• |
ide | kryesore

2 milion paund drogë, 67 vite burg bandës me shqiptarë në Britani

Lajme, Të fundit

4 persona, 2 prej të cilëve shqiptarë, të përfshirë në shpërndarjen e një sasie kokaine dhe heroine me vlerë mbi 2 milionë paund, janë dënuar me një total prej 67 vitesh burg në Britaninë e Madhe.

Detektivët e Komandës së krimit të organizuar në Policinë Metropolitane i arrestuan personat në fjalë pas 6 muajsh hetime, që çoi në sekuestrimin e më shumë se 50 kilogramëve drogë të Klasit A.

Hetimi nisi më 25 Janar 2017, kur oficerët dëshmuan shkëmbimin e një çante që mbante 7 kilogramë heroinë mes shqiptarit Valjet Pepajt, i identifikuar si koka e grupit të organizuar kriminal dhe Yassir Thamer, një korrier.

Policia ndaloi më vonë automjetin me të cilin po transportohej droga me vlerë 687,100 paund dhe arrestoi Thamer.

Më 15 Shkurt 2017, Bastri Nuhi u pikas teksa po drejtonte një kamion për t’u takuar me Pepajn në Northampton. Pepaj u pa teksa i dha një çantë të madhe Nuhit, në të cilën ndodhej një sasi e madhe parash, që besohej se vinte nga shitja e drogës.

Më 21 Shkurt 2017, Pepaj dhe Edi Vyzaj, një prej korrierëve më të besuar të rrjetit të shpërndarjes së drogës, u pa duke u takuar me një kamion maqedonas, që drejtohej nga Gafur Salih në Hemel Hempstead, ku ata transferuan një çantë të madhe në një makinë Hyundai.

Të nesërmen, oficerët e panë Pepajn duke drejtuar të njëjtën Hyundai në një adresë në Barnet. Sëbashku me të udhëtonte edhe Vuzaj. Pepaj më pas e mori çantën dhe e futi në një makinë Golf.

Policia e ndaloi këtë makinë, që drejtohej nga Lajdon Vengo, pak më vonë. Brenda çantës u zbuluan 7 kilogramë kokainë e cilësisë së lartë.

Valjet Pepaj dhe Edi Vyzaj

Më 21 Mars dhe 28 Mars 2017, Nuhi u takua me Pepajn pranë Dover në Kent dhe në Boreham në Essex. Në të dyja rastet Pepaj u pa teksa i dorëzonte një çantë Nuhit, në të cilën ndodhej një sasi e madhe parash, që vinte nga shitja e drogës.

Më 7 Prill 2017, Pepaj dhe Vyzaj u panë teksa u takuan me një kamion maqedonas në Hemel Hempstead, që drejtohej nga një bashkëpunëtor i Salih dhe Nuhit. Përpara se të takohej me Pepajn dhe Vyzaj, shoferi u takua me Nuhin në Folkestone Services, në Kent. Ata u panë duke marrë dy çanta të mëdha.

Policia e ndoqi makinën deri në shtëpinë e Vyzajt në rrugën Church Hill dhe i ndaloi të dy personat. Oficerët kontrolluan makinën dhe zbuluan se brenda dy çantave ndodhej një sasi prej 28 kilogramë kokainë.

Në këtë pikë policia kishte siguruar një urdhër për të kontrolluar shtëpinë e Vyzajt, ku gjeti pajisje të ndryshme që përdoreshin për paketimin dhe shitjen e drogës. Në një dhomë gjumi ku flinte Rezart Pepaj, u gjetën dokumente që e lidhnin këtë të fundit me një makinë Mercedes. Ajo ishte e parkuar jashtë dhe u kontrollua nga oficerët e policisë. Ata gjetën 2 kilogramë të tjerë kokainë brenda saj.

Bastri Nuhi dhe Gafur Salih

Këtë të mërkurë, gjykata e Harrow dha dënimet për të pandehurit si më poshtë:

Shqiptari Valjet Pepaj, 28 vjeç, u dënua me 27 vjet burg.

Edi Vyzaj, 30 vjeç, gjithashtu shqiptar u dënua me 18 vjet burg.

Gafur Salih, 47 vjeç, me kombësi maqedonase u dënua me 22 vjet heqje lirie.

Bastri Nuhi, 39 vjeç dhe gjithashtu nga Maqedonia u dënua me 31 muaj burg.

Autoritetet britanike përllogarisin se vlera e drogës së qarkulluar nga ky grup e kalonte shifrën e 2 milionë paundëve.

E njëjta gjykatë, në Nëntor të 2017-ës dënoi me 7 vjet burg edhe anëtarët e tjerë të kësaj bande. Për shqiptarët Rezart Pepaj, 25 vjeç u dha 7 vjet burg, për 29-vjeçarin Lajdon Vengo, 7 vjet, ndërsa për irakianin 32-vjeçar Yassir Thamer u dha dënimi me 6 vjet burg. /klan

67 vjet burg për bandën me shqiptarë në Britani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu