• |
ide | kryesore

Vrasësi i dy policëve fiton betejën e parë me drejtësinë shqiptare nga Ekuadori

Lajme, Të fundit
Mbreti, Dritan



I njohur si mjeshtri i arratisjeve dhe i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në vitin 1999, Dritan Rexhepi, një ndër personat më të kërkuar nga policia shqiptare, arriti të fitojë në Gjykatën Kushtetuese të drejtën për tu rigjykuar nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë.

Prej më shumë se 2 vitesh, Rexhepi ndodhet i arrestuar në Ekuador me dyshimet se është i përfshirë në trafikun e kokainës, por kjo nuk e ka penguar që nëpërmjet avokatëve të tij në Shqipëri, ai të fitoj një proces gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese.

Prej më shumë se një dekade, Rexhepi ka qenë në listën e më të kërkuarve por ai ka mundur të arratiset si nga burgjet italiane ku ishte duke vuajtur një dënim, si dhe të shmangë arrestimin nga autoritetet spanjolle, belge, e britanike, për t’u kapur vetëm në vitin 2014 në Ekuador.

ReportTv ka mundur të sigurojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku është vendosur pranimi pjesërisht i padisë së tij dhe shfuqizimi i vendimit të Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë e cila më parë s’kishte pranuar rekursin e Rexhepit.

Në vitin 1999 Rexhepi u hetua dhe më pas u akuzua për vrasjen e policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998 në Fushë-Krujë, ku së bashku me të u akuzuan edhe disa persona të tjerë.

Ai kishte arritur të arratisej nga komisariati i Durrësit, ku ishte ndaluar në vitin 2006, dhe në vijim Rexhepi është arratisur edhe nga burgjet në Itali e Belgjikë, duke u kthyer në një prej personave më të kërkuar nga Interpoli.

Në vitin 2014, Shqipëria i kaloi Ekuadorit dosjen për ekstradimin e vlonjatit Rexhepi.

Në fakt, në garë për ekstradimin e tij janë edhe shtete të tjera të Europës si, Italia, Spanja apo Britania e Madhe, vende në të cilat akuzohet për vepra të rënda penale.

Në Spanjë në korrikun vitit 2011, Rexhepi do të shpallej në kërkim për grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë. Grabitjen shqiptari e kishte kryer në një natë magjike për katalanasit, pikërisht në momentin kur gjithë Katalonja gjendej në shesh duke festuar fitoren e “Champions Ligë”-s nga Barcelona. Rexhepi u kërkua për ekstradim nga 4 shtete.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *