gati dy shekujsh është konsideruar edhe si “president i botës”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu