• |
ide | kryesore

Skandali/ Dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë u punësuan në universitetin ‘Kristal’ në shkelje të rregulloreve

Lajme, Të fundit
kristal-300x200.jpg



Në korrik të 2014-s, universiteti “Kristal” gjendej në prag të mbylljes dhe në mes të një procesi gjyqësor, por presidenti i tij Ahmet Muçaj përshkruhej si sponsor bujar në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Emri i Muçajt u lakua në KLD gjatë procedimit disiplinor për “fshehje pasurie” të Ken Dhimës, gjyqtar i Gjykatës Administrative të Vlorës, i cili pretendonte se kishte përfituar 59 mijë euro dhurata dhe sponsorizime nga presidenti i “Kristalit” gjatë viteve 2008-2011.

Procesverbali i zbardhur i mbledhjes së 7 korrikut 2014 të KLD-së ekspozon habinë e gjyqtarit Dhima se pse ishte i vetmi i akuzuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, kur sipas tij nga Muçaj kishin përfituar deri edhe “ministra dhe zv. ministra”. “…Kam sjellë këtu Ahmet Muçaj, pasuria e tij është 30-40 milionë euro tani. Si mund të dyshojmë [nëse] më ka dhënë mua Ahmet Muçaj 50 mijë euro? Jo vetëm mua, por u ka dhënë ministrave dhe zv.ministrave, u ka blerë edhe shtëpia. Ç’ne u dyshokam unë?” replikoi Dhima përballë anëtarëve të KLD-së.

Gjyqtari Dhima e kaloi pa pasoja procedimin disiplinor, ndërkohë që argumentet e tij për miqësinë familjare me Muçajn e “Kristalit” dhe mungesën e shqetësimit për konflikt interesi në marrjen e parave u pranuan si normale nga shumica e anëtarëve të KLD-së. Paralelisht me detyrën e tij si gjyqtar, Dhima punoi për 5 vjet edhe si pedagog i së drejtës romake në universitetin “Kristal”. Ai nuk ishte i vetmi.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se universiteti “Kristal” bashkë me rrjetin e vet të fakulteteve në rrethe u kthye në një punëdhënës të madh për dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë të Shqipërisë përgjatë viteve 2006-2014. Të paktën 30 gjyqtarë dhe 17 prokurorë kanë punuar për një ose më shumë vite si pedagogë në universitetin “Kristal” dhe kanë deklaruar të ardhura të përfituara prej tij në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Gjyqtarët dhe prokurorët e punësuar nga Ahmet Muçaj përbëjnë rreth 5 për qind të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. BIRN mësoi se pjesa më e madhe e tyre e kreu këtë aktivitet në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ish-presidenti i universitetit “Kristal”, Ahmet Muçaj u arrestua në fillim të marsit teksa po tentonte të shiste një diplomë juridiku, thuajse katër vjet pas mbylljes së universitetit të tij. Ai po hetohet nën masën e “arrestit shtëpiak” për veprat penale të korrupsionit në sektorin privat dhe falsifikim të diplomave.

Telashet e Muçajt me drejtësinë erdhën pas dy hetimeve për shitje diplomash, të cilat u mbyllën që të dyja nga Prokuroria. E pyetur nga BIRN nëse 17 prokurorët e përfshirë në mësimdhënie e kishin kryer këtë aktivitet në përputhje me ligjin dhe nëse ishin evidentuar shqetësime për konflikt interesi mes tyre, Prokuroria e Përgjithshme u rezervua të përgjigjej vetëm me një pasazh të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 39 i këtij ligji përcakton që funksioni i prokurorit është i papajtueshëm me çdo veprimtari tjetër publike, me përjashtim të mësimdhënies, e cila rregullohet me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se vetëm dy gjyqtarë nga 30 gjithsej kishin respektuar urdhrin e KLD-së dhe kishin marrë autorizim për të dhënë mësim në universitetin “Kristal”.

“Nga kontrolli manual i dokumentacionit arkivor dhe konkretisht vendimarrjes së KLD-së për periudhën 2006-2014 rezultojnë vetëm dy gjyqtarë të kenë marrë autorizim për ushtrimin e mësimdhënies në universitetin jo-publik Kristal,” u përgjigj KLD.

Hetimet e mbyllura  

Universiteti “Kristal” u hap në vitin 2005 dhe përgjatë 7 viteve të operimit të tij i shumëfishoi filialet e veta duke u shtrirë edhe në qytete të vogla si Kukësi apo Përmeti. Ai u mbyll në gusht 2014 nga qeveria “Rama” së bashku me 22 universitete të tjera private, pas konstatimit të parregullsive dhe reputacionit si një ndër “fabrikat e diplomave” në Shqipëri. Universiteti i themeluar nga Muçaj u vendos për herë të parë në qendër të një hetimi në vitin 2012, kur autoritetet italiane zbuluan se Renzo Bossi, djali i ish-kreut të Lega Nord ishte diplomuar në “Kristal” pa qenë asnjë ditë në Shqipëri.

Hetimi zgjati 7 muaj dhe Prokuroria dështoi të zbulonte mënyrën se si Bossi dhe një shtetas tjetër italian ishin pajisur me diplomë të “Kristalit”. E vetmja që u penalizua ishte një sekretare e universitetit, e cila u shpall nga gjykata përgjegjëse për falsifikimin e dy diplomave. Pas heqjes përfundimtare të licensës në vitin 2014, “Kristal” u kallëzua sërish në Prokurori nga Ministria e Arsimit, e cila e akuzonte universitetin për refuzim të urdhrit për të dorëzuar regjistrat si dhe ngrinte dyshime se ai vazhdonte të shpërndante diploma në kundërshtim me ligjin.

Por edhe ky hetim u pushua në vitin 2015 nga Prokuroria e Tiranës, me argumentin se shkeljet e konstatuara ishin kundravajtje administrative dhe nuk përmbanin elementë të veprave penale të mashtrimit apo të shpërdorimit të detyrës. Pushimi i procedimit penal u motivua nga Prokuroria e Tiranës me argumentin se “fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Tre vjet pas mbylljes së këtij hetimi, ish-presidenti i Kristalit u arrestua nga policia e Tiranës duke shitur një diplomë të falsifikuar për 2500 euro. Megjithatë, dyshohet se përmasat e këtij fenomeni janë shumë herë më të mëdha. Ministria e Arsimit deklaroi më 8 mars se kishte marrë kërkesa për verifikim diplomash nga institucione dhe individë që prej mbylljes së universitetit “Kristal”.

“Prej kohës së mbylljes së këtij universiteti, institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara.Në ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon,” tha Ministria e Arsimit.

Shkeljet në mësimdhënie

Përballjet e universitetit “Kristal” me drejtësinë nuk i penguan gjyqtarët dhe prokurorët që t’i vazhdonin kontratat e mësimdhënies me të deri në verën e vitit 2014. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 13 gjyqtarë dhe 9 prokurorë jepnin mësim në këtë universitet në vitin akademik 2012-2013; kohë kur universiteti ishte përfshirë në stuhinë e rastit “Bossi”. Një pjesë me e vogël e vazhduan këtë aktivitet deri në mbyllje të tij.

Mësimdhënia është ndër të pakëtat aktivitetete të lejueshme për gjyqtarët dhe prokurorët, por ajo rregullohet përmes një vendimi të KLD-së dhe urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilat kanë synimin të garantojnë që detyra e gjyqtarit dhe prokurorit është e pacënueshme dhe ka epërsi mbi veprimtaritë e tjera. Në 2011, KLD nxorri një vendim për ushtrimin e aktivitetit akademik, duke i detyruar gjyqtarët që të kërkonin autorizim rreth 45 ditë përpara mësimdhënies si dhe normon numrin e orëve të lejuara të mësimit apo shumat e lejuara të pagesës nga universitetet publike dhe private.

Megjithatë, një inspektim i kryer nga Inspektoriati i KLD-së në vitin 2014 zbuloi se një përqindje e lartë e gjyqtarëve e kryenin aktivitetin e mësimdhënies në shkelje të rregullave të mësipërme. Sipas inspektimit, nga 42 gjyqtarë që jepnin mësim në vitin akademik 2012-2013, 37 prej tyre nuk kishin kërkuar autorizim pranë KLD-së, ndonëse orët e mësimit realizoheshin edhe brenda orarit zyrtar. 13 prej gjyqtarëve të gjetur me shkelje jepnin mësim në universitetin “Kristal”, mes të cilëve edhe anëtarë të KLD-së apo kryetarë gjykatash.

Inspektoriati i KLD-së ka analizuar edhe treguesit sasiorë dhe shpejtësinë në gjykim të gjyqtarëve të përfshirë në mësimdhënie. “Në 42 gjyqtarët e inspektuar, 9 prej tyre kanë patur vonesa mbi 30 ditë në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, nga të cilët 8 gjyqtarë ushtrojnë veprimtarinë akademike brenda orarit zyrtar… Për pjesën tjetër të gjyqtarëve [26 gjyqtarë] janë paraqitur një deri në 7 aneksa, duke përfshirë edhe pretendime për zvarritje gjykimi,” thuhet në raportin e Inspektoriatit.

Raporti i Inspektoriatit të KLD-së nuk u shoqërua me masa ndaj gjyqtarëve, por adresoi një sërë rekomandimesh për reformimin e rregulloreve për aktivitetin akademik. Ndërkohë, ështe e paqartë nëse Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë ndonjëherë urdhra për rregullimin e këtij aktiviteti apo të ketë kryer ndonjë verifikim për të konstatuar probleme të ngjashme dhe konflikt të mundshëm interesi./ BIRN



4 Comments

  1. Eshte amorale te flitet per kete fakt kur te perzgjedhurt e oragneve te reja te drejtesise dhe vetingut kane qene dhe jane pjese e perfituesve nga jketo universitete. Eshte po aq amorale te shikohet ky moster universitet si e vetmja dele e zeze, kur jane te tilla edhe te gjitha te tjerat qe sot jane te hapura.
    Birn po te doje mund ti hetoje por nuk e ben sepse keta anetare te “Drejtesise se Re” jane te perzgjedhurit e dinastise se re!

  2. Ky eshte nje nder skandalet qe qeveria e PD -LSI kane bere ne shqiperi.
    Shpresoj qe nje dite, fajtoret dhe korruptuesit te dalin perpara ligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *