• |
ide | kryesore

Vajzat e TV-ve, material kurve

Blog

Kristina M */ Ndoshta e kam gabim sepse kam 22 vjet që jam larguar nga Shqipëria, por nuk e di përse gjithmonë e më shumë vajzat shqiptare – ato që shqiptarët ndjekin në televizion apo në rrjete sociale – janë bërë dy-dimensionale. Më duken sikur tejmundohen të krijojnë një fotografi të vetes që do të mund ta varnin njëkohësisht edhe në ekspozitën e Playboy-t, edhe në shtëpinë e vjehrrës së tyre. Janë të bukura,  shumë të bukura dhe shumë të kuruara, por nuk e di përse reflektojnë një varfëri shpirtërore dhe një mosdëshirë për të përdorur famën e tyre në të mirë të mijëra vajzave të tjera shqiptare që kanë nevojë të kenë shembuj që do të ndihmonin të fitonin besimin në vete.

Këto vajza nuk e dinë sa të prangosura janë në të vërtetë në të gjithë atë sforcim për të qënë “më të bukurat, më të zgjuarat, të pagabueshme, të padështueshme, të përmbushura dhe pa asnjë humbje.” Nuk e kuptojnë që në vend të jenë individualiste, të shpërndajnë aromë lirie, të jenë të shpenguara, të vërteta dhe të dëgjojnë popullin të cilit i përkasin, duken si marioneta të një shoqërie që ende i ndan femrat në material martese dhe material kurve.

Për mua nuk ka asnjë lloj “fuqizimi” në minifundin apo dekoltenë e tyre, as në faktin nëse vendosin apo jo të bëjnë operacione plastike. Nuk shoh ndonjë “forcë femre” tek vajzat që kanë arritur sukses e famë, sepse koha ka treguar që edhe nxënëset e 10-tave nuk janë detyrimisht vajzat më interesante dhe frymëzuese të klasës.

Nuk kam as edhe ndonjë tërheqje për ato vajza ekrani e muzike që bërtasin “jam origjinale dhe e lirë”, sepse ajo që është nuk bërtet e çirret aspak.

Mund të jem pak e ashpër dhe gjykuese, por nuk gënjej kur them se jam shumë e lumtur që vajza ime 27-vjeçare po rritet në Amerikë në këto kohë. Gruaja në Shqipëri është në kohën e saj më të keqe. Nuk më emocionojnë gratë ministre e deputete apo statistika për gra që ja kanë dalë. Kishim edhe më shumë statistika barazie gjinore të mrekullueshme në kohën e Enverit. Të mrekullueshme nga jashtë, sepse në të vërtetë, ishim të nënshtruara nga ligjet e shoqërisë dhe patriarkizmit.

E njëjta gjë si sot. Televizioni është reflektim i kësaj gjendje të mjerë të femrës në shoqëri. Po shtyhen në ekrane figura femërore që shumë vajza inteligjente dhe të shkolluara në Shqipëri apo jashtë as nuk duan të identifikohen. Po ndërtohen disa prototipe që vërdallosen nga studio në studio si mostra (samples në anglisht që të mos keqkuptohemi) shumice: Gruaja seksi, gruaja e dashur dhe gruaja që bërtet dhe aq shumë e dukshme është bërë kjo përzgjedhje, saqë po mbytet Gruaja, ajo grua shumë-dimensionale që qan, qesh, gabon dhe më e rëndësishmja shijon dhe seksin, dreqi e mori. Nuk është e nevojshme të flasë për këtë, por e lë të kuptojë që jeton.

Nuk do t’ja vija fajin burrave për çka po shoh sot. Burrat janë shumë të lumtur të vazhdojë kështu; të kenë në studio vajza që nuk flasin një fjalë por kanë shalë të bukura, të kenë në studio gra që bërtasin dhe timbri i tyre i hollë rrit audiencën, të kenë nën vete gra që hahen me njëra-tjetrën për gjëra sipërfaqësore si pamja dhe numri i ndjekësve në instagram, të bashkëpunojnë me gra që një ditë u hapin vendin se i kap ankthi i të martuarit a thua se ajo na identifikon dhe nuk e ngrenë kurrë zërin nëse do të paguheshin më pak se gjinia e kundërt, nëse ndaj kolegeve të tyre bëhet padrejtësi, nëse ftohen në emisione “vetëm se janë” dhe jo ‘çfarë mbushin e çfarë kontributi kanë në shoqëri”.

Burrat e ekranit janë shumë të lumtur nëse këto gra të famshme rrinë aty ku janë në delirin e famës së tyre, të krijuar nga sipërfaqja dhe jo nga thelbi.

Më vjen shumë keq për vajzën e sotme të ekraneve dhe akoma më keq ndihem që asaj vajze nuk ka kush t’i thotë që të mos tentojë të bëhet “dylli” i vetes së saj në Madame Tussaud, përpara se të jetë vetja e saj në jetë.

*Marrë nga Anabel/ Kristina M. jeton prej 25 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është As/Profesor në Public Policy në Oregon.

2 Comments

  1. Si nje vend zvetnues dhe shfrytezues deri me maksimum, Shqiperia kujdeset qe te komodifikoje edhe femren si nje gjallese te farmezueshme ku tiparet dhe sjelljet e saj te jene sa me standarte dhe te nenshtruara. Shqetesimet e saj duhet te vertiten rreth ceshtjeve triviale si per shembull simetria e vetullave, marka e rrobave, harku i hundes, kapja e nje mashkulli me lek pavaresisht brumit, e gjera si keto. Nese duan dicka me teper, i tregohen rruget e mergimit. Si perfundim, llumi gelon brenda kufijve nderkohe qe cilesia migron.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu