• |
ide | kryesore

Kronologjia/ Divorci i pamundur i Edi Ramës me Saimir Tahirin

Arkiva, Kryesore



Që divorci me Saimiri Tahirin nuk do të qe i lehtë për Edi Ramën, u kuptua nga piruetat që iu desh të bënte kryeministri për ta larguar nga kabineti. Për arsye që mbeten ende mister, Edi Rama nuk e pati të lehtë ta flakë Saimir Tahirin nga qeveria, siç bën me socialistët e tjerë.

Në fillim amplifikoi në media presionin nga Ilir Meta, sikur ishte aleati i LSI që e kishte kërkuar largimin e Tahirit. Pastaj për ta kamufluar shkarkimin e Tahirit, largoi bashkë me të edhe Blendi Klosin, edhe Ilir Beqen edhe Bledi Çuçin. Para zgjedhjeve, kryeministri tha se e bënte këtë operacion ndryshimesh në qeveri, për të përforcuar strukturat e partisë.

Siç tregoi koha, ky shkarkim në grup është provë e kujdesit me të cilin Rama trajtoi çështjen Tahiri që në nisje të saj.

Ndryshe nga ministrat e tjerë, Saimir Tahiri nuk e priti kokulur largimin si ministër. I denjë për konsideratën e Ramës që e kishte shpallur “kampion i qeverisë”, ai nisi një seri inskenimesh patetike me policë të mallëngjyer, që i shtrëngonin duart dhe i përgatisnin pankarta falenderimesh.

Ndryshe nga ministrat e tjerë të shkarkuar, Tahiri sfidoi Ramën përmes drekave dhe darkave me drejtorët e policisë, disa prej të cilëve do të shpalleshin persona në kërkim për bashkëpunim me trafikantët e drogës.

Por pavarësisht të gjithave, për karrierën e Tahirit nisi një rënie e pandalshme, që u reflektua edhe në degradimin e marrëdhënies me Edi Ramën.

Për Tahirin nuk pati vend as në qeverinë e re, pas zgjedhjeve. Një vendim që rrëzoi përfundimisht arsyet e vërteta të shkarkimit të Ministrit të Brendshëm në mars.

E vërteta doli në 16 tetor të vitit të kaluar, kur në Itali u arrestua Moisi Habilaj. Në Tiranë shpërtheu skandali i trafikut të drogës. U publikua dosja e përgjimeve nga Antimafia Italiane. Në trafik droge dolën të përfshirë kushërinjtë e ministrit, miqtë e tij të afërt, drejtorë të policisë etj.

Reagimi i parë i kryeministrit ishte i drejtpërdrejtë, një status në Facebook ku e shpallte Tahirin “dru i shtrembër” dhe ku kërkonte që drejtësia “të zbardhë deri në fund të vërtetën”. Kaq u desh dhe prokuroria kërkoi arrestimin e Saimir Tahirit.

Në orët e mbrëmjes të datës 18 tetor, mes Tahirit dhe Ramës u zhvillua takim i tensionuar në kryeministri. Ky është dhe takimi i fundit i bërë publik mes të dyve. Pak kohë më vonë, Rama do të shprehej për këtë takim:

“Kemi pasur një diskutim normal dhe me konsensus të plotë. Ai i qëndroi asaj që do të ndiqte rrugën e tij dhe unë asgjë nuk mund t’i ofroja përveç rrugës që zgjodhi. Ishim vetëm. Takimin e thirra unë” tha kryeministri në Zonë e Lirë kur u pyet për këtë takim.

“Nuk keni parë gjë akoma”, kaq tha Saimir Tahiri për gazetarët e mbledhur para shtëpisë së tij të nesërmen e takimit. Prokuroria sapo kishte kërkuar nga mazhoranca arrestimin e deputetit socialist.

Nuk u mor vesh qartë çfarë nënkuptoi ish ministri me këtë frazë të njohur mirë për publikun, që prej shtatorit 2013, kur Rama ia tha opozitës në Kuvend.

“Nuk keni parë gjë akoma”, e përdorur nga Saimir Tahiri, tingëlloi atëherë si kërcënim për Edi Ramën, që deri në atë moment e kishte quajtur “një dru të shtrembër” duke i kërkuar drejtësisë “të zbardhë deri në fund të vërtetën”.

Në mbrëmjen e asaj dite, ish ministri u shfaq në studion e Opinion me lot në sy. Por më parë, gazetarët raportuan për një vizitë të Gaz Demit në shtëpinë e tij. Presidenti i Partizanit është një personazh i njohur në Tiranë veçanërisht për miqësinë me vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën.

Në studion e Opinion, Tahiri u duk i ndërgjegjshëm se shumë pak e ndante nga qelia e burgut.

“Nuk është shumë normale që unë të bëj burg me njerëzit që kam arrestuar vetë” u shpreh Tahiri, ndërsa përbetohej për zbardhjen e të vërtetës deri në fund, por në kohën e duhur.

Tronditja që shfaqi Tahiri në studion e Opinion mes lotëve dhe përbetimet për t’i shkuar të vërtetës deri në fund e bënë efektin e tyre.

Me një fjalim të dyzuar në grupin parlamentar, Rama shpalli votën kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Tahirit.

“Unë nuk ndryshova qëndrim. Në fillim thashë “drejtësia”. Pastaj kur pashë përgjimin kam mbajtur qëndrimin. Kur pamë dhe masat ekstreme. Morëm dhe masën e ndarjes së Tahirit nga Partia Socialiste” – do ta komentonte më pas këtë vendim kryeministri Rama.

Gjashtë muaj më pas, këtë të enjte të 19 Prillit, Tahiri u rikthye në publik me një shprehje tjetër të Edi Ramës.

“Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë askush që nuk mund të… ose ta them ndryshe, që mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi. Nuk e besoj që… nuk e besoj që do ketë edhe bir nëne, edhe bir kurve që të më pengojë…” u tha gazetarëve që sapo e kishin pyetur nëse Edi Rama po e mbron nga arrestimi.

Sërish një shprehje e famshme e Ramës. E përdorur nga ai kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Të të shkërdhehet mamaja 24 orë dhe kur të vijë puna të dëgjosh një parazit. Nuk ka as në Tiranë, as në Shqipëri, asnjë burrë nëne dhe asnjë bir kurve që të vijë dhe të më kërkojë mua në xhep lekët e veta” ishin fjalët e Ramës kryebashkiak shumë vite më pare, kur e kishin akuzuar për korrupsion.

Javët e fundit gjithnjë e më shumë po flitet në publik për arrestimin e Saimir Tahirit. Ish ministri shihet si kokë turku për të bindur BE për rezultatet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deri në vendimin për hapjen e negociatave nuk ka mbetur shumë kohë dhe në konferencë me Frederika Mogherinin, Rama i kërkoi prova të tjera prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Lehtësia, me të cilën e bëri këtë deklaratë ishte e habitshme.

Tahiri ka kërkuar dy herë fjalën në parlament dhe dy herë është tërhequr, por mesazhet janë dërguar edhe kësaj radhe. Përdorimi i frazave të Ramës, e folura me gjuhën e kryeministrit në momente të vështira për të, nuk janë rastësi. Duke u njehsuar me figurën e Ramës, po tenton t’i rifreskojë kujtesën ish shefit të tij, se fati i njërit është i pandarë nga i tjetrit. Mbetet për t’u parë, nëse është duke bllofuar apo jo. ©Lapsi.al



4 Comments

  1. Nje panorame krejt e qarte dhe e sakte qe nuk le shkas per asnje dyshim se keta dy golet ne foto jane vellezer Siameze te ngjitur bythe me bythe dhe eshte e pa mundur te shkelmojne njeri-tjetrin.

  2. Shikoni BMW -X 6 te milionerit tahiri.
    Shefi i tije Rama numron eurot.
    me i lehte ka qen divorsi i dianes nga princi sharl sesa rama me tahirin.

  3. Te vjen keq kur nje makine vlen me shume se Gerdeci,21 Janari,shitja e detit, 220 milione etj.etj. Por felliqesira Andi,Berisha eshte me e thelle!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *