• |
ide | kryesore

Analiza/ Pse injorohen ‘sëmundjet e varfërisë’ që prekin mbi 1 miliard njerëz

F1, Planet



Më shumë se 1 miliard njerëz në mbarë botën janë të infektuar me ‘sëmundjet e varfërisë’. Këto kushte prekin në mënyrë joproporcionale më të varfrit në botë, qoftë në botën në zhvillim, apo edhe në vendet e zhvilluara por me pabarazi ekstreme.

Edhe pse sëmundjet shumë të njohura si HIV/AIDS dhe Malaria konsiderohen sëmundje varfërie, shumë prej sëmundjeve të tjera, që më së shumti godasin më të varfërit në botë, janë më pak të njohura dhe shpesh të keqkuptuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përfshirë 20 prej këtyre sëmundjeve në të ashtuquajturën kategori të ‘sëmundjeve tropikale të shpërfillura’. Kjo shumëllojshmëri sëmundjesh, si lebroza apo çagasi, nuk tërheqin vëmendien e medias globale apo financime. E kundërta ndodh me malarian.

Sëmundjet e neglizhuara i kushtojnë vendeve në zhvillim miliarda dollarë në vit.

Pra, përse pjesa tjetër e botës heq vështrimin ose injoron shumicën e sëmundjeve të varfërisë?

Shumica prej tyre nuk janë vdekjeprurëse

HIC dhe malaria mund të jenë fatale, por shumë sëmundje të varfërisë nuk janë. Në fakt, sëmundjet e lëna pas dore si tërbimi përshembull, përbëjnë 170 mijë vdekje në nivel global, një numër relativisht i vogël. Shpesh, sëmundjet e varfërisë shkaktojnë dhimbje ekstreme dhe mund të shpërfytyrojnë ose të paralizojnë ata që preken prej tyre, për gjithë jetën.

Për shkak se nuk janë ‘vrasës të mëdhenj’, këto sëmundje nuk tërheqin shumë fonde, që mund të shkojnë për gjetjen e një kure.

“Njerëzit ose i kushtojnë vëmendje sëmundjeve që vrasin shumë, ose sëmundjeve që financohen shumë” – u shpreh doktori Evan Secor, mikrobiolog.

Ato prekin komunitetet më të margjinalizuara

Sëmundjet tropikale të neglizhuara mund të gjenden në 149 vende të botës. Prekin njerëz jashtëzakonisht të varfër që jetojnë në zona në zhvillim ose në vende shumë të veçuara.

“Aksesi i këtyre njerëzve në qendra mjekësore apo në ilaçe është shumë i kufizuar.” – u shpreh Evan Secor.

Në Kenian rurale për shembull, të prekurit nga sëmundja e rëndë e lëkurës, leishmaniasis, jetojnë milje larg mjekëve. Mes tyre qëndron një shkretërië e madhe. Të prekurit nga kjo sëmundje duhet të ecin orë të tëra, në zona ku leopardët gjuajnë për mish të freskët, për të arritur në një klinikë për t’u trajtuar.

Në mungesë të edukimit shëndetësor, të sëmurët mund të jetojnë me vite pa u diagnostikuar dhe pa marrë trajtimin e duhur. Por, edhe nëse këta persona kanë qasje në kujdesin shëndetësor, shërbimet në dispozicion janë shpesh shumë të dobëta dhe të pamundura të kurojnë këto sëmundje.

Një tjetër problem me neglizhimin për të kuruar këto sëmundje është edhe sepse mund të mos jetë e vetmja. Një i prekur nga tërbimi mund të jetë edhe bartës i HIV/AIDS. Shumë nga këto sëmundje mund të jenë tejet të përhapura në këto komunitete të izoluara.

Trajtimet ekzisojnë por kanë nevojë për përmirësime

Sëmundjet tropikale të neglizhuara përhapen shpesh nga mushkonjat. Për të parandaluar një përhapje të tillë të sëmundjeve duhet investuar në përmirësimin e higjenës në komunitete. Rrjeta mbrojtje nga mushkonja dhe pajisjet e filtrimit të ujit të pijshëm mund të mbrojnë njerëzit nga ekspozimi ndaj sëmundjeve.

Mjekët mund të shpërndajnë barna të dobishme për të kontrolluar përhapjen e sëmundjeve në komunitet, apo edhe mund të shpëtojnë një të prekur nga vuajtjet e tmerrshme, por vetëm për shkak se ekzistojnë këto trajtime, nuk do të thotë se problemi është zgjidhur. Duhen furnizime të herëpasherëshme me ilaçe, ndërsa një pjesë e barnave në dispozicion, edhe pse funksionojnë, shpesh shkaktojnë efekte anësore të rënda.

Megjithatë, përkundër këtyre sfidave, një pjesë e vogël e sëmundjeve të neglizhuara janë eliminuar në vende të caktuara.

Gjatë pesë viteve të fundit, ‘verbëria e lumit’, një sëmundje parazitare që ndikon në shikim, është eliminuar në katër vende të Amerikës Latine. Ky sukses u arrit falë një përpjekjeje të vazhdueshme globale që përfshinte shpërndarjen massive të barnave në komunitetet e prekura. Por, ‘verbëria e lumit’, është ende një kërcënim për miliona njerëz në më shumë se 20 vende, shumica e tyre në Afrikë.

Në të njëjtën kohë, ka një iniciativë të ngjashme për të zhdukur ‘elefantizmin’, tjetër sëmundje parazitare e rrezikshme. Dhjetë vende anembanë botës kanë arritur t’a eliminojnë këtë sëmundje, duke e cilësuar si problem shëndetësor publik. Por, 856 milionë njerëz në 54 vende janë ende në rrezik.

Të sëmurët përballen me izolim intensiv social

Shumë njerëz që janë shpërfytyruar ose paralizuar si pasojë e sëmundjeve të lëna pas dore jetojnë në komunitetet që nuk i pranojnë ose nuk i njohin këto sëmundje. Të prekurit mund të jenë tërësisht të izoluar nga jeta sociale, ata nuk mund të punojnë apo edhe të mbajnë marrëdhënie me njerëzit.

Në zonat rurale, thashethemet dhe mitet qarkullojnë bollshëm për disa prej sëmundjeve të caktuara. Në disa raste besohet se këta njerëz janë mallkuar dhe se duhet të largohen nga familjet dhe komunitetet e tyre.

“Këto sëmundje janë të panjohura, si për bashkësinë ndërkombëtare, si për komunitetet që vuajnë prej tyre.” – u shpreh mikrobiologu Secor.

Sëmundja e lëkurës ‘leishmaniasis’, krijon kruajtje dhe deformime të mëdha të fytyrës. (përktheu lapsi.al) Elefantiza mund të shkaktojë zmadhim të madh të gjymtyrëve. Kjo është një sëmundje veçanërisht e tmerrshme për gratë e reja që ëndërrojnë martesën dhe krijimin e një familjeje.

Sëmundjet e neglizhuara gjithashtu mund ta bëjnë të pamundur për njerëzit e prekur që të punojnë.

Vetëm njohja e këtyre sëmundjeve nga komunitetet që preken më së shumti prej tyre, do të siguronte një mbështetje më të madhe dhe kujdes për ata në nevojë.

Huffington Post, përshtati për ©LAPSI.AL Arbër Kaceli



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *