• |
ide | kryesore

Sërish sulm me armë në gjimnaz në SHBA, vritet agresori që la disa të plagosur

F1, Planet



Sipas një sherifi amerikan, agresori i armatosur që hapi zjarr në një shkollë të mesme në Maryland ditën e sotme dyshohet se u vra nga një prej rojeve të shkollës.

Drejtuesi i policisë së zonës, Tim Cameron, u shpreh në një konferencë për shtyp se agresori dhe roja i shkollës qëlluan të dy një herë, por ende nuk dihet nëse është plumbi i rojes që vrau të dyshuarin.

Cameron u shpreh se nga të shtënat u plagosën dy nxënës, një vajzë dhe një djalë, në një prej korridoreve të shkollës së mesme “Great Mills”, në jug të Maryland. Të plagosurit janë transportuar në spitale.

Shkolla e mesme “Great Mills” ka rreth 1600 nxënës dhe ndodhet 65 milje në jug-lindje të Uashingtonit. Kur u njoftua fillimisht se kishte të shtëna me armë në këtë shkollë, lajmi u dha se kampusi ishte mbyllur dhe rrethuar.

Zyra e sherifit njoftoi se kishte ndodhur një ‘incident’ në shkollë dhe i kërkoi prindërve të qëndronin larg kampusit.

Shkolla bën pjesë në qarkun që përfaqësohet nga demokrati Steny Hoyer. Ai shkroi në Twitter se po monitoronte raportet që vinin nga shkolla ku ndodhi sulmi. Edhe Guvernatori i Marylandit, Larry Hogan, njoftoi se po ndjek nga afër situatën.

Sipas mediave lokale, sulmi ndodhi në ora tetë të mëngjesit. Terrence Rhames, 18 vjeç, i tha gazetarëve se dëgjoi të shkrepej një armë zjarri dhe pa një vajzë të rrëzohej, teksa ajo po vraponte drejt daljes së shkollës.

“Unë vetëm falenderoj Zotin” – u shpreh 18 vjeçari, ndërsa shton se dëshiron të marrë vesh se kush është përgjegjës për sulmin dhe kush mbeti i plagosur.

Zëdhënësi i FBI-së, David Fitz, u shpreh se agjentët ishin në vendin e ngjarjes për t’i ardhur në ndihmë policisë lokale.

Muajin e kaluar, 17 njerëz u vranë në sulmin me armë në një gjimnaz në Parkland, Florida. Të mbijetuarit e sulmit me automatik, kanë filluar një fushatë kombëtare për një reformë në kontrollin e armëve.

Një protestë e quajtur “March For Our Lives” (marshoni për jetët tona), do të zhvillohet në Uashington këtë të shtunë.

Muajin e kaluar, zyra e sherifit në Maryland njoftoi se kishte arrestuar dy djem adoleshentë pasi ata kërcënonin se do të qëllonin me armë shkollën “Leonardtown High”. Në pranga u vu gjithashtu dhe një burrë 39-vjeçar, si pjesë e komplotit të adoleshentëve.

Policia njoftoi se adoleshentëve i gjetën disa pushkë gjysëm-automatike, pistoleta dhe armë të tjera.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *