• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në Rusi/ 5 pikat kyçe në fitoren e rradhës të Vladimir Putin

F1, Kryesore, Planet



Ndërsa rezultati i zgjedhjeve presidenciale të Rusisë mund të duket i mbyllur, ende ka shumë për të diskutuar për të mbajtur vëzhguesit të intriguar.

Këtu janë pesë pika kyçe për votimin që mbahet sot në Rusi:

Pjesëmarrja është çelësi

Vetëm pak persona mund të dyshojnë se Vladimir Putin nuk do të marrë një mandat të katërt me shumicë të madhe. Por, fokusi është tek pjesëmarrja.

Sondazhet zyrtare njoftojnë se mbështetja për presidentin është rreth 70%.

Kremlini duket se po përpiqet të ndryshojë perceptimin që kanë votuesit, se fituesi pritet, pasi duhet të rritet legjitimiteti i rezultatit, veçanërisht për jashtë vendit.

(Rusët në rradhë për të votuar) 

Në të kundërt, kritiku më i njohur i Kremlinit, Aleksei Navalny, ka bërë thirrje për një ‘grevë votimi’.

Numri i madh i kandidatëve, tetë, nga tre që ishin në vitin 2012, është parë si pjesë e përpjekjeve për rritjen e pjesëmarrjes në votime.

Rusët po bombardohen me reklama, që nga çantat e supermarketeve në restorante, transport publik dhe kinema, për të votuar. (përktheu lapsi.al) 

Ka pasur raportime se votuesve i dërgohen mesazhe, aktivistët shkojnë derë më derë, si dhe ka fushata nga korporatat e mëdha shtetërore që të dërgojnë punonjësit e tyre për të votuar.

“Cirku”

Shumë vëzhgues dyshojnë se shtatë kandidatët me të cilët po përballet Putini nuk ofrojnë asnjë sfidë të vërtetë për Presidentin.

Qëllimi i Kremlinit mendohet të jetë krijimi i një shfaqjeje, ku duket se gara është e gjallë mes kandidatëve, për të rritur pjesëmarrjen e votuesve, por pa asnjë kërcënim për fuqinë e Putinit.

Liberalja Ksenia Sobchak ka të ngjarë të ketë vënë në lëvizje elektoratin me kundërshtimin e saj të hapur për aneksimin e Krimesë.

Mendohet se kjo qasje ndryshon imazhin e saj, të parë edhe si të rrezikuar, falë gjinisë së saj në një vend konservator si Rusia.

Kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin ka shmangur kritikat ndaj Putinit, ndërsa është përballur me sulme të pamëshirshme nga mediat shtetërore lidhur me marrëdhëniet e tij me bizneset.

Politikani veteran, Vladimir Zhirinovsky, i njohur për retorikën e tij agresive nacionaliste, është parë nga shumë njerëz si një figurë argëtimi.

Debatet zgjedhore shpesh kanë degraduar, ndërsa Putin ka qëndruar larg trazirave, dhe nuk është përfshirë në debate.

Në një debat, Zhirinovsky fyeu ashpër liberalen Sobchak, ndërsa kjo e fundit i hodhi një gotë me ujë.

(Ujë në fytyrën e Vladimir Zhirinovsky në debat televiziv) 

Mos harroni Krimenë

Imazhi që rrethon këto zgjedhje është ai i Presidentit Putin, si shpëtimtar dhe bashkues i Rusisë. Ai është njeriu që mbron vendin nga një rrethim armiqësor i Perëndimit.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj është aneksimi i Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, e cila që atëherë është përdorur nga Kremlini si pjesë e përpjekjeve për të mobilizuar rusët, duke përdorur më pas nacionalizmin.

Një film i shkurtër mbi kapjen e gadishullit u shfaq në prag të zgjedhjeve për publikun, dhe ligji u ndryshua për të zhvendosur datën e zgjedhjeve në 18 mars, përvjetorin e katërt të aneksimit të Krimesë.

(Pushtimi i Krimesë) 

Një raportim i favorshëm për Vladimir Putinin ka dominuar programet e lajmeve në televizionin shtetëror të kontrolluar nga shteti, burim i madh i informacionit për rusët, pavarësisht rregullave elektorale që kërkojnë paanësi strikte midis kandidatëve.

Zyrtarët e televizionit shtetëror këmbëngulin se ata po mbulojnë vetëm aktivitetet e Putin si President, por përshtypja e përgjithshme është ajo e një heroi kombëtar që i zhduk kandidatët e tjerë dhe grindjet e tyre.

Kush nuk merr pjesë

Figura kryesore e opozitës ruse, Aleksei Navalny, është ndaluar të kandidojë falë një dënimi për mashtrim, për të cilin ai pretendon se është i motivuar politiksht.

Tema e tij e preferuar, korrupsioni i nivelit të lartë, i prek rusët, dhe stili i tij i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i ngre lehtë njerëzit në masë në protesta, në një mënyrë që opozita liberale e Rusisë nuk mundet.

Vitin e kaluar, hetimi që ai bëri ndaj kryeministrit rus dhe besnikut të Putinit, Dimitri Medvedev, u pa nga miliona njerëz në internet, dhe nxiti protestat e para masive anti-qeveritare të Rusisë në vite. (përktheu lapsi.al) 

Navalny është përballur me sulme nga pro-qeveritarët e njohur. Kujtojmë këtu se ai u sulmua me bojë të gjelbër toksike që gati i kushtoi atij shikimin në syrin e djathtë.

(‘Opozitari i vërtetë’ Aleksei Navalny pas sulmit me bojë ku rrezikoi shikimin në syrin e djathtë) 

Televizioni shtetëror nuk mbulon aktivitetet e Aleksei Navalnyt, ndërsa Vladimir Putin refuzon t’a përmendë atë me emër. Putin e cilëson Navalnyn si një front të ngritur dhe financuar nga Perëndimi për të destabilizuar dhe dobësuar Rusinë.

Të rinjtë të parët  

Kremlini i ka kushtuar votuesve të rinj më shumë vëmendje këtë vit, pasi është frikësuar se shumica e votuesve nga 18 deri 30 vjeç janë të pakënaqur me sistemin politik dhe prespektivat e dobëta ekonomike.

Është raportuar se një pjesë e madhe e njerëzve që u shfaqën në protestat e Navalnyt vitin e kaluar kundër korrupsionit, janë nxënës dhe studentë.

Në prag të votimit, Putin mori pjesë në disa tubime zgjedhore me të rinjtë, duke theksuar se Rusia ofron prespektivë në karrierë, veçanërisht në shkencë dhe industri.

Votuesit e rinj gjithashtu janë në vënë në fokus të fushatave të ndryshme të mediave sociale, duke përfshirë një në të cilën yjet e famshëm shoqërojnë postimet e tyre në Instagram me hashtagun #ElectionIsWhereYouAre.(përktheu lapsi.al / Zgjedhjet janë aty ku je ti)

(Të rinjtë rusë në protesta) 

Origjina e kësaj fushate mbetet e paqartë, por dyshohet se Kremlini ose aleatët e saj kanë dorë në të.

Ka pasur gjithashtu një video humoristike dhe deri diku homofobike, që u bë virale, e cila nxit njerëzit të dalin nga shtrati dhe të votojnë, që të mos vijë në pushtet një president i cili e bën të detyrueshme që rusët të mirëpresin homoseksualët.

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



4 Comments

  1. Vladimir Putin ka mbi 70% mbeshtetje popullore, e pranuar kjo edhe nga armiqte me te eger te tij si DW e Merkelit p.sh. Kete perkrahje popullore nuk e gezon asnje politikan ne Europe, ky eshte fakt. (sa larg eshte Cari i ri iRusise nga plaka e mjere e Berlinit qe vetem pas 6 muajsh mundi te arnoje nje qeveri cope-cope).

    1. Psikollogji ujqërish. Në 73 vite të diktaturës komuniste në BS , jo 70% por 99.99% e popullsisë deklarohej si “mbështetëse” e vetëm një lideri politik.
      Në Shqipëri gjithashtu po e njejta histori në 47 vjet.
      Votimet në vënde me një të kaluar të gjatë sistemesh diktatoriale, është tepër e vështirë që populli të hedhë tej samarin me të cilin është mësuar ta ketë në kurriz.
      Edhe kur e hedh këtë samar tutje, nuk kalon shumë kohë e i pamësuar me mungesën e tij, “i ha kurrizi” përsëri për samarin.
      Samari i diktaturës zë vënd mirë në kurrizin e shoqërisë si nga propogandat e komunizmit, ashtu edhe të nacionalizmit, e dihet historikisht që diktatorët nazistë e komunistë shfrytëzuan me mjeshtëri kësisoj propogandash. Dihet tashmë gjithashtu historikisht se nazizmi lindi si një ideollogji nacional-socialiste që nga Hitleri Gjermanisë, tek Millosheveçi i Serbisë e deri tek Putini i Rusisë apo Rama i Shqipërisë.

      1. Disa si ky Anonimi ketu qe nuk ka emer ngaterrojne keq Diktaturat me votim te detyruar me 99.99% te votave, me perkrahjen popullore qe ka sot vetem nje lider ne Europe, Vladimir Putin. Ne Rusi ka stabilitet politik, ka rritje ekonomike (packa se propaganga sorosiane derdellit te kunderten). Dhe ruset votojne per njeriun qe i ka garantuar dinjitet vendit te tyre. Nuk ka sot as CCCP, as Lenin-Stalin ne Moske. Shembelltyren e ish-CCCP sot ne Europe e gjen ne zyrat e Brukselit. Me tiparin baze te ish-CCCP, Sovranitetin e Kufizuar qe kjo BE ka adoptuar fiks si dikur CCCP komuniste.

  2. A mos po kujton se duke nënshkruar me emrin grek “Sokrat”, e mund të na mbushësh mëndjen se nuk je anonim ?
    Na qenka bërë sipas teje ish oficeri i KGB një demokrat antikomunist që i rreh zemra për popullin rus ??????
    Në cilin vend me sistem demokratik të botës mund të gjesh president të përjetshëm ?
    Vetëm në vendet komuniste apo monarkitë islamike.
    Në të njejtën kohë me “fitoren” për të qenë edhe shtatë vite tjera diktator i Rusisë Putini, në Kinë shpallet si lider i përjetshëm sekretari i parë i KQ të Partisë komuniste.
    Po kjo histori ka ndodhur edhe me dinastinë komuniste të Kim Jongëve në Korenë e veriut e në Kubën e Kastrove.
    Bota demokratike është e prirur që të shkurtojë kohën e mandateve qeverisëse të individëve e jo që ti zgjasë ato më shumë.
    Kështu si e ka nisur Putini duke i shtuar vitet e mandatit presidencial nga pesë në shtatë, prite kur nga fundi i këtij mandati ta shpallë veten president i përjetshëm.
    Sa për “bumin” ekonomik që paskej sjellë Putini në Rusi, mos të harojmë se këtë farë bumi patën sjellë edhe Hitleri në Gjermani, edhe Musolini në Itali por edhe Stalini në BS.
    Kina e Rusia janë padyshim vende të fuqishme sepse kanë potenciale burimore ekonomike e njerëzore më të mëdha se vendet e vogla dhe është fakt se që të dy suksesin ekonomik e patën duke kombinuar metodat komuniste të shtetit diktatorial etatist, me ekonominë kapitaliste. Por nëse je shqiptar e jo grek more Sokrat, çfarë të mirash pati kombi shqiptar nga rusët apo kinezët ? A nuk janë këto dy shtete që mbështesin në OKB Serbinë lakmitare të tokave shqiptare ?
    Ashtu siç pushtoi Krimenë Putini, duke instaluar në kufijtë e Kosovës baza të tij ushtarake, thua se nuk ekziston rreziku që të ndihmoje Serbët në një aventurë tjetër ?
    Ke degjuar ti që emigrantë europianë apo amerikanë të ketë dërguar në Rusi BE apo SHBA që ti helmojnë si kundërshtarë politikë , siç bën Putini ?
    Mendon vërtetë se opozita ruse ka të njejtat shanse për të ardhur në pushtet, njëlloj si në BE e në SHBA ? Ku ka lënë hapsirë Putini për opozitën kur jo vetëm i sulmon me të gjitha mediat që i ka në dorë, por krerët e saj i ka zhdukur fshehurazi edhe fizikisht ?
    Ka vërtetë në BE e SHBA përplasje politike deri ekstremiste midis së majtës e të djathtës, por nuk kemi dëgjuar që të vriten ata që janë në pushtet apo në opozite. Kësisoj krimesh politike kemi dëgjuar që të ndodhin vetëm në “demokracinë” greke “europiane” apo demokracinë neokomuniste edviniane në Shqipëri.
    Sa për Sorosin e historinë e lidhjeve të tij me pjesë të politikës europiane e amerikane, ky është tjetër problem, që kur ka qenë rasti e kam shfaqur mendimin tim kundër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *