• |
ide | kryesore

Vettingu në polici, si do verifikohen efektivët dhe roli i SHISH për lidhjet me krimin

Lajme, Të fundit



Lidhur me vettingun në policinë e shtetit, zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj dha detaje të rëndësishme të procesit të cilit do t’i nënshtrohen të gjithë uniformat blu në vend, nga të gjitha rangjet.
Hodaj tha se policëve u është dhënë një afat 30 ditor për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit. Procesi për rangjet e larta do të zgjasë pesë muaj, ndërsa për efektivët e tjerë 24 muaj.

“Projektligji është konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, por të parët që janë konsultuar për këtë projekt-ligj kanë qenë vetë punonjësit e policisë. Duke qenë se bëhet fjalë vetëm për deklarata, nuk ka nevojë për më shumë kohë se 30 ditë. Ndryshe nga gjyqtarët e prokurorët, në rastin e policisë nuk ka nevojë për dokumente shoqërues” – deklaroi ai në “Report TV”.

Ka mundësi që ky afat kohor të shtyhet, në rast se nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë?

Hodaj: Afatin e cakton ligji, në 14 ditë që kanë ngelur s’mund të ndryshohet ligji. Kemi probleme për marrjen e të dhënave financiare nga vitet 90 deri në vitin 2000. Paaftësia e institucioneve publike për të ruajtur të dhënat nuk mund t’i ngarkohet individit.

Procesi së pari na interesonte si është konceptuar. Procesi është një garanci më shumë për vetë punonjësit, që do të thotë që ka një garanci ligjore, ca kritere të mirë përcaktuara në ligj dhe ky vlerësim kryhet nga organe të pavarura, si ekzekutivi dhe ministria e brendshme. Kush e kalon me sukses, do t’i garantohet qëndrimi në detyrë.

Kur themi vetting në polici, çfarë nënkuptohet, pasuri të paligjshme, cili është thelbi?

Hodaj: Ata që duhet të rrinë në detyrë, s’duhet të kenë lidhje me botën e krimit, të mos jenë prekur nga korrupsioni, dikush duhet të justifikojë pasurinë e vënë me të ardhurat ndër vite. Si pritshmëri s’mund ta them sepse i bie të paragjykoj procesin. Besoj se pjesa më e madhe është pjesa e shëndoshë e policisë që do të rrijë në detyrë.

Si do t’i verifikoni?

Hodaj: Procesi është analog, së pari duhet të deklarojnë nëse kanë apo jo pasuri. Nëpërmjet SHISH, Drejtorisë e parandalimit të pastrimit të parave, do të kryhet një vlerësim, nëse personi ka apo s’ka lidhje me eksponentë të botës së krimit. I gjithë procesi do të zgjasë rreth 24 muaj. Procesi i gradave të larta do të zgjasë diku te 5 muaj.

A ka persona që rrezikojnë burgun nga ky proces?

Hodaj: Patjetër që po, në rast se rezultojnë me shkelje.

Cila do të jetë e ardhmja e Akademisë së Policisë?

Hodaj: Akademia e policisë s’duhet të jetë e kufizuar vetëm te policia e shtetit por edhe të institucionet e tjera. Duhet reformuar dhe të ketë autonomi akademike dhe financiare. Synojmë që reforma ta vëmë në gjendje që të ofrojë edukim cilësor. Dhe duke përmirësuar cilësinë e edukimit mendojmë se do forcohet edhe profesionalizmi.

Është kusht akademia për zyrtarët që shërbejnë në polici?

Hodaj: Vakumi që do të krijohet nga vetitngu nuk na tremb, sepse kemi shumë kërkesa çdo ditë nga vajza dhe djem, apo thjesht gjimnazistë që e kanë pasion punën në policinë e shtetit, ndaj nuk besojmë se do të krijojë boshllëk të madh që do shkaktojë dhimbje koke për ne. Akademia është përdorur si aneks më parë në policinë e shtetit, duke çuar atje njerëzit që nuk shiheshin si adapto për policinë e shtetit, çka ka qenë një gabim i tmerrshëm, një paradoks.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *