• |
ide | kryesore

Pas bombardimit, SHBA, Franca dhe Britania nisin sulmin diplomatik ndaj Rusisë dhe Sirisë

F1, Planet



Fuqitë perëndimore pritet të bëjnë një përpjekie për të përdorur diplomacinë pas sulmeve ushtarake kundër magazinave me armë kimike në Siri, duke bërë thirrje që OKB-ja të nisë një hetim të gjerë mbi rezervat e armëve kimike të Sirisë, dhe duke u përpjekur të ringjallin bisedimet e ndërprera të OKB-së për paqen.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të takohet të hënën për të diskutuar thirrjen për një përpjekie më të madhe për të eliminuar rezervat e fshehta të qeverisë siriane, duke ushtruar presion mbi Rusinë, që kjo e fundit të mos e mbrojë më regjimin e Assadit nga një hetim i OKB-së për përdorimin e armëve kimike.

Tre aleatët, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë gati një projekt-rezolutë që gjithashtu përfshin propozime për një hetim të pavarur mbi sulmet e dyshuara kimike në Siri, me qëllim identifikimin e autorëve.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike do të udhëzohet që të raportojë brenda 30 ditëve nëse qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka shpërbërë përfundimisht rezervat e armëve kimike.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka qenë i bllokuar që nga nëntori i kaluar lidhur me krijimin e një mekanizmi hetues për të identifikuar përgjegjësinë për sulme kimike. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike është në Damask për të vërtetuar nëse ka ndodhur sulm kimik më 7 prill, por deri tani ky është i vetmi informacion që vjen nga kryeqyteti sirian.

Projekt-rezoluta e OKB-së gjithashtu kërkon evakuime mjeksore dhe kalim të sigurt për të gjitha kamionet me ndihma, në çdo zonë të Sirisë.

Një rezolutë e armëpushimit që u miratua në shkurt, por që u shkel, duhet gjithashtu të zbatohet.

Ky dokument kërkon që regjimi i Assadit të përfshihet në bisedimet e paqes “në mirëbesim, në mënyrë konstruktive dhe pa parakushte”.

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet t’a mbështesin këtë thirrje në takimin e të hënës në Bruksel. Ky propozim ka gjasa të diskutohet edhe në një takim të ‘Ligës Arabe’, samit i cili do të mbahet nga Arabia Saudite.

Ministri i Jashtëm francez, Yean-Yves Le Drian, bëri thirrje gjithashtu për veprim të menjëhershëm për të shmangur një katastrofë të mëtejshme humanitare, duke parandaluar sulmin e pritur sirian në krahinën e fundit të madhe që mbahet nga opozita, Ildibi, në veri-lindje të Sirisë. Ministri francez i bëri thirrje grupeve xhihadiste që dominojnë zonën që të çarmatosen, ndërsa i bëri thirrje edhe Rusisë që të urdhërojë Sirinë të ndalë sulmet e mëtejshme. Ai tha se Rusia “duhet të bashkohet me përpjekjet tona për të promovuar një proces politik në Siri, që do të lejonte një rrugëdalje nga kriza”. 

Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson, duke folur për BBC sot tha se do të ishte një plus i madh nëse sulmi me raketa u krye në Siri do të bënte që Rusia të urdhëronte Assadin të ulet për negociata. Gjithësesi, Johnson tha se bombardimi kishte vetëm një qëllim, të pengonte Sirinë për të përdorur armë kimike.

Rusia dhe Siri vazhdojnë të denoncojnë sulmet ushtarake nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe. Për ta, sulmi i aleatëve është një akt ilegal agresioni. Të shtunën, vetm tre nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me 15 anëtarë, mbështetën një rezolutë ruse që denoncoi sulmet si një akt ilegal agresioni.

E dërguara e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, i tha Këshillit të Sigurisë të shtunën se forcat e saj ishin gati për të nisur sulme të tjera, nëse vëreheshin shenja se Assad po planifikonte sërish përdorimin e armëve kimike. Ajo nuk dha një përkufizim të saktë të përdorimit të armëve kimike.

Operacioni ushtarak i mëngjesit të së shtunës synonte tre objekte që supozohej se mbanin armë kimike.

Një zyrtar i administratës Trump informoi gazetarët se SHBA-të kan vlerësuar se në sulmin e 7 prillit në Duma ishte përdorur gaz sarin. Por, ai shtoi se informacioni mbi këtë sulm kimik nuk erdhi nga ‘inteligjenca amerikane’ (CIA, NSA etj), por nga raporte e burime të mediave.

Një hetim i përbashkët i OKB-s dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike për vitet 2015-2017 kishte zbuluar se qeveria siriane përdori gazin Sarin në sulmin e 4 prillit 2017, ku dhjetëra civilë humbën jetën, dhe gjithashtu ka përdorur disa herë armë me gazin Klorin. Ky hetim fajësoi edhe Shtetin Islamik, ISIS, për përdorimin e një gazi tjetër vrasës të quajtur mustardë.

Ky hetim përfundoi në nëntor, pasi Rusia e cila mbështet Assadin, bllokoi tre përpjekje nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për të rinovuar mandatin e vet. Moska u shpreh se hetimi i OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kishte shumë të meta.

Një ditë përpara sulmit të fundit të Aleatëve, Nikki Haley sinjalizoi Këshillin e Sigurisë se çdo veprim i Uashingtonit do të ishte përgjigje jo vetëm sulmit në Duma më 7 prill të këtij viti.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Assad ka përdorur armë kimike në luftën siriane të paktën 50 herë. Vlerësimet publike numërojnë përdorimin e armëve kimike në 200 herë” – u shpreh Nikki Haley.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *